Overblog
Editer l'article Suivre ce blog Administration + Créer mon blog

RUBRIKAT

 

Fichier hébergé par Archive-Host.com Fichier hébergé par Archive-Host.com Fichier hébergé par Archive-Host.com Fichier hébergé par Archive-Host.com Fichier hébergé par Archive-Host.com Fichier hébergé par Archive-Host.com Fichier hébergé par Archive-Host.com Fichier hébergé par Archive-Host.com Fichier hébergé par Archive-Host.com Fichier hébergé par Archive-Host.com Fichier hébergé par Archive-Host.com Fichier hébergé par Archive-Host.com Fichier hébergé par Archive-Host.com Fichier hébergé par Archive-Host.com Fichier hébergé par Archive-Host.com Fichier hébergé par Archive-Host.com


Fichier hébergé par Archive-Host.com 


Fichier hébergé par Archive-Host.com 


Fichier hébergé par Archive-Host.com 


Fichier hébergé par Archive-Host.com


Fichier hébergé par Archive-Host.com

SUPLEMENTE


'AMARUS'

( klikoni mbi imazhet më poshtë )

 

Fichier hébergé par Archive-Host.com

 


Fichier hébergé par Archive-Host.com
 

 


  Fichier hébergé par Archive-Host.com   



Fichier hébergé par Archive-Host.com  



Fichier hébergé par Archive-Host.com  


Fichier hébergé par Archive-Host.com


Fichier hébergé par Archive-Host.com 

 Apartament-me-qera-Vlore.jpg
13 novembre 2007 2 13 /11 /novembre /2007 22:40

 ( Pjesa e dytë )

... Janar 1970.

