
Pamje nga Manhattan (Foto - Vasil Qesari )
NË MANHATTAN
Nga Simbad Detari
Për këdo që vetëm ka dëgjuar, por nuk e ka vizituar ishullin Manhattan në New York, ndofta pamja e parë që përfytyron është ajo e kartëpostales së njohur me Statujën
e Lirisë dhe një grumbull të madh grataçielësh, të cilët ngrihen lart në qiell e janë aq të ngjeshur me njëri tjetrin, sa njeriut të ngratë mes shtrëngesës së tyre i zihet fryma dhe vetja i duket
si një milingonë. Me këtë përfytyrim u nisa drejt tij edhe unë, ndërsa vetura përshkonte urën Brooklyn, për të mbërritur në zemër të tij. Por, jo, ky ishte thjesht një impresion i rremë, nga që
sapo hyn në brendësi të tij, të shfaqet një qytet jo vetëm gjigant por edhe plot gjallëri, rrugë e trotuare të gjerë si edhe shume sipërfaqe të gjelbra të cilat shtrihen ane e mbanë, në Central
Park, Bowling Green Washington Square Park, Union Square, Tompkins Square Park, Battery Park etj.
Me një guidë të vogël në dorë, në frëngjisht, mësova pa mbërritur mirë në të, se Manhattan është një nga njësitë administrative të New York-ut ( katër të tjerët janë: Brooklyn, Queens, Bronx dhe
Staten Island ) dhe ka nje sipërfaqe prej 58,8 km2. Me një dendësi popullsie e cila i kalon gjithë qytetet e tjera të Shteteve të Bashkuara, ai është zemra ekonomike, financiare dhe kulturore e
vendit (me muze të njohur botërisht, si ‘Metropolitan Museum of Art’, ‘American Museum of Natural History’, ‘MoMa’, ‘Guggenheim’, ‘Frick Collection’ etj.)
Me të drejtë thuhet se po nuk ke vizituar Avenynë e Pestë (Fifth Avenue), nuk ke parë asgjë nga Manhattan. Dhe kjo është e vërtetë, nga që ajo është arteria me e
rëndësishme e tij e cila përshkon anën lindore të Central Park dhe qendrën e Midtown. Ajo është një nga ‘avenytë’ më të njohura dhe të rëndësishme në botë, ashtu siç janë Oxford Street në Londër
dhe Champs Élysées në Paris. E ndodhur mes parqesh të shumtë si edhe ndërtesash të shumta financiare, ajo përbën një nga simbolet e pasurisë së Amerikës. Ndërkohë, Avenyja e Pestë, përsa i përket
çmimeve për metër katror, konsiderohet si më e shtrenjta në botë, pas rrugës Sloane Street në Londër. Përgjatë saj, ndodhen shumë mjedise turistike si edhe ndërtesa me famë, të tilla si ‘Empire
State Building’, ‘New York Public Library’, ‘Rockefeller Center’ dhe ‘Katedralia Saint-Patrick’, Akademia mjekësore e Nju Jorkut (New York Academy of Medicine) dhe spitali i njohur ‘Mount Sinai
Hospital’ ...
Manhattan, është ndër të tjera edhe vendi i të papriturave, ndofta nga më të paimagjinueshmet. Ti, pa e ditur fare, mund të ndodhë që të ecësh në një trotuar, të blesh në një magazinë apo të
drekosh në një restorant, përbri një shkrimtari, shkencëtari apo artisti të shquar botëror. Kështu, na ndodhi edhe ne, ndërkohë që kalonim me makinë, në të majtë të Central Park. Trafiku qe i
dendur dhe vetura ecte ngadalë, ndërkohë që në hyrjen e një hoteli luksoz, pashë një turmë të madhe njerëzish, mes të cilëve një grumbull fotoreporterësh. Dhe, ndofta nga forca e kërshërisë apo
instinkti i profesionit, i thashë mikut tim Filip Gazulli në se mund të zbrisja për të mësuar se, përse aty ishin mbledhur aq shumë njerëz. Filipi ndaloi për dy-tri sekonda dhe shkoi të gjente
ndonjë vend për të parkuar makinën, gjë e cila në Manhattan është aq e vështirë sa që mund të quhet një mrekulli e vërtetë. Ndërkohë, zbrita dhe u shtyva mes turmës dhe duke treguar kartën e
gazetarit, mund të kaloj edhe gardhin e fundit të policëve. Pyeta dhe mësova se prej atij hoteli (The Ritz –Carlton), pritej të delte këngëtarja e shquar, Céline Dion. Prita edhe unë bashkë me të
tjerët dhe pas nja njëzetë minutash, ajo doli nga hoteli i shoqëruar nga thirrjet e qindra 'fans' - ëve si edhe blicat e dhjetëra reporterëve. Duke qenë as dy metra larg saj, munda ti bëj një
fotografi. Pastaj, këngëtarja e shquar, u largua e shoqëruar nga një varg veturash e ulërima alarmesh policie, sikur të ish kryetari i një shteti të madh ...

