Overblog
Suivre ce blog Administration + Créer mon blog

RUBRIKAT

 

Fichier hébergé par Archive-Host.com Fichier hébergé par Archive-Host.com Fichier hébergé par Archive-Host.com Fichier hébergé par Archive-Host.com Fichier hébergé par Archive-Host.com Fichier hébergé par Archive-Host.com Fichier hébergé par Archive-Host.com Fichier hébergé par Archive-Host.com Fichier hébergé par Archive-Host.com Fichier hébergé par Archive-Host.com Fichier hébergé par Archive-Host.com Fichier hébergé par Archive-Host.com Fichier hébergé par Archive-Host.com Fichier hébergé par Archive-Host.com Fichier hébergé par Archive-Host.com Fichier hébergé par Archive-Host.com


Fichier hébergé par Archive-Host.com 


Fichier hébergé par Archive-Host.com 


Fichier hébergé par Archive-Host.com 


Fichier hébergé par Archive-Host.com


Fichier hébergé par Archive-Host.com

SUPLEMENTE


'AMARUS'

( klikoni mbi imazhet më poshtë )

 

Fichier hébergé par Archive-Host.com

 


Fichier hébergé par Archive-Host.com
 

 


  Fichier hébergé par Archive-Host.com   



Fichier hébergé par Archive-Host.com  



Fichier hébergé par Archive-Host.com  


Fichier hébergé par Archive-Host.com


Fichier hébergé par Archive-Host.com 

 Apartament-me-qera-Vlore.jpg
17 janvier 2009 6 17 /01 /janvier /2009 14:35

Baudelaire-simbadi-com.jpg

 La Madonne ( Edvard Munch – 1895)

 

NË HEMISFERËN E FLOKËVE TË TU...


... Lermë t'u marr erë, të thith thellë, pafundësisht, aromën e flokëve të tu, të zhys në to krejt fytyrën si në ujët e një burimi të kristalte e, pastaj, me gishtat e mi t'i shushpuris ato si një shami erëmirë që shpërndan kujtime të ëmbla në eter. Ah, sikur ti të mund të imagjinoje gjith'ato që unë shoh, gjith'ato që ndjej, gjith'ato që dëgjoj në flokët e tu! Shpirti im lundron mbi parfume si shpirti i të tjerëve në muzikë... I zhytur mes flokëve të tu, shoh një ëndërr plot anije, vela e direke të cilët musonet i shtyjnë drejt klimash të mrekullueshme, mes detrash pafund, aty ku qielli është tepër blu e deti shumë i thellë, aty ku thithet ajër i parfumuar nga aroma e frutave, barit e lëkurës njerëzore. Ja, në oqeanin e flokëve të tu shoh një port plot dallgë këngësh melankolike, me njerëz të fortë racash të ndryshme e plot anije lloj-llojesh të cilat lartojnë arkitekturat e tyre të përkryera nenë një qiell të pafund ku prehët një ngrohtësi e përjetshme. Duke ledhatuar flokët e tu, ndjej ofshamat e lëngatat e dikurshme, të përjetuara shtirë mbi një divan, në dhomëzën e një anije të bukur përkundur nga valët e lehta të molos; aty mes vazo lulesh e amforash freskuese. Mes vatrës së zjarrtë të flokëve të tu, tani thith aromë duhani ekzotik përzier me opium e kallam sheqeri e, ndërkohë, në natën e flokëve të tu, më shfaqet shkëlqimi i pafund i kaltërsive tropikale; mbi brigjet e kadifenjta të flokëve të tu mbushem plot aroma ku ndjej përzier bashkë: bitum, myshk e vaj kokoje. Ah, lermë të kafshoj flokët e tu ! Kur fus gojën mes masës së tyre elastike e rebele, më duket se shijoj kujtimet më të ëmbla!...

Shqipëruar nga Vasil Qesari

Nga poemat në prozë "Le Spleen de Paris"

Partager cet article
Repost0
22 novembre 2007 4 22 /11 /novembre /2007 21:56
 Foto e botimit të parë të vellimit poetik ' Lulet e së Keqes'

 
Nga Vasil QESARI

( Ekzemplari i vetëm i "Lulet e së keqes" u shit në ankand për tre milion franga. Gjatë gjithë jetës së tij, poeti pati vështirësi të mëdha ekonomike. Ai vdiq më 1867, i krimbur në borxhe)

... ‘Unë jam i bindur se do të vijë një ditë kur çdo gjë që kam shkruar do shitet shtrenjtë’, kështu i shkruante Sharl Bodler (Charles Baudelaire) së ëmës më 11 tetor 1860. Dhe koha i dha të drejtë. Ekzemplari i parë i veprës së tij të shquar poetike ‘Lulet e së keqes’ ( Les fleurs du mal ), i pajisur me korrigjimet manuskripte të bëra nga vete dora e poetit, u shit 3 milion franga, në ankandin e zhvilluar në Druo-Montenj. Një shumë kjo që poeti as që mund ta kish imagjinuar, sa qe i gjallë.

 ‘Lulet e së keqes’ botuar më 11 qershor 1857, në një numër prej 1300 ekzemplaresh, kishte një  çmim prej 3 frangash dhe u  pezullua  menjëherë nga shitja për ‘fyerje të rendë të traditës dhe moralit publik’. Për ketë arsye, në 20 gusht të po atij viti, Bodleri u dënua me një gjobe prej 300 frangash si edhe ndalimin e botimit të gjashtë poezive. Kjo, ishte një tjetër goditje e rendë për të, ndërkohë që kish borxhe të shumta nga të katër anët...

 Për të shlyer borxhin, Bodleri kërkoi ndihmën e miqve të tij, por të gjithë iu larguan. I bëri kërkesë Fondit të Shkencave e Letërsisë si edhe Ministrisë se Arsimit, për të ndërhyrë në lehtësimin e gjobës së rendë. I shkroi gjithashtu edhe gruas së Perandorit, për të pasur të paktën një reduktim të mundshëm të dënimit, gjë që Ministria e Drejtësisë ja aprovoi duke ja ulur shumën në 50 franga.

Megjithatë gjendja financiare e Bodlerit s’pati ndryshime. Nga kjo, ai ra në dëshpërim të plotë, situatë kjo e cila pasqyrohet edhe në frymën e krijimtarisë së asaj periudhe. Botimet që bënte nuk i sillnin pothuajse asgjë, për ‘gëzimin e jetës dhe zbavitjeve’. "Ç’fat i vuajtur dhe i trishtuar është ky i një gjeniu të krimbur në një milion borxhe" - i shkruante ai poetit Samuel Cramer.

Mbas vdekjes të të atit, poeti kish qenë fare pranë pasurimit, pikërisht atëherë kur sapo kish mbushur moshën 6 vjeç. Kur arriti moshën madhore, ai kërkoi vlerën e trashëgimisë të lenë prej tij, e cila kapte shumën e 100 milion frangave, një shumë vërtet mjaft e madhe kjo për kohën. Por, duke e njohur mirë tipin e Bodlerit si prishës te madh, e ëma dhe njerku, ushtaraku Opik, ndërhynë vazhdimisht në mënyrë që trashëgimia e tij të vihej në tutelë ...

 Dhe djaloshi Bodler nisi te merrte borxhe sa andej-këndej. Ai e dinte qe ishte i pasur dhe harxhonte pa hesap me miqtë  e tij te shumte, midis të cilëve dhe fotografi Nadar i cili thoshte shpesh se: ‘Bodleri jeton sipas parimit të Ravensvudit: prish sa je gjallë!’. Kjo, nga që ai bënte një jetë, me harxhime jashtë mundësive të tij. Bile, edhe atëherë kur e kuptoi se xhepat i kish fare bosh, s’hoqi  dorë nga lukset e festat. I priste kostumet te mjeshtrit më të mirë, frekuentonte kafetë e modës e hante në restorantet më me emër në Paris. Por trashëgimia e tij, kishte një limit. E, një ditë prej ditësh, ai u gjend më i varfër se më të varfrit e Parisit.