Njohja nga afër me Ismail Kadarenë, për studentët e vitit të fundit të degës gjuhë - letërsi, në fakultetin filologjik në Tiranë, ishte një rast i këndshëm e krejt i papritur. Për shumë prej nesh, ajo ndodhte në një situatë krejt të veçantë e tepër depresive. Qe koha kur, përvoja, metodat e stili i revolucionit kulturor kinez, krahas fushave të tjera të jetës, po zbatoheshin edhe në strukturën e programet mësimore të shkollës shqiptare.
Pikërisht, në rrethana të tilla, një vit më parë, në programet tona qe futur një lëndë e re: letërsia  kineze. Me futjen e kulturës marksiste aziatike, letërsive të tjera, sidomos asaj  greko-romake e europiane, po u ngushtohej gjithmonë e më tepër vendi. ( Për më keq  akoma, letërsia kineze edhe pse me histori mijëvjeçare e autorë të shquar, në leksionet që na jepnin përfaqësohej vetëm me 36 tekste himnizuese mbi poezitë revolucionare të Mao Ce Dunit, shkruar gjatë Marshimit të Madh ). Ato, i zhvillonte profesori Xuo Huan, ardhur posaçërisht nga universiteti i Pekinit. Si gjithmonë, veshur me uniformën e gjelbër të gardistit të kuq, ai s'lodhej e s'pushonte ditirambet e tij, duke i quajtur poezitë e kryetarit  Mao,  kryeveprat e letërsisë  kineze të të gjitha kohërave.
 ( Më vonë, pikërisht pas pushimeve të janarit, mësuam se kursi i leksioneve të letërsisë kineze qe pezulluar. Për këtë, çuditërisht, s'u dha asnjë shpjegim. Përfundimisht, poezitë e Maos, u lanë në heshtje e për profesorin Huan nuk u fol më. E, teksa ndodheshim në ato ujera, na njoftuan se në program do të futej një tjetër lëndë e re, e cila do zhvillohej në formë seminaresh nga shkrimtari Ismail Kadare. Lënda e re quhej: Letërsi  Moderne )
Ishte për herë të parë, në historinë e fakultetit dhe ne krejt boten letrare shqiptare, që në program futej një lëndë e cila do të trajtonte tema mbi letërsinë moderne botërore. Ndërkohë, profesori i mirëpritur, përveçse idol për shume letrarë te rinj të vendit, kish bërë tashmë emër edhe në letërsinë shqipe.  (Edhe pse, në leksionet e asaj kohe, përgjithësisht flitej shumë më tepër për autorë veteranë si: Dh. Shuteriqi, F. Gjata, Sh. Musaraj, A. Çaçi etj, profesori i letërsisë shqipe, D. Shapllo, na kish dhenë disa leksione rreth romaneve Gjenerali i ushtrisë së vdekur e Dasma )
Letërsi moderne !...
Ai emër, përveçse joshës qe dhe tepër befasues. Në rrethanat e ksenofobisë së tmerrshme se kohës, kur autorë të shquar si Shekspir, Shiler, Hajne, Bërns, Stendal, Mopasan, Zola, Drajzer, Remark etj, qenë hequr nga bibliotekat e tekstet shkollore, qe e pakuptueshme se, me ç'mendim e përse qe vendosur të jepej një lëndë e tillë mbi letërsinë e huaj bashkëkohore në botë.  Qe vërtet diçka e papritur dhe e pashpjegueshme, ndërkohë që, anë e mbanë vendit flakëronte zjarri kundër çdo lloj ndikimi të huaj. Në fakt, siç mësuam më pas, vendimi për zhvillimin e lëndës në fjalë, me sa dukej qe marrë në kuadrin e demaskimit të kulturës, arteve e letërsisë dekadente borgjeze perëndimore. ( Por, për paradoks, mbas atij viti shkollor edhe kursi i leksioneve të letërsisë moderne, u ndalua e u hoq nga  programi ).
Por, le të kthehemi përsëri, tek letërsia moderne botërore.
Natyrisht, për ne, ajo ish krejtësisht e panjohur, gjë që me kalimin e kohës, ( për arsye të mungesës së informacionit  e kontaktit qoftë edhe më të vogël me të ), kish krijuar në mënyrë inkoshiente dhe padashje, idenë idiote të vetë mosegzistencës së saj. Në fakt, përveç letërsisë antike e disa autorëve perëndimorë të realizmit kritik të fundit të shekullit të XIX-të, leksionet tona konsistonin në studimin e shkollës, metodës e autorëve të realizmit socialist stalinisto-sovjetikë e shqiptarë. Ish kjo arsyeja, pse, qysh në fillim, leksionet e Kadaresë shkaktuan në mbarë kursin e vitit të IV-të një choc të vërtetë, shoqëruar edhe me plot emocione, diskutime, pëshpëritje, debate e hamendje nga më të ndryshmet...
Pa dyshim, lënda e re, nuk qe programuar rastësisht e, as për shkak të ndonjë lajthitje. Qëllimi i autoriteteve, dekanatit e vetë katedrës përkatëse ishte që ne, studentët, mbas njohjes me perversitetet e saj, të krijonim një opinion mohues e denigrues ndaj letërsisë dekadente në përgjithësi. Sipas asaj logjike, prezantimi me bishën e keqe do të bënte që urrejtja jonë ndaj saj, të ishte edhe më e pamëshirshme. ( Kjo, veç të tjerash, ishte më se e domosdoshme edhe për vetë rolin  tonë, si mësues të ardhshëm  të letërsisë optimiste revolucionare dhe edukatorë  të brezit  të ri ). 
