Overblog
Editer l'article Suivre ce blog Administration + Créer mon blog

RUBRIKAT

Fichier hébergé par Archive-Host.com Fichier hébergé par Archive-Host.com Fichier hébergé par Archive-Host.com Fichier hébergé par Archive-Host.com Fichier hébergé par Archive-Host.com Fichier hébergé par Archive-Host.com Fichier hébergé par Archive-Host.com Fichier hébergé par Archive-Host.com Fichier hébergé par Archive-Host.com Fichier hébergé par Archive-Host.com Fichier hébergé par Archive-Host.com Fichier hébergé par Archive-Host.com Fichier hébergé par Archive-Host.com Fichier hébergé par Archive-Host.com Fichier hébergé par Archive-Host.com Fichier hébergé par Archive-Host.com

Fichier hébergé par Archive-Host.com

Fichier hébergé par Archive-Host.com

Fichier hébergé par Archive-Host.com

Fichier hébergé par Archive-Host.com

Fichier hébergé par Archive-Host.com

SUPLEMENTE

'AMARUS'

( klikoni mbi imazhet më poshtë )

Fichier hébergé par Archive-Host.com

Fichier hébergé par Archive-Host.com

Fichier hébergé par Archive-Host.com

Fichier hébergé par Archive-Host.com

Fichier hébergé par Archive-Host.com

Fichier hébergé par Archive-Host.com

Fichier hébergé par Archive-Host.com

Apartament-me-qera-Vlore.jpg
6 mai 2008 2 06 /05 /mai /2008 20:24
Le-bouqiniste-Mendel.jpg

BUKINISTI  MENDEL

Nga Simbad Detari

… Nuk di pse, në imagjinatën time, shtëpia e shokut të fëmijërisë Sotir Koçi ka mbetur si shëmbëlltyra e ateliesë së Bukinistit Mendel. Ndofta, sepse atë gjë e kisha konstatuar apo marrë me mend për herë të parë, fill pas leximit të novelës me të njëjtin titull të njërit prej shkrimtarëve të mi të adhuruar, Stefan Cvajgut. Atëherë, kisha mbetur i sugjestionuar nga figura magjike e bukinistit e koleksionistit të librave të quajtur Mendel, karakterin e të cilit Cvajgu e ka përshkruar me mjeshtëri të mahnitshme,duke zbërthyer bukur botën, shpirtin, pasionin e psikologjinë e një gjurmuesi tipik e fanatik librash antikuarë. Sipas meje, në shumë drejtime miku im, kish shumë cilësi të përbashkëta me personazhin e çuditshëm e mistik të Cvajgut. Qe kjo arsyeja pse, mbas leximit të asaj novele më ndodhte shpesh ta thërrisja atë, me emrin e adhuruar: Mendel...

Shtëpia e vogël dhe e vjetër e Sotir Koçi. ku shkoja qysh kur isha fare i vogël, për shumë motive, më ngjante si një kasafortë thesaresh. Një shpellë e fshehtë, si ajo e Ali Babait apo Edmond Dantes në ishullin Montekristo ku, miku im, bibliofili i pasionuar, kish mbledhur dhjetëra e dhjetëra brilante, xhevahire, diamante e stoli floriri.(Për vite të tëra, që nga fëmijëria e gjer në moshë madhore, Sotir Koçi. ia kish kushtuar jetën mbledhjes së librave të vjetër, kryesisht atyre të botuar para çlirimit. Kish qenë një punë shumë vjeçare gjurmimesh e kërkimesh, në individë a familje të ndryshme. Veçanërisht, në ato që cilësoheshin të deklasuara, por edhe tek disa prej intelektualëve me emër në qytet: mjekë, avokatë të vjetër, mësues pensionistë të cilët kishin pasur mundësi të ruanin diçka nga bibliotekat e tyre të dikurshme).

Me arsim 7-vjeçar e nga një familje tejet e varfër, Sotir Koçi qe shtrënguar të punonte qysh 15 vjeç në fabrikën e çimentos, ku kish marrë edhe profesionin e tornitorit. Edhe pse me një pagë simbolike e me shtrëngesa të mëdha ekonomike, ai hiqte herë pas here nga buka e gojës e, pjesën më të madhe të të ardhurave të tij të pakta, e investonte duke blerë libra të vjetër e të rrallë. Shpesh, për pasionin dhe përkushtimin e tij ekstrem ndaj tyre, shumë njerëz e quanin të metë e shpreheshin me siguri se, ai do të kish patjetër ndonjë dërrasë mangët.