 Dhe, kur më pas, për pak sa s'i dhanë dekoratën e lartë “Legjion i Nderit”, ishte ai që shpërtheu me fjalët: ’...Në vend të dekoratës, më mirë të më jepnin para, vetëm para, asgjë veç para. Në se dekorata vlen pesëqind franga, unë kënaqem edhe po të më japin njëzetë ...’. Kjo gjendje, bashkë me gjeninë e poetit profet duket edhe në ketë varg të poezisë së tij ‘Thërrmijat’ ku, ndër të tjera, ai thotë: "Unë mbrujta balten dhe me të bëra flori!..."

Partager cet article
Repost0
16 novembre 2007 5 16 /11 /novembre /2007 22:52

 


Gustave Courbet - 'Portret i Charles Baudelaire'
 

Charles Baudelaire
'Spleen de Paris'
(‘Poezi të vogla në prozë’)


DEHUNI !


Gjithçka ka një zgjidhje, e cila është fare e thjeshtë: duhet të jeni gjithmonë të dehur, për të mos ndjerë zgjedhën e rendë të kohës e cila ju dërmon shpatullat e ju përul mizorisht për tokë. Duhet të pini e të deheni pa pushim! Po me çfarë? Me verë, poezi a vyrtute, sipas shijes suaj. S'ka rendësi me ç'farë, vetëm të dehur të jeni ! E në se, nganjëherë, do të zgjoheni plasur në shkallet e një pallati, mbi barin e gjelbër të një varri e pija do t'i u ketë dalë, i kërkoni erës, valës së detit, zogjve, orës së pazarit, gjithçkaje që ecën, që ikën, që këndon, që flet. Pyeteni sa vajti ora. Dhe era, vala, ylli, zogu, ora do ju përgjigjen: është sahati të bëheni përsëri tapë. Që të mos ta ndjeni veten skllevër, martirë të kohës, dehuni, dehuni pa pushim me verë, me poezi, me vyrtute, sipas dëshirës ... 


  - shqipëroi Simbad Detari -

Partager cet article
Repost0
10 novembre 2007 6 10 /11 /novembre /2007 22:53
CORRESPONDANCES 

 
( Përqasje ) 



Natyra është një tempull ku shtylla të gjalla
 Pëshpërisin shpesh fjalë që s’merren vesh; 
Njeriu kalon mes saj e përshkon pyje simbolesh 
Që të vështrojnë sikur të njohin prej vjetësh 

Si jehona të gjata që vijnë përzishëm nga larg, 
Nga një e errët dhe e pakufishme gjithësi, 
E pafund si nata e si drita qiellore vetë 
Ajo përcjell ngado ngjyra, parfume e melodi. 

Erëra të mira si aromat e trupit të foshnjës 
Të embëla si tingujt e oboes, të gjelbra si livadhe
 - e të tjera aroma të forta, të vyera e ngadhënjimtare, 
që kanë fuqi të pushtojnë qiej e gjithësi pafund, 

Aroma parafine, myshku, rezine e temjani, 
që shpirtit e ndjenjave u kendojnë ode e lavde ...
 

( Spleen et Idéal - IV )



(* Kjo sonetë, e cilësuar si një nga më të përkryerat e Charles Baudelaire është, ndofta, ndër më të komentuarat mes poezive të tij të njohura. Autorët simbolistë kanë nxjerrë prej saj esencën e bazat estetike të shkollës së tyre. Prej saj u frymëzua edhe Arthur Rembaud, i cili shkroi më pas, “Sonnet des Voyelles“ ( Sonetë e Zanoreve ) e, po ashtu prej filosofisë së saj, poezia moderne shfaqi e manifestoi tiparet e kuptimin e saj të thellë. Eshtë interesant të vemë në dukje një fakt tjetër të çuditshëm. Ngjajshmërinë mes kësaj poezie e, një tjetre që mban po të njejtin titull e që është shkruar nga okultisti Eliphas Lévi ku, ndër të tjera ka tri vargje ku thuhet:“Cdo ide pjell një figurë – Dhe çdo formë është një imazh – E padukshmja është brenda së dukëshmes“)

 
 SHKATERRIMI
 
Përherë pranë meje vallen hedh Demoni qe endet
përreth e me përkëdhel  si ajri qe lehtas drithëron.
E unë marr fryme e ndjej  mushkëritë te me djegin
mbushur me një dëshire pa fund e ndjenje faji bashke...
Shpesh ndodh qe ai, duke njohur te madhen time
dashuri qe kam për Artin, merr formën e një gruaje
epshndjellëse e, nene pretekstin e trishtimit tim
me shtin qe buzët te me bëhen filtra te mallkuara.
Kështu ai me largon gjithmonë me shume nga Zoti,
e, mes grahmash, te thyer nga lodhja, me shpie
mes fushash mërzitje, pa fund e plot shkreti...
Ai hedh ne sytë e mi vibrues e plot konfuzion
rrobe te ndotura, te pista si plage te hapura e,
bashke me to, Aparatin e Përgjakur te Shkatërrimit…
 
  
 


PENDESE PAS VDEKJES

( Remords Posthume )
 
 
Ndërkohë që ti do të flesh, o e bukura ime e zymtë
Përjetësisht, gjumin tend në një varr mermeri të zi,
Në një varr që s’do ketë salltanete, buste e relieve
Në një varr të vockël, një gropë e qilar plot lagështi ...
Pllaka e tij e rende do shtypë sisat e tua të ndrojtura
E kofshët e tua të buta e të ngathëta renë në limonti,
Dhe zemren tende pa rrahje, pa jetë e dashuri ...
E do pengojë që kembët e tua të gjata e të shpejta
Të rendin pa lodhje drejt epshesh e lojnash aventure.
Në netet e mia të gjata pa gjumë dhe syrgjynosur
Sekretin tend varri yt në fshehtesi do m’a tregojë
( Sepse vetem varri i kupton tamam poetet )
Pyetjes që ai të pat bërë: 
- E ç’kuptim ka, moj kurtizankë
Qe s’dite kush derdhi lot mbi varrin tend ?
Dhe krimbat mishin tend do hanë pak e nga pak
Si një brerje e pa fund ndergjegjje ...

Shqiperoi Simbad Detari
Partager cet article
Repost0
10 novembre 2007 6 10 /11 /novembre /2007 22:30



GriSHjE PëR uDTiM

 
Bija ime, motra ime
Oh sa bukur është,
Atje ku do të shkojmë
Të jetojmë në të dy:
Aty ku për qejfin
Tonë do udhëtojmë.
 
 Për t'u dashur si askush,
Për t'u dashur e për të vdekur
Në atë vend që ngjan me ty !
 
Aty ku diejt e lagur
Të qiejve të trazuar,
Kanë për shpirtin tim,
Magjinë misterioze
Të syve të tu tradhtarë
Që mes lotësh ndrisin.
 
Aty ku do vemi ne të dy
Ka përsosmëri e bukuri,
Luks, epsh e qetësi.

 
Dhoma jonë aty
Do jetë stolisur,
Me mobilje luksi,
Lëmuar nga vitet.
 Lulet më të rralla
Do bëhen tufa-tufa
Në aroma rezinë.
 
Tavanet plot ar
Pasqyrat të thella,
Shkëlqimi oriental,
Gjithçka aty do flasë
Në thellësi të shpirtit,
Me gjuhën e lindjes.
 
Atje ku do vemi ne të dy
Ka përsosmëri e bukuri,
Luks, epsh e qetësi.
 