Por, nga ana tjetër, me sa dukej, askujt nuk i kish shkuar mendja se mund të ndodhte edhe e kundërta. Që, autorët e veprat e letërsisë dekadente, mund  të kultivonin tek ne, në vend të urrejtjes, sentimentin e kersherise e pse jo te simpatisë. Në fakt, ashtu siç ndodhi edhe në të vërtetë, bisha monstruoze do të paraqitej në mënyrë të atillë që, në shumicën nga ne, do linte jo vetëm befasinë e kërshërinë drithëruese të një universi tjetër, por dhe ndjenjat e misterit, magjisë e hijeshisë, shoqëruar me emocionet djersitësh të zbulimit të një bukurosheje të fjetur.
Por, për ketë gjë shpesh kam pyetur veten: Po, pse vallë, profesor i asaj lende të dyshimtë, qe emëruar pikërisht Ismail Kadareja ? Përse jo, ashtu siç mund të mendonin shumë, të mos qe caktuar ndonjë militant i realizmit  socialist ? Pse Kadareja, i cili megjithë lëvdatat, dihej se shihej disi me sy të shtrembër ? Mos nga që, shpesh, kritika e kish cilësuar atë si autor modern ?
Jo, kjo nuk qëndronte fare !
Po, atëherë ?...
Askush  nuk mund  të  jepte përgjigje.
Megjithë pikëpyetjet, të cilat në fund të fundit për ne nuk kishin shumë rendësi, një gjë qe e vërtetë dhe fare e qartë. Vështrimi kritik i letërsisë moderne nga profesor Kadareja qe sipërfaqësor, i përciptë e qesharak. Them kështu, sepse gjatë leksioneve, kohën më të madhe ai ia kushtonte thjesht prezantimit të jetës së autorëve e përmbajtjes së veprave të tyre. E, përveç kësaj, sensi i shpjegimeve të tij ndaj krijimtarisë dekadente, jo vetëm që s'ish negativ, demaskues e me mllefe, por përkundrazi, shoqërohej me ndjenja  simpatie e, disa herë, edhe me mesazhe Ezopi.
Për mendimin tim, nënteksti i pozicionit dhe djallëzisë së Ismail Kadaresë, në atë rast,  edhe pse natyrisht nuk shfaqej hapur, qe ky: Studentë! Përfitoni sa të mundni nga ky rast fatlum dhe mësoni se, në botë ekzistojnë edhe letërsi të tjera, autorë të tjerë, stile e korrente të tjera, krejt të ndryshme nga ajo që keni mësuar gjer tani. Dijeni se, universi i tyre letrar, shpirtëror e filozofik është shumë herë më i madh e më i rëndësishëm, se sa militantizmi i letërsisë së Partisë dhe heronjve klishe të realizmit socialist !... Bota, është shumë herë më e madhe, se sa ajo që shihni për ditë... 
Vërtet, profesori i ri me vështrimin e tij intrigues e ironik që poshtë xhamave të trashë të syzeve të tij me hije, na kish venë nenë hipnozën e leksioneve dekadente!
Ishte atëherë, për herë të parë që dëgjuam gojëhapur të flitej për autorë e vepra të tilla si, Ulissi i James Joycit, Procesi e Metamorfoza të Franz Kafkës, Rinoceronti i Eugene Ionescos, I huaji i Albert Camusë etj. Për herë të parë po dëgjonim diçka, rreth filosofisë së Friedrich Nietzches, psikanalizës së Sigmund Freudit, ekzistencializmit të Jean Paul Sartrit, romanit modern, shkollës së përroit të ndërgjegjes, anti-heroit, anti-romanit, romanit absurd  etj. ( Disa prej nesh, përveç trullosjes së dukshme, provonin brenda vetes dhe provokimin e një ndjenjë të fshehtë marramendëse. Diçka të përafërt me një ngazëllim të brendshëm, përzier me kënaqësinë e zbulimit të një botë tjetër letrare, heronjtë e së cilës ishin armiq te betuar e diametralisht të kundërt me idealet, psikologjinë dhe moralin e personazheve të realizmit socialist ).
Shpesh, profesori, delte nga tema e jepte kalimthi informacione, referenca apo vështrime kritike mbi krijimtarinë e dekadentëve shqiptarë, të atyre që nuk jetonin më, apo që ishin gjallë e qenë arratisur jashtë. Një herë, na foli shkurt, rreth dramës Rrënjët të Ernest Koliqit, e cila s' kish pak kohë që ish botuar në Romë. Subjekti  i saj haluçinant la tek ne, efektin e një cikloni shkatërrues. Ai qe, përafërsisht, ky:
 Një mëngjes, aty nga fundi i viteve '80, pra shumë vite pas prishjes së kishave, xhamive e ndalimit të fesë, banorët e Shkodrës qenë ngritur nga gjumi e kishin përjetuar një fenomen të jashtëzakonshëm. Ata kishin dalë në pragjet e shtëpive e qenë shtangur nga pamja që kishin para syve. Në qytet, kishat, katedralja, këmbanoret e kryqet ishin ringritur përsëri e qëndronin para tyre: të gjalla, ashtu siç kishin qenë shumë e shumë vite më parë...
Ja, pra një tjetër vepër reaksionare e provokuese për Shqipërinë ateiste! ( Koment i profesorit Kadare ). Në fakt, mesazhi i atij informacioni të kumtuar ashtu kalimthi, qe krejt tjetër. Kuptimplotë e tepër  domethënës. Pak a shumë, i tillë:
Feja nuk mund të çrrënjosej kurrë nga zemrat e besimtarëve, pavarësisht nga dhuna e terrori i ushtruar ndaj saj. Prishja e shkatërrimi i kishave e xhamive, nuk ishin veçse veprime anormale e provizore. Pa tjetër, do të vinte një ditë, që ato do të ngriheshin përsëri ... ( Profeci e kumtuar disa vjet më pas dhe prej atit martir françeskan, Pjetër Mashkalla (1901-1987), i cili pat parashikuar se: "Do të jetë vetë rinia, ajo që shpejt a vonë, do t'i ngrejë përsëri në këmbë kishat e kambanoret. Unë jam i bindur se, pikërisht ata që i shkatërruan, do t'i ndërtojnë ato përsëri e me krahët e tyre..." ( Shënim i autorit )