Por, librat, për Sotir Koçin qenë vetë jeta. Ishin gjithçka. Ato qenë lodrat e zbavitjet e moshës fëmijnore e më pas dashuritë, netët pa gjumë, ankthet dhe ëndrrat e adoleshencës. Pra, ishte pikërisht pasioni për librat, si edhe ajo cilësi e tij mahnitëse për ti gjurmuar e adhuruar ato, që na kish lidhur fort qysh në vitet e fëmijërisë me një shoqëri të ngushtë e të pandarë, e cila pastaj do të vazhdonte e tillë, për gjatë gjithë jetës.

...Kështu, pra, sa herë që shkoja në shtëpinë e tij përdhese që ndodhej mes lagjes Llonxhë, aty në rrugën që të çon drejt Qafës së Koçiut, nxitoja hapat plot kërshëri e gëzim. Sepse, siç thashë, aty gjëja një univers tjetër ku etja ime prej gjimnazisti përftonte njohuri e horizonte të reja, ndjenja e emocione të pa provuara kurrë. Sotir Koçi, më tregonte librat e tij të rrallë, duke i nxjerrë ato nga një sënduk i vjetër. I hiqte me kujdes nga veshjet që u  bënte me disa radhë gazetash, për t’i ruajtur nga lagështia. E, teksa i zbulonte, gishtërinjtë  e tij lëviznin mbi kopertinat e tyre me shumë kujdes sikur të ishin qelqe, duke i prekur plot ledhatime e delikatesë. (Bibliofil në gen, Sotiri, qe hiper i ndjeshëm jo vetëm ndaj përmbajtjes së tyre, por edhe ndaj asaj që është tipar i veçantë i një bukinisti të vërtetë: ndaj letrës, lidhjes, tipografisë, kaligrafisë e ilustrimeve).

Pastaj, ai i vendoste librat e tij të shumtë në radhë. Sipas viteve të botimit, numrit të inventarit, gjuhëve, tematikës e gjinive që u përkisnin. Në ato çaste, ndërsa kryente ato veprime, sytë e tij të zgavruar merrnin një ndriçim të veçantë e, balli i tij i lartë e me pak flokë si i Paul Verlen-it, më ngjante njëherësh me bukinistin Mendel e pastaj me bustet e filozofëve të lashtësisë greke. Në thesarin e Simos gjendeshin edicione të rrallë e origjinalë. Ndër to, gazetat Dielli (botuar më 1908 nga Sh. Kolonja), Kombi (botuar në Boston nga Fan S.Noli), Albania e F. Konicës, disa numra të rrallë të Kalendarit Kombiar si edhe pjesë koleksionesh nga revistat më të njohura të viteve '30 si: Minerva, Illyria, Diana, Përpjekja Shqiptare, Dhemokratia etj. që ishin krijuar e drejtuar nga gazetarë të shquar si, Shahin Kolonja, Branko Merxhani, Nebil Cika, Vangjel Koça etj.

Përveç tyre, aty mund të gjëje edhe botime të tjera, duke filluar nga Udhëtimi në More  dhe në Epirin e Veriut të Pukëvilit, histori të ndryshme të Bizantit, Perandorisë Osmane,  Greqisë, Romës antike në frëngjisht, italisht, greqisht, gjermanisht, arabisht e turqisht. Pa  folur pastaj, për fjalorë njëqind e ca vjeçarë, disa nga veprat më të njohura të rilindësve  tanë të botuara në Sofje, Stamboll, Bukuresht e Boston, një biografi  të A.Zogut botuar në  Londër më 1936, albumin me foto Dhjetë vjet mbretni shqiptare, broshura me fjalime të  B.Mussolinit, M.Krujës, L.Skëndos etj.

Natyrisht, në gjithë atë varg librash, broshurash e dokumentesh të rrallë, s'mungonin dhe ato që ne i quanim libra të verdhë. Botime mjaft të kërkuara nga shume të rinj të asaj kohe, të tillë si librat me aventura policeske të Edgar Wallace-s të tipit Kompania e Bretkosave, Rrethi i kuq, Dy të vdekur në qivur, Aventurat e Alen Pinkertonit  apo romane aventurash e sentimentalë si: Ishulli i Thesarit, Tre musketierët, Konti i  Montekristos, Ura e psherëtimave, Zonja me kamelie,  Tristani dhe Izota...