Pa shiko kanalet plot ujë
Ku përgjumen ato barka
Me syrin e tyre endacak;
Ato vijnë nga anë e anës
Dëshirat e tua të kënaqin.
 
Diejt që japin shpirt
Prarojnë fushat,
Kanalet, gjithë qytetin
Plot tulipanë, lila e ar.
 
Është një botë që përgjumet,
Pështjellë me dritëz të vakët.
 
Atje ku do vemi ne të dy
Ka përsosmëri e bukuri
Luks, epsh e qetësi.
 

 

 

  
 



SPLEEN
 
Kam aq kujtime sikur kam jetuar njëmijë vjet.
Një dollap i madh me sirtarët mbushur plot,
Vargje, pusulla dashurie, romanca e padira,
Kuitanca bërë rrotuj lidhur me flokë dashurie
Fsheh më pak sekrete se truri im i trishtuar,
Që ngjan si piramidë, qilar relikesh të pafund
Ku brenda tij ka shumë më tepër të vdekur
Se një gropë llahtari kufomash mbushur plot ...
...................................................
 
(Les fleurs du mal)
LXXXIX


Shqiperoi Simbad Detari
Partager cet article
Repost0
10 novembre 2007 6 10 /11 /novembre /2007 22:21



 SHARL BODLER  - POETI I ‘MALLEKUAR’ ...  


 
Nga Vasil QESARI

( Shënime rreth jetës dhe veprës së poetit të shquar francez i cili, me përmbledhjen e tij poetike ‘Lulet e se Keqes’ ( Les Fleurs du Mal ), i hapi udhën modernizmit në poezi )
 
 
... I konsideruar si i fundmi i romantikeve dhe i pari i moderneve, Sharl Bodler, mbahet si më i madhi ndër poetët francezë. Pothuajse i injoruar nga bashkëkohesit, i dënuar, i dërmuar nga jeta, alkoli dhe droga, ai pat një fund jetë të përdellyer duke vdekur në moshen 46 vjeç, i paralizuar dhe me gojën të humbur. Në të gjallë, ai nuk pat botuar veç një përmbledhje poezish. Atë me titull "Les Fleurs du Mal" ( Lulet e së Keqes ). Akademiku francez, Jean d’Ormesson ka thënë për të:" Bodler nuk ishte vetëm poeti i epshit dhe voluptetit, i ankthit, trullosjes dhe vdekjes. Ai ishte gjithashtu kritik me një inteligjence të mrekullueshme. Në një epokë kur gjenia e Wagner -it ishte e panjohur, ai e zbuloi dhe lavdëroi veprën e tij. Po ashtu, ishte ai që adhuroi e mbrojti disa piktore të cilëve u përkiste e ardhmja, të tille si : Delacroix, Courbet, Manet dhe Cézanne". Me veprën e tij, Charles Baudelaire krijoi principet bazë të poezisë moderne, simbolizmit e surealizmit. Gjatë jetës dhe pasionit të tij për të Bukuren, ai ish vazhdimisht i ndarë në dysh, mes ekstazës dhe tmerrit të jetës dhe të vetë ekzistencës njerëzore ...


Vepra:

 
- Salloni (1846 -1859)
- Ditari intim (1851-1862)
- Parajsat artificiale (1860)
- Kërshëri estetike  (1868)
- Arti romantik (1869)
- Lulet e së Keqes (1857, 101 poezi -1861, 127 poezi )
- Spleen i Parisit (1869 )

 
Jeta e Sharl Bodler
 


Sharl Bodler ( Charles Baudelaire ) lindi në Paris më 9 prill 1821. Ai s' ishte veç shtatë vjeç kur e ëma e tij e ve u rimartua me gjeneralin Aupick, një lidhje kjo të cilën ai s'do ta pranonte kurrë. Gjatë gjithë jetës. I vendosur fillimisht në një pension në Lion, Bodler studioi më pas në liceun ‘Louis le Grand’ në Paris ku, mbi të gjitha u ‘shqua’ për mungesën e disiplinës e, për pasojë, u përjashtua prej tij, në prill 1839. Megjithatë, ai e mori ‘diplomën e maturës’ e pas kësaj, nisi të endet nëpër Paris, duke bërë një jete prej ‘bohemi’, gjë e cila zgjati gjer më 1841, datë kur njerku i tij i shqetësuar për të si edhe për t'u dhënë fund aventurave e hipi me forcë në anijen "Paquebot des Mers du Sud", për ta çuar sa me larg e pikërisht në Indë. ( Indes ).Por, kjo dëshirë e njerkut s'u realizua sepse Bodler, gjatë rrugës, zbriti në ishullin Bourbon ( la Réunion ) i cili do linte gjurmë të thella në boten e tij rinore e, në mënyre të veçantë, në përfytyrimet e tij ekzotike - temë kjo mjaft e dëshiruar dhe e lëvruar prej tij, në shkrimet e mëvonshme.

Kur u kthye prej atij udhëtimi, Bodler, do të binte me vete në Paris edhe poezitë e para të vëllimit të tij të parë ‘Lulet e se Keqes’ e mes tyre edhe një të titulluar  ‘Një zonje kreole’ ( À une dame créole ). Kjo poezi kishte një histori. Pak para kthimit të tij në Paris më 1842, Bodler u njoh me kreolen e bukur Jeanne Duval e cila u bë ‘Venusi i zi’ ( Vénus noire ) i veprës së tij poetike, mishërimi i gruas ekzotike, sensuale e të ‘rrezikshme’, të cilën ai e dashuroi për shumë kohë, edhe pse marrëdhëniet mes tyre ishin vazhdimisht plot ‘stuhi’ e dhembje. Por, kjo dashuri, në fakt, s'e pengoi atë të lidhej edhe femra të tjera. E, pikërisht me Marie Daubrun më 1847 dhe zonjën Sabatier më 1852. Me këtë të fundit, Bodler  përjetoi ndjenja vërtet të jashtëzakonshme të cilat, atë grua, do ta kthenin në një ‘figure qendrore  shpirtërore’, e që do të ishte, në të njëjtën kohë edhe  ‘Muza e Madona’ e vëllimit poetik ‘Lulet e së keqes’ ( Les fleurs du Mal ) ... 

Me kalimin e moshës, poeti i ri, kërkoi që të gëzonte trashëgiminë e atit të tij të vdekur e, me të fituar pjekurinë për ketë punë - më 1842 -  mori një shumë të mirë të hollash e nisi të bëjë një jetë prej ‘dandy’, duke frekuentuar hotele, restorante e bare të kushtueshme e duke mos mbaruar së bleri plot sqimë, veshje elegante për gardërobën e tij të hijshme. E, jo vetëm aq, por edhe të blejë vepra të kushtueshme arti e të nisë përdorimin e alkoolit dhe opiumit, pra të asaj që më vonë ai do ta quante ‘parajsë artificiale’. Kjo mënyrë jetese, natyrisht do të kish edhe një fund. Trashëgimia po fironte. Për të shmangur katastrofën e plotë, njerku dhe e ëma, bënë atë që ata mezi prisnin: pra e vendosen nënë tutelë gjyqësore; gjë e cila do të thoshte se pas kësaj, djaloshi dorëlëshuar s’do të mundte të bënte harxhime pa hesap, por do të jetonte e dëfrente duke punuar vetë.