... Viti 1973. 
Në një nga zyrat e gazetës lokale Zëri i Vlorës, një nga redaktorët e saj, hyri i alarmuar e tha:
- E morët vesh ?! Ai, Kadareja, ka botuar një palo libër. Të vjen për të vjellur kur e lexon. Dëgjova që, jo vetëm udhëheqja këtu, por edhe lart, nuk e kanë pritur hiç mirë...
Romani i Ismail Kadaresë, Dimri i vetmisë së madhe, kish dalë në shitje para disa ditësh në të vetmen librari të qytetit e qe mbaruar brenda 30 minutave. Për atë libër, kish kohë që  flitej e, lexuesit e shumtë mezi e kishin pritur. Fillimisht, në shtyp, për romanin nuk u bë asnjë koment. Vetëm pas një muaji, papritmas, në faqen e tretë të gazetës Zëri i Rinisë u botua një letër, e cila  vinte në dyshim vlerat ideore të romanit.
Po, puna, s'u mbyll me aq. Më pas, jo vetëm në atë gazetë, por edhe në të tjera, nisën të botohen mesazhe, prononcime e letra të dërguara nga ushtarakë, kooperativistë, studentë, policë e veteranë, në të cilat romani konsiderohej antisocialist dhe, autori i tij, me ndikime  revizioniste.
Zhurma rreth romanit po merrte përmasa gjithmonë e më të mëdha. Nga fabrika, shkolla, reparte ushtarake, kooperativa, shoqata e organizata të ndryshme, nisën të dërgoheshin drejt KQ të Partisë, letra e telegrame, me anë të të cilëve shprehej  indinjata për romanin e autorin që kish nxirë realitetin socialist. ( Në disa kolektiva ish kërkuar bile edhe arrestimi i Kadaresë ). Ndërsa, në një mbledhje veteranësh në Vlorë, një ish-guerrilas i luftës nacional-çlirimtare, kish deklaruar: Boll me tradhtarin Kadare !... Ai duhet arrestuar në vend. Bile, duhej të qe futur prej kohësh në burg e, unë çuditem e se kuptoj përse, Partia jonë tregohet aq tolerante me një armik të tillë ! 
 Fushata anti-Kadare, e nxitur nga militantët më fanatikë, ish bërë çështje kombëtare e, diskutimi rreth romanit Dimri i vetmisë së madhe, temë e ditës. Një mëngjes, në bufenë e komitetit të Partisë në Vlorë, kryetari i Degës së Punëve të Brendshme H.U. porositi një kafe e pastaj, duke folur me një instruktor të sektorit të edukimit, zhvilloi dialogun e mëposhtëm:
- E lexove romanin e ri të Kadaresë ?  
- S'e kam përfunduar endé. Jam aty nga fillimi...
- Unë e mbarova dhe, mbas leximit, kam reflektuar shumë. Them se, autori i atij romani,  është një element tepër i rrezikshëm. Për ideal të Partisë, po ta kisha këtu para meje, do  t'i kisha hedhur hekurat menjëherë...
 -Tamam ! Ke të drejtë. Ai është një armik - pohoi tjetri. 
     Biseda e mësipërme u zhvillua me tone të lartë e, pas pak, rreth kryetarit të Degës u  grumbulluan edhe katër-pesë instruktorë të tjerë. Ai, u fry edhe më tepër e vazhdoi, por tashmë me zë më të ulët:
-  Më thanë në telefon nga Tirana se, librin, nisi për ta lexuar dhe ministri ynë, por e  la  në mes. Në një mbledhje me kuadrot e Sigurimit, ai kish thënë: Lexova 40 faqe nga romani dhe 40 herë i pështyva përsipër ! 
... Arrestimi i Kadaresë pritej nga dita në ditë.
Disa, ( të cilët, fatkeqësisht, ishin të pakët ) e prisnin këtë me dhembje dhe ndjenjën e një gjëme. Të tjerët, ( të cilët po përsëri, fatkeqësisht, ishin të shumtë ) e prisnin  lajmin me ndjenjë të madhe gëzimi e, ajo çka ish edhe më cinike, si një fitore mbi intelektualët, të cilët, ashtu siç edhe kish theksuar shpesh herë Partia, ishin shtresa më e mundshme për t'u prekur nga ndikimet e huaja ...
