... Një zarf i ardhur nga larg, mban emrin e Teki Gjonzenelit, vlonjatit të mirë e të respektuar, njeriut që vuajti shumë por që rezistoi dhe mbijetoi. E hap dhe
brenda tij, gjej një audiokasetë, një shkrim të tij që denoncon krimet komuniste, botuar në ‘Illyria’ si edhe dy kartolina, shkruar me dorën e tij, ku ai më shpreh ndjenja mjaft miqësore.
Para syve të mi, më shfaqet portreti i tij, i të vëllait Muratit, i cili vuajti 18 vjet në burgjet e diktaturës, të familjes së tij martire që hoqi e vuajti aq shumë tmerre, por që qëndroi
gjithmonë kryelartë, e bashkuar dhe e nderuar, pa u përkulur kurrë ...
Është mjaft prekëse të përjetosh, një emocion të tillë, aq të fortë dhe të papritur ! Për më tepër që në atë audiokasetë, Tekiu, ka incizuar zërin e eruditit, atdhetarit, martirit dhe poetit, Kudret Kokoshi. Është vërtet një thesar i vërtetë, kjo audiokasetë; një dokument me vlerë tepër të madhe. E vendos atë në magnetofon dhe dëgjoj. Teki Gjonzeneli e ka incizuar Kudret Kokoshin, tre vjet para rënies së diktaturës, me besimin se do të vinte një dite që ajo kasetë do të përbënte një dokument të vyer për brezat; me dëshirën që zëri i Kudret Kokoshit duhej ruajtur, për të dëshmuar, për të na përcjellë jehonën e një jete prej martiri, zërin e një njeriu fisnik dhe të nderuar, vargjet e tij drithëruese plot dhimbje, vuajtje dhe përkushtim. Dëgjoj dhe drithërohem nga vargjet e recituara plot pathos, prej vetë Kudret Kokoshit ! Vargje kushtuar Toto Bolenës, luftëtarit heroik për çlirimin e Vlorës (1920), poezinë e njohur kushtuar nenës së tij thesar, të cilën nuk e pa dot në të gjallë, nuk mundi ti hedhë një grusht dhé mbi varr, sepse qe mbyllur në hapsanat komuniste...
Mbrëmë, teksa po dëgjoja zërin e poetit martir Kudret Kokoshi, përjetova dy ndjenja sublime njëherësh: atë të mirënjohjes për Teki Gjonzenelin i cili ka bërë nje gjest e vepër tepër të vyer si risjelljen në ndërgjegjen time të imazhit, kujtimit dhe nderimit për të paharruarin atdhetar, poet e erudit, Kudret Kokoshi ...
Vasil QESARI

REQUIEM PER KUDRET KOKOSHIN
… Kudret Kokoshi, banonte së bashku me bashkëshorten, në të njëjtin pallat ku
banoja dhe unë. I kishin dhenë me qira një dhomë të vogël, në katin e parë, në një apartament të përbashkët me familjen e një peshkatari. Skish veç pak vjet që kish dalë nga
burgu i gjatë mbi 20 vjeçar dhe, arrinte të mbijetonte në saje të një rroge tepër të vogël të gruas, e cila rropatej duke punuar nga mendjezi gjer në darkë, ullishtave të Ndërmarrjes
Bujqësore "Vlora". Për të plotësuar sado pak " buxhetin" tejet të varfër familjar, Kudreti, arrinte të siguronte ca të ardhura modeste nëpërmjet përkthimeve letrare që
bënte nga shqipja në italisht, për llogari të një shtëpie botuese në Tiranë.
Historia e jetës së Kudret Kokoshit, ishte e dhimbshme dhe tragjike, ashtu si edhe e gjithë intelektualëve të tjerë "borgjezë". Ai rridhte nga një familje atdhetare
vlonjate dhe studimet e larta i kish mbaruar për letërsi në Itali. Gjatë viteve të luftës antifashiste, Kudreti e kish kundërshtuar me forcë pushtimin e huaj e qe zgjedhur edhe përgjegjës
i Rinisë Balliste Vlonjate. Ishte kjo arsyeja pse, fill mbas çlirimit, qe arrestuar e qe dënuar me pushkatim, dënim i cili më pas, i qe kthyer në burgim të gjatë 25 vjeçar. Por,
fatmirësisht, Perëndia i kish qëndruar pranë, nuk e kish lenë të vdiste e, nga kalvari i gjatë e plot peripeci, kish mundur të shpëtonte gjallë. Qe futur në burg djalë i
ri, dhe kish dalë që andej plak e me një koleksion sëmundjesh.