Dhe ishte pikërisht nevoja për të holla e cila e shtyu Bodlerin të shkruante nëpër gazeta, me qellim për të shëndoshur deri diku ekonominë e tij ‘delikate’. Shkrimet e tij të para, ishin të natyrës ‘kritikë arti’  (rreth paraqitjeve në pikturë: Salloni i 1845, Salloni i 1846, Salloni i 1859), shënime të cilat ai i botoi në revista të ndryshme nënë emrin Baudelaire - Dufaÿs. Po ashtu, gjatë kësaj periudhe, ai nisi të botojë aty - këtu, disa poezi të cilat më pas do bënin pjesë ne ‘Lulet e së Keqes’, sprova të ndryshme letrare e estetike si edhe novelën ‘Fanfarlo’ (1847). Më 1848, ai nisi përkthimin e veprës së plotë të autorit amerikan Edgar Allan Poe, tek i cili Bodleri shihte ‘vetveten’  ( Edgar Poe - jeta dhe veprat ).
 
Në vazhdim, ai nxori në dritë edhe krijime të tjera si: ‘Tregime të jashtëzakonshme’  (1854), ‘Histori të jashtëzakonshme’ (1856), ‘Histori të reja të jashtëzakonshme’ (1857), ‘Aventurat e Arthur Gordon Pym’ (1858), si edhe përfundon përkthimin e ‘Histori groteske dhe serioze"  (1865). Në qershor të vitit 1857, Bodler nxori tek miku i tij botues Poulet-Malassis, vëllimin me poezi ‘Lulet e së Keqes’, e cila përmblidhte poema të botuara e të pabotuara. Por, dy muaj më pas, ai thirret në një proces gjyqësor, pikërisht për ketë botim i akuzuar për ‘fyerje të rende të moralit publik e zakoneve shoqërore’ ( po atë vit, të njëjtin fat pat njohur edhe romani ‘Madame Bovary’ i Flaubert, por autori i tij ja kish dalë mbanë në saje të mbrojtjes së një avokati të njohur ). Bodleri s'e pati një të tillë fat dhe u dënua me gjobë të rende dhe u shtrëngua të heqë prej vëllimit gjashtë poezi, të cilat u cilësuan si të ‘turpshme’ për lexuesin ...

Pas ngjarjes në fjalë, e cila u cilësua si skandali i poezive të ‘Fleurs du mal’, Bodleri i krimbur në borxhe, vazhdoi të përpiqet për të nxjerrë ndonjë fitim në të holla, duke vazhduar të botojë tekste kritike dhe përkthime nga Poe, të cilave ju shtuan më pas poezitë në prozë të cilat do mblidheshin e do botoheshin pas vdekjes së tij, nënë titullin ‘Poema të shkurtra në prozë’ apo ndryshe ‘Spleen de Paris’ (1869) e që përmbanin proza të vërteta poetike, sensuale, me një tingëllim të mahnitshëm ‘muzikor’. Por duhet thëne se, ‘Poezitë  në prozë’, për kohën, ishin një fenomen dhe një gjini krejt e re. Në pranverën e vitit 1866, gjatë një udhëtimi në Belgjike, ku kishte shkuar për të mbajtur një cikël konferencash, Bodler u sëmur. Pasojat e saj qenë të renda. Ra në paralizë dhe, për më keq akoma, iu bllokua edhe të folurit. Pas kësaj, poetin në atë gjendje që ish e kthyen ne Paris, ku edhe vdiq pak më vonë, në 31 gusht 1867. 

Sharl Bodler la pas, përmbledhjen ‘Les Fleurs du Mal’, e cila është vepra më e shquar poetike e tij e një nga më të shquarat e poezisë franceze. Në versionet e saj të para, ajo përbëhej nga gjashtë pjesë: ‘Spleen dhe Ideal’, ‘Tablo pariziene’, ‘Vera’, ‘Lulet e së Keqes’, ‘Revolte’ dhe ‘Vdekja’ - të cilat përbejnë në vetvete edhe sintezën mes shkollës romantike të kohës dhe ‘formalizmit’ (kërkimit të mjeshtërisë për perfeksionimin e formës).

Modernizmi në 'Lulet e së Keqes'

Titulli i ‘Lulet e së Keqes’, paraqet një estetike të re ‘moderne’ ku, e bukura, sublimja (që simbolizohet nga termi ‘lule’), mund të provokojë në saje të gjuhës poetike, realitete banale të natyrës dhe sensualitetit të ‘mishit’, të ‘mëkatit’ (që simbolizohet nga e Keqja). Dhe, me këtë lloj ‘materie’, mund të nxitësh frymëzim, të bashkosh punën e imtë mbi gjuhën poetike ( përdorimin e formave tradicionale si soneti dhe vargjet klasike si, bie fjala, aleksandrini ) Ishte, pikërisht duke vepruar kështu që, Bodleri arriti të ‘revolucionarizoje’ universin estetik duke marre jo vetëm spunto nga tradita, (sipas së cilës vepra e artit duhej të ishte e hijshme e me subjekte fisnike ), por mbi të gjitha duke realizuar sintezën mes dy zgjedhjesh estetike, gjer atëherë të pakonceptueshme për t’u kryqëzuar në mënyrë të tillë, pra: duke gërshetuar lirizmin romantik me një forme sa me të përkryer.

Tematika e 'Lulet e së Keqes'

Pjesa "Spleen dhe Ideali" vë në plan të parë ‘spleen’ -in domethënë mërzitjen, trishtimin ( në kuptimin e ankthit metafizik ) nëpërmjet të cilëve, vuajtja e poetit dhe frymëzimi i tij aspirojnë drejt ‘idealit’, drejt një infiniti sublim ku mbretëron njeriu. ‘Spleen’ është një fjalë në gjuhës angleze e cila nënkupton ‘shpretkën’. Në fakt, në të kaluarën besohej se në bazë të teorisë së Hipokratit, ndjenja e melankolisë tek njeriu kishte orgjinë fiziologjike dhe, më saktë ajo vinte si rezultat i një sekrecioni në ngjyrë të errët e cila shkaktohej prej shpretkës. Por, ne fakt, te poezia e Bodlerit fjala ‘spleen’, simbolizon mërzitjen e neverinë ndaj jetës në përgjithësi. 

Një gjendje e tillë ‘spleen’ -i është edhe atmosfera mbizotëruese që ushqen tërësinë e përmbledhjes ‘Fleurs du mal’, duke i dhëne asaj një dinamike tejet konfliktuale. Në të poeti, shpreh tronditjet e shpirtit të vet të plagosur keq, mes ideve sublime dhe banalitetit, gjë e cila bën qe ai të miklohet, herë prej Zotit e herë prej Satanit. Duke u nisur nga përvoja e vet personale, Sharl Bodler, trajton kështu konfliktin eternel, mes shpirtit dhe ‘mishit’, ( epshit ).

Poetika bodleriane

Për të dalë nga gjendja sfilitëse e ‘spleen’ - it, poeti përpiqet të gjejë shpëtim nëpërmjet gjuhës poetike e cila është edhe e vetmja mënyrë e cila ka aftësinë t'u japë kuptim e të përçojë realitetet më banale e më të shëmtuara të jetës në art. Gjuha poetike, po ashtu, ka mundësinë që të metarfozojë edhe dashurinë. Është, ajo e cila përçudnon pasionin sensual të poetit për të dashurën e tij  Jeanne Duval (në poezitë ‘Parfum ekzotik’(Parfum exotique), ‘Flokët’ (La Chevelure) etj. ashtu si edhe dashurinë platonike për zonjën Sabatier tek ‘Agim shpirtëror’ (L'aube spirituelle), ‘Grishje për udhëtim’ ( Invitation au voyage) etj.  Ndërsa soneti ‘Korrespondenca’  (Correspondances), e cila është një model i artit poetik bodlerian tregon se, tek ky autor, imazhet nuk janë vetëm simbole konvencionale, por ato venë në dukje një raport absolut, mes sendeve dhe kuptimit të tyre: për Bodlerian ky është edhe ligji i ‘analogjisë universale’ ... Në një univers konfuz, të padeshifrueshëm nga qeniet e vdekshme, vetëm poeti, në sajë të imagjinatës së tij ( kjo mbretëreshë e lehtësisë ! ), ka aftësinë të krijojë imazhe të tilla të cilat mund të venë në dukje ndjenjat e të bëjnë eternele të vdekshmen.