    Por, megjithë kërkesat, këmbënguljen dhe presionin e komunistëve militantë nga baza e gjer lart në udhëheqje, kjo gjë s'po ndodhte. Ndërkohë, opinioni publik, edhe pse kishin kaluar rreth tre muaj plot zhurmë e komente rreth romanit e autorit të tij, vazhdonte të priste lajmin e dënimit të shkrimtarit. Debatet e pyetjet, në se Kadareja do të goditej apo  jo, aso kohe u kthyen në një kuriozitet cinik nga më të zakonshmit. Në këtë mes,diçka dukej e pazakontë e ngjallte një ndjenjë të çuditshme habie:
Pse vallë, Partia, kësaj radhe po vonohej për dhënien e dënimit?
Pse hezitonte, ndërkohë që herët e tjera, armiqtë e kishin marrë dënimin direkt e pa mëshirë ?... 
Megjithë padurimin, armiqtë e shumtë të shkrimtarit ngushëlloheshin duke menduar  se, qe më mirë vonë se kurrë. Ata prisnin me ankth fjalën e të Madhit, vendimin e Tij.
Gjatë një vizite të Enver Hoxhës në kombinatin metalurgjik të Elbasanit, ndër të  tjera, atij i qe bërë dhe pyetja e shumëpritur për të cilën ziente gjithë vendi: Shoku Enver, përse ndaj autorit nuk po merren masa, përderisa romani po ndesh me kundërshtim masiv ?. Përgjigjja e Enver Hoxhës ishte inteligjente, finoke, diabolike. Ai kish thënë se e kish  lexuar romanin dhe se qe në dijeni të debateve e shqetësimeve që kish ngjallur në  masat  e gjëra. Por... duhej që të kuptoheshin dy gjera: e para që " shkrimtarët nuk janë si ne". Ata  janë  intelektualë. Idetë e tyre janë konfuze. Ata përdorin metafora. Shkurt, ata fluturojnë  nëpër ré‚ nuk janë të qartë në mendime si ne, komunistët. ( ... ) E, përveç kësaj, ç'do të thoshin vallë sovjetikët, po qe se ne do të marrim  masa kundër autorit ? Do të flasin se, fuqia e tyre është aq e madhe, sa që pavarësisht se libri përmban sulme kundër tyre, ne jemi të detyruar të ndëshkojnë autorin e tij. Ata do thonë: E shihni se sa na duan ne në Shqipëri ? Ja, pse, këtë problem duhet ta shohim më thellë e ta ndreqim në qetësi. ( Ismail Kadare "Dialogues avec Alain Bosquet". Editions Fayard. 1995). 
Për herë të parë në jetën e tij, i plotfuqishmi Enver, ndodhej në siklet e detyrohej të jepte publikisht shpjegime. Për herë të parë, xhelati, qe në mëdyshje e i shtrënguar të mbrojë viktimën, kokën e të cilit e kish para syve, nenë tehun e rendë të karamanjollës ... Përse vallë ?  
Enver Hoxha qe personazhi qendror i romanit. Pra, megjithë rezervat, kritikat e egërsinë e militantëve  për "deformimin" e  realitetit  socialist, libri që portretizonte atë - ( si lider ndërkombëtar të luftës kundër revizionizmit ) - s'mund të ndalohej. Enver Hoxha reflektoi e mendoi se duke vepruar kështu, përfitimi qe më i madh se sa po të ndodhte e kundërta. Bile, më pas, ai do të lejonte që romani të botohej edhe në Perëndim. (Eric Faye "Dans les laboratoires du pire". Editions J. Corti. 1991).
Pas kësaj, situata e frikshme, më sa dukej kish kaluar. Ismail Kadareja i kish shpëtuar për mrekulli ndëshkimit fatal. Tashmë Dimri i vetmisë së madhe, me figurën e Enver Hoxhës në qendër, qe shndërruar në një talisman mbrojtës për të. Por, kjo  gjendje, nuk ish thënë që të zgjaste shumë. Një situatë tjetër e ngjashme do të përsëritej dy vjet më pas.