Me kujtohet se, kur Kudret Kokoshi, mbas peripecish të shumta, pat mundur të fusë kokën në një dhomë të vogël 3 x 3 m, shumë militantë komunistë të pallatit, qenë ankuar
në Këshillin e lagjes, Frontin Demokratik e gjetkë, duke kërkuar që ai të shporrej që andej e të internohej diku larg, në ndonjë fshat të humbur. Se si kish shpëtuar nga ajo urrejtje dhe
histeri, një Zot e di ! ...
Pothuajse, asnjë prej banorëve të pallatit, nuk i fliste me gojë ‘armikut të popullit’, Kudret Kokoshi. Askush nuk i thosh kurrë qoftë edhe ‘Mirëmëngjesi’. Ai qëndronte
vazhdimisht i mbyllur brenda, e delte rrallë herë jashtë dhomës së tij të vogël. Kështu, edhe pse në gjendje të ‘lirë’, jeta e tij vazhdonte të qe e njëllojtë, pra si në burg.
Në shtëpi, nuk i hynte askush. Me përjashtim të fare pak njerëzve të familjes, si edhe të A. Meçaj, një ish - mësues i pushuar nga puna për shkak të ‘biografisë së keqe’,
i cili thuhej se shkruante poezi mjaft të goditura. Pa dyshim, njerëzi e Sigurimit, e survejonin dhe e përgjonin edhe atë vazhdimisht si hiena ...
... Kudreti banonte një kat më poshtë apartamentit ku banoja unë. Një dritë e zbehtë qëndronte vazhdimisht e hapur në dhomën e tij. Gjithë ditën e gjer natën vonë, ai përkthente e
përkthente. Matanë dritares së tij me hekura, jetonte një njeri, një zemër, një shpirt. Më qëllonte ta shihja shpesh, sidomos në ditët e ftohta të dimrit, atëherë ku delte para shkallëve të
pallatit për të ndezur mangallin. U vinte flakën ca ashklave, hidhte mbi to qymyr dhe priste i vetmuar që ai të kthehej në prush.
Era e ftohtë që frynte nga Qafa e Koçiut priste si brisk. I veshur me një xhaketë të hollë e të vjetër, i mbështjellur fort me shall, ai qëndronte aty
për rreth një gjysmë ore të mirë. Gjithmonë, me sy të përlotur nga tymi, duke fërkuar duart e përplasur këmbët, për të mos ngrirë nga acari. E shihja shpesh ashtu, me
shtatin e tij të vogël, të mpakur nga vuajtjet. Me fytyrë të rreshkur e të rrudhur, ku vetëm dy sy të larmë e plot gjallëri, tregonin se ai ishte endé në jetë e nuk qe shuar.
Prushi mbi mangall bëhej e ai mbyllej përsëri brenda.
Në ‘lirinë’ e tij prej të burgosuri.
Përkthente gjer vonë. Ulej në tavolinë pranë dritares. Shpesh herë, nenë dritën e qiririt, jo vetëm për të kursyer energjinë elektrike, por edhe për të mos
shqetësuar gjumin e bashkëshortes, e cila duhej të ngrihej pa gdhirë. Me trupin mbështjellë me batanije, herë - herë, ai ndërpriste shkrimin e niste një kollë të thatë e
mbytëse, pasojë e një bronshiti të vjetër kronik, i cili acarohej nga ajri i ftohtë i dhomës i cili nuk arrinte të ngrohej kurrë nga ai grusht hiri mbi mangall.
Shpesh, kur rastësisht e ndeshja jashtë, gjithmonë të përkulur para mangallit që nxirrte tym, ndaloja dhe, me kujdes për të mos renë në sy të fqinjëve,
shkëmbeja me të dy fjalë. Ishte, pikërisht gjatë atyre takimeve të shkurtra, që unë njoha Poetin. Sepse, Kudret Kokoshi, ishte dhe kish lindur për të qenë poet. Çdo fjalë e tij kish një
fuqi të çuditshme mbërthyese e sugjestionuese. Pothuajse magjike !... Gjynah ! Ai njeri i vockël, i dobët, i brishtë e me tiparet fisnike të një zotërie të
kultivuar, të sjellshëm e tepër human, në rrethana të tjera, mund të kish qenë një nga estetët a poetët më të shquar të Shqipërisë...
Pas ca kohësh, kur i tregova se edhe unë kisha studiuar për letërsi, ndjeva se ndrojtja e tij karakteristike iu largua plotësisht. Fytyra i buzëqeshi e iu mbush me dritë.