Natyra është një tempull ku kolona të gjalla
Shpesh nxjerrin prej tyre fjalë konfuze.
Njeriu kalon mes tyre si në një pyll simbolesh
Që e vrojtojnë me shikim familjar ...
 
'Correspondances’ (Les Fleurs du mal – IV)


Këto fjalë dalin nga shpirti i një karakteri me natyrë magjike, në saje të një të shkruari me forcë magjistare ! Kësisoj, Arthur Rimbaud, lajmërues i ardhjes së fenomenit të poezisë moderne franceze, e shihte Bodlerin dhe krijimtarinë e tij, si një ‘alkimist të fjalës’ që me fuqinë e saj, ishte e zoti ta kthente ‘baltën në ar’. 

Ecuria e 'Fleurs du Mal' 


Shkallëzimi i tematikës së poezive në përmbledhjen ‘Fleurs du mal’ nuk lejon, me sa duket, që ta mposhtë spleen – in, atë ndjenjë e cila e gërryen poetin përbrenda. Përvojat e ndryshme që shtjellohen në pjesët e kësaj përmbledhje, me sa duket nuk japin asnjë shpresë për ndryshim a gjendje në të mirë. Qyteti i madh i ‘Tablove pariziane’ është plot rreziqe e miklime, me parajsat artificiale të drogës e alkoolit  ‘Vera’ (Le vin) e, po ashtu edhe dashuria e epshi ( Fleurs du mal ), janë zhgënjyese e brejtëse të shpirtit. Pas një tentative për ‘Revoltë !’ të cilën poeti dëshiron që të jete universale, përmbledhja poetike në fjale, gjen zgjidhje te ‘Vdekja’ (La mort), e cila ngjan se është edhe fundi i dështimit poetik.
 
Pra, është pikërisht te vdekja që Bodleri gjen një mënyrë të fundit për të zgjidhur kontradiktën mes së Mirës e së Keqes e, për ketë qellim, vdekja shihet jo si fund, por si një kalim drejt universit pajtues ku poeti është i etur të zbulojë një botë të re, ende të panjohur. Është kjo mënyre të vështruari,  e cila shpjegon pa dyshim sensualitetin që ai u jep temave makabre në poemën e tij të shquar ‘Vdekja e dashnorëve’ (La mort des amants ). E, ndërkohë, përmbledhja poetike ‘Les Fleurs du Mal’, mbaron me këto vargje domethënëse: 

Në thellësi të humnerës të bie,
parajsë a ferr s’ka rendësi,
drejt së Panjohurës le të shkoj
dhe të Renë të gjej aty ...
                                  'Udhëtimi’ (Le Voyage)

Vepra kritike

‘Arti romantik’ (L'Art romantique - 1869) përmbledh një grup shkrimesh, të cilat Bodleri i pat shkruar mbi jetën kulturore e artistike të kohës së vet si edhe mbi autorë të mëdhenj që ai adhuronte. Shkrimet më të rëndësishme të asaj përmbledhje u kushtohen, ndër të tjera, autorëve të tille si: Edgar Poe, Théophile Gautier, romaneve ‘Zonja Bovari’ (Madame Bovary) të Flaubert, dhe ‘Të mjerët’ (Les Misérables) te Victor Hugo. 

Shkrimet kritike të Bodlerit u mblodhën dhe u botuan më 1868, nënë titullin ‘Kureshtje estetike’ (Curiosités esthétiques). Kjo përmbledhje, përmban kryesisht analiza rreth ‘Salloneve artistike’, mbajtur në vitet 1845, 1846 dhe 1859, mbi ‘Ekspozitën Universale’ të vitit 1855 si edhe një shkrim të rëndësishëm mbi Constantin Guys, ‘Piktorin e jetës moderne’ (Le Peintre de la vie moderne), e po ashtu shumë sprova mbi jetën dhe veprën e piktorit të shquar, Eugène Delacroix.
 
Këtyre u duhen shtuar edhe shumë ese të tjera, kushtuar disa piktorëve akuarelistë të kohës, karikaturës e përgjithësisht nocionit të komikes në art. Në këtë mes, ajo që duhet shënuar, është fakti se mes Bodlerit poet dhe Bodlerit kritik, arti ekziston në një koherence të padiskutueshme, sepse si në art ashtu edhe në poezi, ai shpalos principet e tij të veçanta estetike: mbi natyralizmin që shkonte gjer në absurd dhe modernizëm.
 
Modernizmi ne art 

Me modernizëm, Bodleri, nënkuptonte qëndrueshmërinë e veprës së artit në kohën e vet. Një pikturë, sipas tij, duhej të shprehte epokën e saj e bile ta paraqiste atë, në veçantinë e saj më të pakapshme. Ishte pikërisht kjo që ai adhuronte, në vizatimet me penë të Constantin Guys, i cili skiconte për shtypin silueta e skena të jetës së përditshme, duke përjetësuar kështu ‘heroizmin e jetës moderne’. Kjo natyrë e dyfishte e së Bukurës, përcaktuar si sintezë e modernizmit (të përkohshmes) dhe identikes, asaj që s’ndryshon (perfeksionit formal), e pengonte Bodlerin që të miklohej nga mënyrat efemere e, po ashtu që të vendoste kritere krejtësisht formale të cilat mund ta çonin atë, në krijimin e një arti me ftohtësi shembullore, të zhveshur nga çdo lloj emocioni.
 
E, për më tepër, Bodleri ishte një kritik i mprehtë. Ai u tregua mjaft skeptik ndaj piktorëve zyrtare e, po ashtu, nuk ra në kurthin e sensibilitetit të pikturës romantike. Kështu, për shembull, ai shkroi ashpër përsa i përket Ary Scheffer, një piktor romantik i kohës, peneli i të cilit jepte një realitet tepër akademik (Salon de 1846). Nga ana tjetër, mendimet e tij të mprehta lidhur me disa tablo të Ingres,  një tjetër  piktor i shquar i epokës, romantik e neoklasik, tregojnë se si Bodler arrinte me tepër zgjuarsi e finesë, t’u shmangej grindjeve të shkollës në fjalë ... 
 
 


Fragment nga pamja e varrit të Sharl Bodler
(Varrezat Montparnasse - Paris)



Partager cet article
Repost0
9 novembre 2007 5 09 /11 /novembre /2007 10:12

 
SHARL BODLER ( 1821 - 1867 )

Përmbledhja “Spleen de Paris” e njohur gjithashtu edhe nënë titullin 'Les petits poèmes en prose' ( Poemat e shkurtëra në prozë ), doli për herë të parë me 1869, në kuadrin e një botimi”përfundimtar” të veprës poetike dhe kritike të Bodlerit. Disa prej poemave në prozë të atij botimi, në fakt patën qënë hartuar qysh në vitin 1850 por, pjesa më e madhe e tyre qe shkruar mes viteve 1860 dhe 1865 pra, në një epokë kur Bodleri pothuajse kish pushuar së shkruari vargje. Ishte qysh më 1865, që Bodleri pat hartuar një 'projekt – libër' dhe kish vendosur në të poemat të cilat ai kish zgjedhur e mendonte që të bënin pjesë në të. Ato ishin gjithsej, pesëdhjete proza poetike. Për shkrimin e tyre, ideja dhe frymëzimi, Bodlerit i patën ardhur qysh pas leximit të 'Gaspard de la nuit' të Aloysius Bertrand. ( Në atë libër të vogël, Bertrand kish përmbledhur poezi pa rimë te cilat nuk respektonin rregullat e metrikës, pra krejt ndryshe nge poezia tradicionale ). Ai u bë kështu, themeluesi i një gjinie të re letrare e cila, pastaj, u  pasurua dhe fitoi plotësisht 'qytetarinë' e saj, me botimin e prozave poetike të Bodlerit, Rembo-së si edhe të poeteve të mëvonshëm surrealistë. Por, ndryshe nga Bertrand, imagjinata e të cilit pat qenë frymëzuar nga legjendat e vjetra, Bodleri desh që vepra e tij, të trajtonte subjekte moderne të kohës. Duke e tejkaluar imazhin e ciklit 'Tablotë pariziene' ( Les tableaux parisiens ), ai u interesua në mënyrë të veçante për 'modernen', ashtu siç ai e shihte dhe e përjetonte atë, në një qytet të madh si Parisi. Pra, me idenë dhe dëshirën që të 'kapte' mes skenave të shumta e të ndryshme të jetës, ato çka ishin eternele dhe esenciale e që kishin në dukje shkëlqimin  e shkurtër të një vetëtime, në errësirën e universit urban ... 