Viti 1975.
 ... Partia kish zbuluar grupin puçist të Beqir Ballukut me shokë. Në vend kish nisur një tjetër valë spastrimesh. Pikërisht, në një situatë të tillë tejet të frikshme, Ismail Kadareja, kish bërë një gafë tjetër. Lajmin ma dha të freskët korrespodenti i Zërit të Popullit. Ai më  tregoi se, në mbledhjen e fundit të redaksisë qe folur edhe për një poemë të re të tij, e cila sipas informacioneve të ardhura nga KQ, qe cilësuar nga Udhëheqja tepër armiqësore.  
Siç komentohej në rrethe të ngushta të Partisë, Ismail Kadareja, ( gjithmonë provokator, keqdashës e me synime armiqësore ), duke gjetur gjoja sebep nga privilegjet, orgjitë e veprimtaria armiqësore e B. Ballukut, H. Çakos, P. Dumes e gjeneralëve të tjerë, i kish cilësuar ata, e jo vetëm ata, Pashallarë të Kuq. ( Duke stigmatizuar e akuzuar kështu, strukturat e Partisë, Byronë Politike, gjithë komunistët, shtetin e vetë sistemit socialist ). Poema djallëzore, s'kish qenë aspak e vështirë për t'u kuptuar se ku godiste prandaj, lart në Byronë Politike, qe cilësuar thirrje e hapur për kundër-revolucion. Kësisoj, Kadareja, kish bërë mbroçkullën e dytë, e lajmi kish marrë dhenë.
Më 1975, për shkak të poemës sime "Pashallarët  e  kuq", gjithë Shqipëria, bile edhe ata që nuk kishin hapur kurrë në jetën e tyre ndonjë libër letrar, mësuan se shkrimtari më i njohur në vend, kish shkruar një poemë në të cilën bëhej thirrje për "kryengritje të armatosur". ( Ismail Kadare "Dialogues avec Alain Bosquet". Editios Fayard. 1995).