Më tha se, dy njerëz që kanë në zemër librat e adhurojnë letërsinë, mund të kuptohen bashkë shumë mirë. Më foli për vitet e studimeve të tij në Romë. Për poetët e mëdhenj italianë: Danten,
Petrarkën, Ugo Foscolon e shumë të tjerë. Për botimet e tij të para në shtypin e atëhershëm shqiptar. Për poezitë që kish shkruar në burg. Për poemën ‘Toto Bolena’ që e kish shumë për zemër, e që
ia kish kushtuar luftëtarit e komandantit të shquar të Luftës së Vlorës (1920 ).
Një herë tjetër, më recitoi me lot një poezi, të cilën ai e konsideronte si ‘kryeveprën’ e tij e që ia kish kushtuar nenës. Asaj, që e
kish prurë në atë botë e që e kish ndjekur gjithë jetën, hap pas hapi nëpër burgje. Duke udhëtuar nëpër vite me trasta në duar. Hipur mbi kamionë, për orë e
ditë të tëra. Asaj, që e kish lenë të re të bukur e që, kur kish dalë nga burgu, e pat gjetur plakë të kërrusur e të vyshkur nga vitet, varfëria dhe vuajtjet...
Shpesh, e pyesja për intelektualët e viteve '30 e, veçanërisht, për disa gazetarë të njohur të asaj kohe. Më tregonte se, pjesa më e madhe e tyre qenë pushkatuar pa gjyq
nga trupat speciale partizane, gjoja si kolaboracionistë. (Më fliste për Branko Merxhanin e Vangjel Koçën, idealistë e themelues të neoshqiptarizmës. Për Nebil Çikën, gazetar tepër i aftë,
inteligjent, prodhimtar e me penë të hatashme. Për Aleks Mavraqin - kronistin e kudo ndodhur të oborrit mbretëror. Vasfi Samimin, aktorin e kinemasë të formuar në Stamboll, gazetar e poet
etj.)
Por, gjithë ata emra, i përkisnin një të kaluare tepër të largët. Kohe të harruar prej të gjithëve, por jo prej Kudretit. (O Perëndi, sa shokë, miq e të
afërm ishin tretur nëpër burgje e nuk u diheshin varret ?!). Ndër ta, Kudret Kokoshi, kish mbetur gjallë. E, për më tepër, i kish shpëtuar edhe
internimit në pleqëri. Kësisoj, në aparencë, ai dukej se bënte pjesë në radhën e njerëzve me fat. Pra, që kish shpëtuar nga vdekja. Që kishte një bashkëshorte. Që ish në jetë e kish një dhomë ku
të fuste kokën. Që mund të siguronte bukën duke përkthyer, paçka se në ‘anonimat’ e pa të drejtën e autorit. Paçka se, ajo që bënte ishte paradoks!... (Poeti i anti - diktaturës, përkthente
poetët e pro - diktaturës).
Eruditi, poeti dhe intelektuali Kudret Kokoshi, vdiq në Agimin e Lirisë. Atëherë kur, të lodhur e të dëshpëruar, të gjithë i kishim
humbur shpresat se një ditë, ajo edhe mund të vinte. Hoqi shpirt në paqe, pikërisht mbas heqjes zvarrë të monumentit të Diktatorit, nëpër rrugët e kryeqytetit shqiptar.
Kur mora vesh se po lëngonte, shkova dhe e takova teksa po bëhej gati të shkonte, për t'u prehur përjetësisht, aty ku ndodhej edhe nena
e tij e shtrenjtë. I shtrirë mbi shtrat, mes çarçafëve me bardhësi verbuese, me fytyrë të zbehtë e sy gjithmonë të ndritshëm, ai kish marrë pamjen e
një Shenjtori.
U ula pranë tij e i fola. I tregova një tufë poezish të lira. Të botuara pa frikë në gazetën e re Rilindja Demokratike. Pa censurë... Nuk kish fuqi të më thosh asnjë
fjalë. Pashë vetëm që, nga sytë e tij gri në të kaltër, nisën të rridhnin disa pika lotë. Isha i bindur se, kësaj here ato qenë lotë gëzimi e jo dhembje…
Kauza, ideali, shpirti i tij, kishin triumfuar mbi të Keqen.
Poeti, me Idealin e tij e kish mposhtur Diktaturën.
Ëndrra e martirizuar e Kudret Kokoshit qe bërë realitet.
Më së fundi, atdheu i tij i dashur, Shqipëria, qe ndarë njëherë e përgjithmonë nga Nata e Lëngata Totalitare...
Vasil QESARI ( nga libri ' Post-scriptum per diktaturen' )



