 

ENDERRA 


Ëndrra ! Gjithmonë ëndrra ! Kjo dozë “opiumi natyral” siç e quan Bodleri në prozën poetike 'Grishje për udhëtim' ( L' invitation au voyage ) është një metaforë e cila për poetin në fjalë, shpreh domosdoshmërinë e të ëndërruarit, si një mundesi për të shpëtuar nga e përditshmja cfilitëse. Ëndrra për të qenë gjetkë nga ku ndodhet është për të edhe ëndrra më e bukur ku 'gjithçka është e bukur, e pasur, e qetë, e ndershme ku, luksi dhe volupteti janë në harmoni, ku jeta është e lehtë dhe e ëmbël për t’u jetuar, ku lumturia lidh kurorë me paqen'. Një ëndërr kjo, në fakt e paarritshme dhe e rrezikshme, e cila provokon goditje të dhembshme kur ajo mbaron e njeriu 'zgjohet' dhe realiteti i imponohet sërish. Ëndrra, në të cilat poeti gjen strehë, për t’i mohuar vetes gjetjen e mundësive për të reaguar, sepse sipas tij 'ëndrrat e afrojnë atë me ato të cilat mund të quhen të mundshme'. Ja, me poshtë, një 'ëndërr' e Bodlerit, marre nga vëllimi 'Le spleen de Paris'.   

( Shënim i shqipëruesit )

 

NE HEMISFEREN E FLOKEVE TE TU ...  

Lermë t'u marr erë, të thith thellë, pafundësisht, aromën e flokëve të tu, të zhys në to krejt fytyrën si në ujët e një burimi të kristalte e, pastaj, me gishtat e mi t'i shushpuris ato si një shami erëmirë që shpërndan kujtime të ëmbla në eter. Ah, sikur ti të mund të imagjinoje gjith'ato që unë shoh, gjith'ato që ndjej, gjith'ato që dëgjoj në flokët e tu ! Shpirti im lundron mbi parfume si shpirti i të tjerëve në muzikë ... I zhytur mes flokëve të tu, unë shoh një ëndërr plot anije, vela e direkë të cilat musonet i shtyjnë drejt klimash të mrekullueshme: mes detrash pafund, aty ku qielli është tepër blu e deti shumë i thellë, aty ku thithet ajër i parfumuar nga aromat e frutave, barit dhe lëkurës njerëzore. Ja, në oqeanin e flokëve të tu shoh një port plot dallgë këngësh melankolike, me njerëz të fortë racash të ndryshme e plot anije lloj-llojesh të cilat lartojnë arkitekturat e tyre të përkryera, nenë një qiell të pafund ku prehët një ngrohtësi e përjetshme. Duke ledhatuar flokët e tu, ndjej ofshamat e lëngatat e dikurshme, të përjetuara shtirë mbi një divan, në dhomëzën e një anije të bukur përkundur nga valët e lehta të molos; aty mes vazo lulesh e amforash freskuese. Mes vatrës së zjarrtë të flokëve të tu, tani thith aromë duhani ekzotik përzier me opium e kallam sheqeri e, ndërkohë, në natën e flokëve të tu, më shfaqet shkëlqimi i pafund i kaltërsive tropikale. Mbi brigjet e kadifenjta të flokëve të tu, mbushem plot aroma ku ndjej përzier bashkë: zift, myshk e vaj kokoje. Ah, lermë të kafshoj flokët e tu ! Kur fus gojën mes masës së tyre elastike e rebele, më duket se shijoj kujtimet më të ëmbla !... 

( Shqiperoi : Vasil QESARI ) 

 
IDEALI DHE REALITETI
 
Pata njohur një farë Benedikta, një vajzë çamarroke në sytë e së cilës shihja gjithmonë vetëm madhështi, bukuri, lavdi e gjithçka që mund të merret si e pavdekshme. Një vajzë e cila ngado që shkonte, rrezatonte e shpërndante, një atmosferë plot Ideale. Por ajo krijesë e mrekullueshme, ish shumë e bukur për të jetuar gjatë. Ajo, vdiq para ca ditësh, jo shumë kohë pasi isha njohur me të. Dhe e varrosa me duart e mia, pikërisht në një ditë pranvere që sa kish nisur të shpërndante, erërat e saj të mira... Po, isha unë që e futa në dhè, të mbyllur e të parfumuar si në arkëzat e Indisë ! E, ndërkohë që isha ulur pranë saj e sytë i kisha ngulur në vendin ku prehej thesari im, prej dheut endè të freskët, pashë të delte një krijesë e vockël e cila ngjante si dy pika uji me të zgjedhurën e zemrës sime. Ajo u shfaq para meje dhe me foli me një zë të çuditshëm, arrogant e plot qesëndi: - A s'po më njeh?... Jam unë !... Unë, Benedikta e vërtetë! Jam unë ajo vashëza e pacipë ! U ringjalla për të ndëshkuar marrinë e verbimin tënd e, që ti, paskëtaj, të më duash pafundësisht !... E, unë, plot zemërim, iu zbraza: - Oh, jo ! Jo! Jo ! S'eshte e vërtetë ! Dhe, për të shprehur edhe më tepër pakënaqësinë e refuzimin tim, përplasa këmbën mbi dhè aq fort sa që ajo krijesë e frikshme, u fut edhe më thellë në baltën e varrit endè të freskët, duke renë brenda si ujku në çark e duke mbetur përjetë, në atë që ishte ndofta: Varri i Idealit ...  

( Shqiperoi : Vasil QESARI ) 

 