… Viti 1982.
Ndër kënaqësitë e pakta për lexuesin e pasionuar  të asaj kohe ishte edhe shfletimi ditëve të diela, i faqeve të gazetës Drita, sidomos me kureshtjen e leximit të ndonjë lajmi mbi artet, letërsinë e kinemanë e huaj. Pikërisht, një të diel të tillë, mësova se Kadareja qe kritikuar ashpër në plenumin e Lidhjes së Shkrimtarëve e Artistëve të Shqipërisë.
Të nesërmen, për ndonjë hollësi më tepër, nxitova në studion e piktorit S. K, i cili qe edhe anëtar i atij plenumi. S. K, tepër brun, me beretën e tij të zezë, flokë të gjatë e tipare të mprehta, ( ai, gjithmonë, më kujtonte portretin e Çe Guevarës ), me tha prerë:
-  Ai, Ismaili, paska qenë vërtet gomar i madh ! Po i bën varrin vetes me duart e tij ?! E, si mund të shkruhet ashtu, aq hapur, kundër Partisë e pushtetit ?...
-  Përse e ke fjalën ? - e pyeta i habitur, sikur s'dija gjë.
- Për novelën Pallati i Ëndrrave - shtoi ai - Qysh në rreshtat e parë, kuptohet se ngjarjet zhvillohen në Tiranë, e bile në KQ të Partisë...
Pastaj, më tregoi se në plenum, kishin marrë pjesë edhe Nexhmije Hoxha e Ramiz Alia. Kadareja ish kritikuar fillimisht në raportin kryesor. Më pas, gjatë diskutimeve sulmet ndaj tij qenë bërë aq të ashpra, sa që shumëkush kish menduar se ai do arrestohej fill pas mbledhjes. Ismaili kish zënë vend nga fundi i sallës. Rrinte kokë ulur e pafolur. Në fund, e kish marrë fjalën shoku Ramiz, i cili i qe drejtuar me këto fjalë: Dëgjo, Ismail !... Populli e Partia të kanë ngjitur në Olimp, por në se ti nuk u qëndron besnik idealeve të tyre, ata do të hedhin në humnerë !...
- Miku im! Të gjithë, ndofta pa dashje, e kemi shkelur ndonjë çikë, por duhet të jesh mangët nga trutë që të shkruash një libër të tillë ! - përfundoi rrëfimin e tij piktori S. K. 
Vërtet, thashë me vete, qe guxim prej të marri, ai i Kadaresë !
 Një guxim që mund t'i kushtonte kokën. Paralelizmat e ngjashmëritë midis atmosferës, ideve e personazheve të novelës Pallati i Ëndrrave edhe realitetit në Shqipëri, ishin përshkruar aq hapur sa që edhe një budalla e kish të qartë përse bëhej aluzion.
( "Pallati i ëndrrave" qe historia paralele e dy diktaturave ose, më saktë e dy tiranive shpirtërore. Një Babel milingonash njerëzore, ku çdokush duhej të kish vendin e tij të punës, me shpresën se një ditë do të mund të merrte një shpërblim për të përmirësuar disi kushtet e tij të momentit. Ish historia e një vendi ( ... ) ku lumturia e utopia nuk ekzistonin veçse në regjistra, në kuadrin e ligjeve të një burokracie ekstreme... (Eric Faye "Dans les laboratoires du pire". Editions J. Corti. 1991).
Por, talismani mbrojtës i Kadaresë, s'e kish humbur endé fuqinë. Me sa dukej, edhe asaj radhe, kish qenë vetë Enver Hoxha i cili kish ndërprerë fushatën e egër ndaj tij. Përse ?... Shumëkush, mendonte se persekutimi dhe burgosja e shkrimtarit, s'do të shkaktonte asnjë telash, por diktatori e kuptonte se ajo gjë nuk qe edhe aq e thjeshtë. Kadareja, tashmë, s'ishte më shkrimtari modest i viteve '60. Veprat e tij qenë botuar në Francë e në shumë vende të tjera. Rrjedhimisht, ishte e sigurtë që, burgosja e tij do shkaktonte jehonë të fortë kundërshtuese, në Europë e më tej. Nga ana tjetër, s'duhej harruar se ai qe autori i Dimrit të madh e, diktatori, s'do të donte që ai i cili kish venë në qendër të librit pikërisht figurën e tij, të cilësohej armik, gjë që detyrimisht do pasohej edhe me zhdukjen e vetë romanit...