Për bibliotekën klandestine të Sotirit kishin dijeni fare pak njerëz. Ndofta, jo më shumë se dy-tre veta. (Sepse, ndër të tjera, Sigurimi, ndiqte e përgjonte edhe ata që mbanin libra në gjuhë të huaja apo të botuara para çlirimit. Kështu, thuhej se një oficer i lartë i tij në Vlorë, kish krijuar një bibliotekë mjaft të pasur personale me librat e sekuestruara nëpër shtëpitë e shumë viktimave të pafajshme, me pretekstin se ato shërbenin si provë për  veprimtarinë e tyre armiqësore ndaj pushtetit popullor). Në rrethana të tilla, natyrisht, për çdo gjë që shihej e lexohej tek Sotir Koçi. goja duhej mbyllur fort. Ky qe edhe kodi i besës e betimit për këdo që hynte në shtëpinë e tij. Sepse, me ato lloj librash që mbante miku im,  rrezikonte jo vetëm veten, por gjithë familjen …

Më kujtohet ndër të tjera se, aty, kam shfletuar e lexuar për herë të parë disa nga veprat  origjinale e kryesore të at Gjergj Fishtës si: Lahuta e Malcisë, Mrizi i zanave, Anzat e Parnasit, Gomari i Baba Tasit etj, të cilat, për të qenë i sinqertë, nuk arrija t'i ndjeja e t'i shijoja plotësisht, ndofta edhe për shkak të dialektit të fortë gegërisht. Por, ato që më tërhiqnin më shumë e që i lexoja me mjaft kureshtje, ( e që, rrjedhimisht, më linin edhe mbresa të pashlyera ), ishin botimet e klerit katolik shkodran si, për shembull, koleksionet e revistave Leka, Hylli i Dritës, Ora e Maleve e të tjera. Në to, kish studime, analiza e komente të cilat, ndryshe nga shtypi i kohës, ( i cili, në përgjithësi, dallohej për nivel të ulët ), pasqyronin mendime e analiza të thella e mjaft serioze. Ato, veç natyrës së spikatur atdhetare, kishin edhe sens tepër të kultivuar profesional. Ishin të pasura, të larmishme e me mendim të thellë filozofik ...

Kështu, pikërisht në bibliotekën e Bukinistit Mendel, duke shfletuar dhjetëra e dhjetëra  koleksione revistash të zverdhura nga koha, kisha mundur të mësoja diçka nga historiku i kishës katolike. Fakte e të dhëna që s'mund t'i mësoja askund tjetër. Pata mësuar, ndër të tjera se, orgjinë e krishterimit në Shqipëri vinte qysh nga lashtësia. Që apostulli e nxënësi i Jezu Krishtit, Shën-Pali, pat kaluar në Iliri aty rreth vitit 66 për të përhapur Fjalën e Shenjtë të Ungjillit. Se një prej Papëve, Klementi i XI , qe me orgjinë shqiptare, pikërisht nga familja e shquar Albani. Që, libri i parë shqip ish Meshari shkruar nga humanisti katolik, Gjon Buzuku. Se, kuvendi i parë françeskan qe krijuar në Lezhë më 1283, nga vetë Shën-Francesku i Asizit. Që përfaqësuesit e tyre patën qenë jo vetëm përhapës të krishterimit por edhe të kulturës kombëtare shqiptare etj.

( Në seminarin jezuit Collegium Xavieranum në Shkodër, hapur për herë të parë më  1859 qenë formuar gjenerata intelektualësh e figurash të shquara të kulturës kombëtare si, etërit Mëhill Suma, Preng  Doçi, Ndre Mjedja, Zef  Jubani  e  shumë të tjerë, të cilët kishin luftuar e punuar pa pushim për kurorëzimin me sukses të përpjekjeve të popullit për liri e pavarësi. Ndërkohë, shumë ngjarje të shënuara të historisë e kulturës kombëtare, ishin të lidhura ngushtë me emrat e shkrimtarëve dhe humanistëve françeskanë e jezuitë të tillë si: Gjergj Fishta, Vinçenc Prenushi, Ndoc Nikaj, Gjergj Volaj, Lazër Shantoja, Donat Kurti, Bernardin Palaj etj. )

Pikërisht, nëpërmjet leximesh të tilla, pak nga pak, ndjeja se qeshë bërë ithtar i flaktë  i autorëve katolikë. Gjithmonë e më i interesuar për përmbajtjen e librave të tyre. Atëherë,  isha shumë i ri e përpija me etje gjithçka, duke mos u thelluar në shumë gjëra. Qe pikërisht ajo arsyeja, pse fillimisht, i përfshirë nga leximet dhe fantazmagoritë, as që më kish shkuar mendja të pyesja seriozisht vetveten:

Cili kish qenë më tej, fati i tyre? ...
Vallë, ku ndodheshin tani, ata autorë ?...
Cili prej tyre qe ndofta endé gjallë ? ...
Me kalimin e kohës, ato pyetje fillimisht inekzistente, më pas nisën të marrin trajtë dhe, enigma e fatit të autorëve katolikë m'u kthye, vërtet, në fiksasion. Atëherë, kureshtja rreth  tyre u shtua edhe më tepër e, shpesh, pyesja veten: Pse krijimtaria e tyre qe ndërprerë në mënyrë të papritur ? Pse emrat e tyre nuk ziheshin më në gojë ? Pse, në librat e historisë së  letërsisë që bënim në shkollë, për ta nuk shkruhej as edhe një fjalë ? Cili kish qenë fati i tyre në rrjedhën e viteve ?…

Të gjitha këto pyetje mbeteshin pa përgjigje... Një herë, fill pasi kisha mbaruar së lexuari një botim voluminoz të botuar në vitin 1941,  i cili i kushtohej at Gjergj Fishtës me rastin e përvjetorit të parë të vdekjes, pyeta në konfidencë  muzeologun e njohur vlonjat e, njëkohësisht mikun e familjes, Llambi D:

- Jam kureshtar të di... Ku ndodhen?... A  jetojnë?... Ku janë intelektualë të tillë si, Gjergj Volaj, Pal Doda, Bernardin Palaj, Viktor Volaj, Donat Kurti e të tjerë ?
Llambi, më pa i habitur e, pastaj, më pyeti me nxitim e me një ton qortues:
- Ku i ke dëgjuar këto ?... Nga i di ti, këta emra ?
- I kam parë në shumë shkrime e revista të botuara para çlirimit ...
- Dëgjo, djalë! Po të jap një këshillë! Mos folë e mos i zërë në gojë me njeri këta emra. Ata, për të cilët ti pyet, s’ekzistojnë më... Të gjithë, o janë pushkatuar, o ndodhen nëpër burgje të dënuar si bashkëpunëtorë të pushtuesve e armiq të popullit ...
- Si është e mundur ? - pyeta -  Ata  kanë qenë atdhetarë e intelektualë  të shquar. Tek ne janë të rrallë personalitete të tilla...
- Hesht ! - m'u përgjigj shkurt e prerë Llambi D. - Pse kërkon t'i hapësh telashe vetes ? Këto janë muhabete të rrezikshme, gjëra që  më  mirë  të mos i dish.

Nuk fola më tej e nuk pyeta më askënd për atë temë. Tashmë e kisha të qartë. Të flisje  për ata emra qe jo vetëm tabu, por edhe me shumë  rreziqe. Më vonë, gjatë studimeve të mia në Tiranë, nga disa shokë shkodranë, do të arrija të mësoja diçka të përciptë e të mjegullt rreth fatit të ndonjërit prej tyre. Asgjë më tepër. Do të kalonin edhe shumë e  shume vite të tjerë, që të mund të mësoja hollësisht e plotësisht rreth jetës, vuajtjeve e  fundit të tyre  tragjik.
E, për çudi, kjo gjë do të ndodhte jo në Shqipëri, por në një  vend  të  huaj ...

Partager cet article
Repost0

commentaires

E
Nëse injorimi (lënia në hije) i atij brezi shkrimtarësh, publiçistësh dhe krijuesish prej komunistëve mund të justifikohet me absurditetin e rregullave të ideologjisë së tyre, nuk shikoj dot sot, asnjë arsye që të spjegojë absurditetin se përse studiuesit shqiptarë nuk merren me studimin dhe nxjerrjen në dritë të figurave të tilla.
Répondre
S

Edrus,
Problemi eshte se kemi te bejme me po te njejtet studjues, pra me ata qe ishin edhe me pare. Nderkohe, shume te rinj qe marrin persiper te kryejne studime, me se shumti merren me tema dhe analiza
te krijimeve e autoreve te "tregut" te sotem letrar, nderkohe qe harrohen autore, vepra e mendje te ndritura qe koha e shkuar, padrejtesisht, i ka lene ne harrese ...
Faleminderit qe erdhe ne "Amarus"
Simbad