DHOMA DYSHE
                                                                                                                  
Ajo është një dhomë e cila ngjan me një univers ëndrrash; një dhomë me të vërtetë spirituale, ajri i së cilës ka mbetur si i ngrirë, ngjyrosur lehtësisht në rozë e blu. Shpirti aty zhytet në një banjë plogështie, parfumuar me keqardhje dhe dëshirë. Është një ndjenjë e çuditshme ajo që përjeton aty, diçka si perëndimi i diellit mes blusë e ngjyrës rozë, një ëndërr epshi në eklips. Në atë dhomë, mobilet kanë forma të shtrira, të sfilitura, të kapitura. Ato duket sikur përjetojnë ëndrra, sikur janë krijuar për të bërë jetë somnambuli, diçka vegjetale apo minerale. Mbulesat përreth, flasin një gjuhe memece, të shurdhet si lulet, si qiejt, si diejt në perëndim. Mbi murre, asnjë zhgaravinë artistike. Përgjithësisht, në ëndërr, në përshtypjen e pa analizuar, në artin e menduar, arti pozitiv është një blasfemi. Kurse, këtu, gjithçka ka dritën e mjaftueshme dhe errësirën delikate të harmonisë. Ndihet një arome fare pakëz e lehtë, zgjedhur me delikatese, në të cilën përzihet një lagështi tepër e lehtë, një atmosferë ku shpirti i përgjumur përkundet nga ndijimet e një serre të vaket. Perdja e bollshme dhe fine prej mëndafshi, derdhet si kaskadë e lehtë dëbore para dritareve dhe shtratit. Mbi shtrat është shtrire Idhulli, mbretëresha e ëndrrave. Po nga erdhi ajo, gjer këtu? Kush e solli ? Cila fuqi magjike e vendosi në këtë fron ëndrrash e volupteti ?... Po ç’rëndësi ka kjo ? Ajo është aty e unë e njoh. Ja, ata sy ku flaka kalon perëndimin, ata sy finokë e të tmerrshëm si dy shënjestra, të cilëve unë ua njoh prej kohesh dinakërinë e frikshme. Janë tërheqës, robërues. Përpijnë shikimin e atij që tregohet i pakujdesshëm dhe i sodit. Ata yje të zinj, të cilët imponojnë kureshtje e admirim, prej kohësh me vemendje i kam studiuar. Cilit demon dashamires i detyrohem për ketë gjendje misteri, heshtje, paqeje dhe parfumesh? O, lumturi ! Ai emër me të cilin ne quajmë përgjithësish jetën, bile edhe momentet tona më të hareshme, s’ka asgjë të përbashkët me ketë jetë supreme të cilën tashme po përjetoj e shijoj minute pas minute, sekondë pas sekonde ! Jo ! S’behet fjalë për minuta, s’është fjala për sekonda. Koha vetë s'ekziston më. Ajo që tani mbretëron është Pafundesia, një pafundësi kënaqësish !... Por, një goditje e fortë, e tmerrshme, u dëgjua sakaq në portë e si në ëndrrat e lemerishme, m’u duk sikur një majë kazme m'u fut thellë në stomak. E, pastaj, në dhomë u duk një Spektër. Atë e mbanin njeheresh dora e një përmbaruesi, i cili vinte të më torturonte në emër të ligjit; një grua e paturp që sokëllinte me të madhe për mjerimin e saj duke dashur ti shtojë gjithë banalitetin e saj dhembjeve te jetës sime apo me saktë, ishte servili i një drejtori gazete i cili më kërkonte vazhdimin e një shkrimi. Dhoma e parajsës, idhulli, princesha e ëndrrave, Sylphide - ja vete, siç e quante i madhi René, gjithë ajo magji u zhduk nga zhurma brutale e goditjes së Spektrit. Tmerr ! S'e harroj, s’mundem ta harroj ! Po ! Ajo dhomë, ajo karakatinë, ai çast zhgënjimi pa fund, ishin te miat. Dhe, para syve te mi, pashë të kthehej përmbys gjithçka. Mobilet humben hijeshinë, u vjetruan, u mbuluan me një oke pluhur; oxhaku humbi flakën dhe prushin, dritaret u errësuan e xhamat u mbushën me vijëza pisllëku, dorëshkrimet e mia u fshinë e u shndruan në fletë të pashkruara e, ditari im, s'kish më shenime por ca zhgaravina bërë me laps ! E ai parfum i një bote tjetër, me të cilin isha dehur me një duf të pafund e tepër sensual, medet, ish zëvendësuar nga një arome të qelbur duhani, përzier me një farë ere tjetër myku që të përziente stomakun. Në ato çaste, unë po thithja, kutërbimin e zhgënjimit. Në atë botë të ngushtë, të mbushur plot përçmim e neveri, më buzëqeshi vetëm një send: shishja e vogël e opiumit, mikesha ime e vjetër dhe e tmerrshme, si gjithë mikeshat, për fat të keq ! Të mbarsura me përkëdhelje dhe tradhëti. Po ! Po ! Koha e ndalur, nisi të ecte. Ajo morri pamjen që kish pasur më parë : mbretëreshë e njëherësh perandoreshë! Dhe bashkë me atë plake te neveritshme, erdhi edhe kortezhi i demonëve të saj me plot Kujtime, Plagë, Spazma, Frikë, Ankth, Lemeri, Tërbime dhe Neuroza. Ju betohem se, në ato çaste, sekondat nisin të ikin shpejt e me një zhurmë solemne e çdonjëra prej tyre, binte nga lavjerrësi i orës dhe thosh: Unë jam Jeta, e padurueshmja, e pamëshirshmja, Jete ! S'ka as edhe një sekondë në jetën njerëzore, e cila të ketë për mision të lajmëroje Lajmin e Mirë, lajmin e mirë i cili i shkakton kujtdo një  frikë të pashpjegueshme. Po ! Koha mbretëron: ajo nisi përsëri diktaturën e saj brutale. Eshtë ajo që më shtyn, si te isha një palaço, me hostenin e saj me majë të dyfishtë : Hy ! Ec, para, hajvan ! Djersitu, skllav ! Jeto, pra, i mallkuar !


( Shqiperoi : Vasil QESARI ) 

 

I HUAJI
                                                                               
Me thuaj, cilin do më tepër, ti, njeri enigmatik ? Babën, nenën, motrën a vëllanë ?
- S'kam as babë, as nënë, as motër e as vëlla.
- Miqtë ? 
- Po më flisni për diçka, kuptimin e së cilës gjer më sot, s'e kam njohur.
- Atdheun ?
- As qe di nga bie e ku ndodhet !
- Të bukurën ?
- Do ta doja me gjithë qejf, atë perëndi të pavdekshme.
- Florinjtë ?
- Ato i urrej, po aq sa ju urreni Zotin 
- E, çfarë do atëher’,  o i huaj i çuditshëm ?
- Dua retë. Retë që ecin lart në qiell aty lart, aty lart ... ato retë e mrekullueshme !


( Shqiperoi : Vasil QESARI ) 

 