Celine Dion (Foto - Vasil Qesari)
Sigurisht çdo njeri që ndodhet në New York, qoftë dhe për tri - katër ditë siç më rastisi
mua, nuk mund të mos dëshirojë të bëjë një shëtitje në Brodway. Kështu, pra bëra dhe unë, i shoqëruar nga Anna dhe ‘guida’ ime Monika e cila më kujtonte ‘Natalinë’ e Gilbert Becaud. E, ndërsa po
ecnim në këmbë, pikërisht aty përreth City Hall Park ku zhvillohen paradat e mëdha popullore që përkujtojnë ngjarje kombëtare apo të tjera të shënuara, mua mu kujtua vetëtimthi, Tirana e viteve
tona studentore. Ishte aso kohe, një rrugë të cilën ne e quanim ‘Brodway’ e cila niste dhe përfundonte te Pallati i Kulturës, duke përshkruar rreth e qark ‘Rrugën e Barrikadave’. Nuk e di, kush
kish qenë i pari ai që e kish quajtur atë me një emër të tillë, por ajo ishte vërtet rruga me e populluar e kryeqytetit dhe zemra e shëtitjeve të rinisë së asaj kohe, e cila njëkohësisht të bënte
të nënqeshje hidhur, me emrin e saj ironik: Brodway ...
Në fakt, Brodway është i vetmi aks i cili përshkon nga veriu gjer në jug ishullin
Manhattan dhe sigurisht, në mënyrë integrale atë s’mund ta përshkosh, veçse me makinë. Por, ja vlen ama, të ecësh në këmbë, pikërisht përreth City Hall Park, aty ku zhvillohen paradat e mëdha
popullore, të cilat përkujtojnë ngjarje kombëtare apo të tjera të shënuara. Përfitova nga rasti të bëja fotografi, pikërisht ndërkohë që para meje, shihja qindra reklama të ndritshme, hiper -
gjigante, plot ngjyra marramendëse dhe lëvizje shumëkahëshe. Ndodhesha pra, në zemër të Brodway, aty ku firmat dhe kompanitë me të njohura botërore, (perandoritë miliardere), demonstronin famën,
fuqinë dhe madhështinë e tyre planetare e ku, njeriu i gjorë – ai i zakonshmi – e ndjen veten të vockël e pothuajse të pavlerë, pikërisht nga spektakli dhe arroganca e Forcës së Parasë
...
Në Brodway, pata fatin të shoh një shfaqje. Mes rrugëve 41 dhe 53, përreth Times Square,
ndodhen rreth 40 teatro që shfaqin spektakle muzikore me skenografi dhe kostume mahnitëse, me muzikë dhe balete të mrekullueshme. Monika, gjithmonë bujare dhe zemërmirë, na bleu dy bileta për në
‘Majestic Theatre’ dhe së bashku me Filipin, atin e saj dhe mikun tim të vjetër, shkuam për të ndjekur pikërisht shfaqjen ‘The Phantom of the Opera’ (Fantazma e Operës) e cila konsiderohet një
sukses i madh, pas spektakleve të suksesshme ‘Chicago’, ’The Lion King’ dhe ‘Mamma Mia’. Ngjarja e kësaj pjese, e cila ka njohur sukses edhe në gjini të tjera si, në letërsi, teatër e kinema,
është kompozuar nga i shquari Andrew Lloyd Webber, më 1986. ‘Fantazma e Operës’ ka pasur sukses të jashtëzakonshëm, përsa i përket numrit të shfaqjeve e spektatoreve (mbi 80 milion qysh prej
krijimit të saj). Me skenografi magjepsëse dhe këngëtarë klasi, ne kaluam dy orë të mahnitshme, duke adhuruar subjektin e saj: historinë e artistes së re Christine Daaé, këngëtare e operës së
Parisit e cila bie në dashuri me një person fantazmë, të fshehur në qilarët e operës e që e çon atë drejt një suksesi të mahnitshëm. Në mbrëmje vonë, ndërkohë që Times Square, zhurmonte nga
njerëzit dhe vezullimet e reklamave, ne dolëm në rrugën plot lëvizje dhe nisëm të diskutonim se sa e fortë duhej të ishte konkurrenca, për të luajtur në teatrot e Brodway. Padyshim - tha me të
drejtë Filipi - janë me mijëra e mijëra, ata artistë që ëndërrojnë të luajnë, qofte edhe nje rol të dorës së dytë, aty në ‘vendin e çudirave’ i cili mbante emrin Brodway
...




