... Pa dyshim, këto kujtime e refleksione rreth Kadaresë, në ato kohë të shkuara e tashmë të largëta, por jo të harruara, nuk janë veçse një skicë e zbehtë e  ngjarjeve që kanë të bëjnë me personalitetin e tij. Një vështrim i pjesshëm i  fenomenit kompleks Kadare. Fenomen, i cili do të mund të shtjellohet plotësisht, nëpërmjet studimesh të thella e të shumta, nga specialistë e njerëz më kompetentë se sa autori i këtyre radhëve. Por, megjithatë, për ta mbyllur këtë kapitull, le të themi edhe dy fjalë të fundit.
 Vërtet, Kadareja, s'arriti të bëhej një veprimtar politik i kalibrit të Vaclav Havelit, por mund të themi me bindje se me veprën se tij, ai u bë lider intelektual i kundërshtimit të heshtur ndaj regjimit stalinist. Kësisoj, ai mund të cilësohet një disident ( gjithmonë në thonjëza ) krejtësisht orgjinal , i cili, sipas shprehjes popullore, nuk i ra murrit me kokë e preferoi të mos kalbej burgjeve duke mbajtur mbi supe Peshën e Kryqit, me të vetmin objektiv: mbajtjen gjallë të shpirtit të një populli, i cili rrezikonte të tjetërsohej në mënyrë tragjike e krejtësisht të pa riparueshme.
Aktualisht, kushdo qofshin qëndrimet apo konsideratat ndaj pozicionit, krijimtarisë e personalitetit të Kadaresë, mendoj se një gjë është absolutisht e pakontestueshme. Fakti që, ai është jo vetëm krijuesi, lëvruesi e figura dominuese e letërsisë moderne shqiptare por, ajo që është edhe më e rëndësishme: Shkruesi i Madh i vlerave, shpirtit e historisë së popullit tonë. E, s'duhet harruar se, kjo, është mjaft e rëndësishme jo vetëm për kulturën, por edhe për vetë ekzistencën e një kombi. Për vërtetësinë e këtij mendimi, mjafton të citojmë një gjykim të Vaclav Havelit, i cili ndër të tjera, thotë: 
Sado kontradiktore qofshin interesat e një shkrimtari të vërtetë, qoftë kur ai shkruan  për dashurinë, xhelozinë, ligësinë njerëzore, natyrën, fëmijërinë e tij, për Zotin apo skizofreninë, qoftë kur ai bën punën e filozofit apo të psikologut, kur ai u përmbahet  fakteve a flet me alegori, kur u përkushtohet projekteve estetike më ekstravagante - pra, në  çdo rrethanë  nga këto që citova më lart - ka diçka që një shkrimtar i vërtetë nuk mund  ta evitojë kurrë: Shkrimin e Historisë. Sfondin e saj shoqëror, epokën e tij, përfshirë edhe politikën. Rrjedhimisht, shpejt a vonë, ne zbulojmë  faktin që, një vepër e madhe letrare,  transmeton në mënyrë indirekte, komplekse e bile edhe të fshehtë, elementë të cilët i  përkasin historisë, kulturës, qytetërimit apo gjendjes shoqërore e shpirtëror të bashkësisë  njerëzore ... (V. Havel – nga  parathenja  e botimit në frëngjisht të librit " Démon  et  consentement " të Dominique Tataraka. 1986 ).
Prej këtij konstatimi ideal e brilant, të krijohet përshtypja sikur, Vaclav Haveli, i ka shkruar këto fjalë për të përcaktuar ndër të tjera edhe vendin, rolin dhe mesazhin e rëndësishëm të Veprës së Kadaresë. Fjalë, të cilat, për nderin e krejt shqiptarëve pa dallim, shkrimtari ynë i madh i meriton plotësisht ...

Vasil QESARI
Bordeaux – octobre 2000

Partager cet article
Repost0

commentaires