GRISHJE PER UDHETIM … 


Thonë se ndodhet një vend i mrekullueshem në Cocagne, të cilin unë endërroj ta vizitoj me një miken time të vjeter. Vend i veçantë, i zhytur në brymën e Veriut tonë të cilin mund ta quanim si Orientin e Perendimit, Kinën e Europës, fryt i fantazisë kapriçioze të bollëkut që e ka bërë edhe të tille, pa zënë në gojë pastaj, pamjet e tij mahnitëse. Në Cocagne gjitheçka është e bukur, e pasur, e qetë, e ndershme. Aty luksi e kenaqësia janë në harmoni; jeta është e plotë dhe e embël; rrëmuja, zhurmat e të papriturat përjashtohen; lumturia ka vënë kurorë me heshtjen e ku dhe vetë kuzhina është poetike, herë e yndyreshme e herë eksituese; atje ku çdo gjë ngjan me ju, ëngjelli im.
Patjeter, ti e njeh atë sëmundje të ethëshme që na ngjitet mes varfërisë sonë të ftohtë, atë nostalgjinë për një vend të cilin se kemi parë kurrë, atë ankth kureshtje që kemi për të ? Ai është një vend që të ngjan ty, gjithëçka aty është e bukur, e pasur, e qetë dhe e ndereshme. Aty fantazia ka ngritur e zbukuruar një Kinë perendimore, ku jeta është e embel për t’u jetuar, ku lumturia ka vënë kurorë me heshtjen. Eshtë atje që duhet të vemi të jetojmë, është atje që duhet të shkojmë të vdesim ! Eshtë atje që duhet të shkojme te marrim ajër, të ënderrojmë e të zgjasim orët për të përjetuar një pafundesi ndjenjash. E di ? Eshtë një muzikant që ka shkruar një kengë të cilën e ka titulluar 'Ftesë për një vals' e është po ai që do të kompozojë pjesën 'Grishje per udhetim', të cilen do të mund t’i a ofroj gruas që dua, të zgjedhurës së zemrës time. Po, është në një mjedis të tillë që ne, do të duhej të jetonim. Të shkonim atje, ku dhe orët më të mërziteshme kanë më shumë mendim se kudo tjeter. Aty ku sahatet u bien tingujve të lumturisë, me solemnitetin më të thellë e kuptimplotë.
Nënë tabelat plot shkelqim a mbi lekurat e çmuara të lyera me ar, shpalosen papritmas tablo pamjesh të bekuara, të qeta e pafund. Të tilla si shpirterat e artistëve që i kanë krijuar. Diejt që digjen në perendim e përshkojnë me rrezet e tyre dritare të larta me mozaikë xhamash ndarë me plumb, duke ngjyer plot ar vendin ku rrimë, sallën e ngrenies dhe sallonin shtruar me stofra të çmueshme. Mobiljet tona të mëdha, tërheqese, të çuditeshme, me brava sekrete si ato të shpirtrave të rrallë. Aty, pasqyrat, metalet, pëlhurat, arturinat e faiancat luajnë për sytë tanë një simfoni të heshtur e misterioze e prej tyre, nga çdo kënd, nga anet e sirtareve dhe palat e stofrave, përhepet një parfum i veçantë, një lloj arome e cila të fton të vizitosh sërish Sumatren e që është edhe vetë shpirti i apartamentit tonë.
Eshte një vend i vërtetë Cocagne të them, i paqtë e plot shkëlqim, i bardhë si një ndergjegje e paster, si nje varg kusish të arta bakri që ndriçojnë në kuzhinë; si një dyqan arturinash plot hijeshi, si një bizhuteri që të lëbyr sytë. Në të janë mbledhur gjithë thesaret e botës, ashtu si në pallatin e një njeriu që ka punuar si askush tjetër, per të merituar plotesisht gjithë botën. Eshte ky një vend i veçantë, shumë më lart nga të tjerët, ashtu siç është edhe Arti mbi Natyren.
Dhe të mundohen e të këputen në kërkime, le të përpiqen të gjejnë kufijtë më të fundit të lumturisë, këta alkimistët e luleve të papara ndonjeherë ! Dhe të bëhen dysh, për të bërë realitet ëndrrat e jetëve të tyre shkuar në kërkime. Un,ë për veten time, e kam gjetur tulipanin tim të zi dhe dahlinë time blu ! Lulja e pakrahesueshme, tulipani i rigjetur, dahlia alegorike janë atje apo jo? Në atë të bukur vend, aq të qetë e ënderrimtar, ku do duhej të shkonim e të lulezonim edhe ne ! Nuk ndjen ti, vallë, tek vetja jote të njejtën analogji për të folur me një të tillë gjuhë mistike në letrat e tua ?
Enderra ! Gjithmonë ëndrra ! Sa më shumë shpirti im bëhet ambicjoz e delikat, aq më tepër ëndrrat largohen nga mundësia për t’i bërë realitet. Cdo njeri ënderron e shton në to dozën e tij të opiumit natyror i cili s’pushon së sekretuari e së perserituri, nga femijnia gjer në vdekje, duke mos arritur së numëruari oret e kaluara në gëzim prej shpirtit të tij të vendosur dhe deshirës për t’i a dalë mbanë. A do të jetojmë ndofta, ndonjëherë a do të shkojmë në ato vende; ne ato tablo që ka pikturuar shpirti im e që të ngjajnë aq shumë ty ?
Këto thesare, këto mobilje, ky luks, ky rregull, këto parfume, këto lule magjike, janë ti. Je ti, gjithmonë ti: është pamja jote, imazhi yt edhe në keto lumenj të zhurmshëm e kanale ujrash të qetë. Je ti edhe në atë grumbull anijesh që shkarkojnë në port mallin e tyre të çmuar e nga ku ngjiten lart, kengët e dokerëve. Janë mendimet e mia ato që përkedhelin rrotullueshëm gjinjt' e tu. E ti, gjithë këto mendime të miat, i shpie embëlsisht drejt detit i cili është vetë Pafundësia që mbledh e reflekton nga vetja, gjithë thellesitë e qiellit, në qartesinë e transparencën e të bukurit shpirtit tend. Dhe kur, të kapitur nga dallgëzimi dhe rrëkëllimat e pijeve egzotike të Orientit, marinaret e bërë tapë mbrijnë në portin e qytetit të tyre, janë përsëri mendimet e mia plot ide të praruara, ato të cilat rikthehen të pasqyruara nga Pafundësia përsëri drejt Teje …
 

(Shqiperoi : Vasil QESARI ) 

 

MIRESITE E HENES

 
Ndërkohë që ti ishe duke fjetur, tekanjozja Hënë, qe nga prapa dritares pa shtratin tend e tha: Kjo vogëlushe më pëlqen. Dhe zbriti butësisht shkallët prej resh e, pa bërë zhurmë, kaloi mespërmes xhamave. Pastaj, u shtri mbi trupin tënd me ëmbëlsinë e një nëne e, mbi fytyrën tende hodhi ngjyrën e vellos së saj. E sytë e tu u benë të gjelbër e faqet tepër të zbehta. E, pastaj, ndërkohë që ti ishe duke kundruar plot qejf atë vizitore të çuditshme, ajo t’u ngjit nëpër gushë, ta pushtoi gjoksin fort e sytë e tu, çuditërisht u zmadhuan shumë shoqëruar me një dëshire vajtimi, ndjenjë të cilën ti do ta ruaje përjetë.E, sakaq, e dehur nga lumturia, Hëna kish mbushur gjithë dhomën me një atmosferë fosforeshente si ajo e peshqve që natën lëshojnë drite e, mendueshëm, thoshte: Ti do t’i nënshtrohesh përjetësisht influencës së kësaj puthje. Ti do të jesh e bukur ashtu siç dua unë. Ti do të duash atë që dua unë dhe atë që më mua më do: ujin, retë, heshtjen dhe natën. Detin e pafund ngjyrë gurkali. Ujërat e tij herë të qeta e herë të trazuara. Vendet ku s’do vesh këmbë asnjëherë. Dashnorin që s’do ta njohësh kurrë. Lulet e frikshme. Parfumet që do të bëjnë të luash mendsh. Macet që zvarriten mbi piano e rënkojnë si gra, me zë të ëmbël që del nga gryka. E, ty do të të duan dashnorët e mi, ty do të vijnë rrotull kurtizanët e mi. Ti do jesh mbretëresha e njerëzve me sy të gjelbër. E atyre që u kam zënë frymën me puthjet e mia të natës. Atyre që adhurojnë detin. Detin e pafund, plot zallahi. Atyre që s’dinë ku ndodhen e mes grash që s’i njohin. Mes lulesh të çuditshme që i ngjajë temjanicës së një feje të panjohur. Mes parfumesh që prishin vullnetin dhe kafshësh të egra e epshore, te cilat janë idhujt e çmendurisë së tyre. E, është kjo arsyeja pse moj e mallkuar, vajze e dashur e nazemadhe që, tani, unë jam shtrirë pranë kembkave të tua, duke kërkuar në tërësinë e qenies tënde refleksin e Hyjnisë së dyshimtë, asaj, të rraskapiturës nunë, të fatthënës ndrikull, mëndeshës helmdhënse të gjithë lunatikëve ...    


( Shqiperoi : Vasil QESARI ) 

 
DRITARET
 

Ai që vrojton nga jashtë, për të mësuar se ç’ndodh pas një dritareje të hapur, nuk arrin të marrë vesh kurrë aq shumë gjëra, se sa ai që arrin të shohë matanë një dritareje të mbyllur. Nuk ka objekt më të thellë, më misterioz, më intrigues, më të errët e më verbues, se sa një dritare e ndriçuar zbehtë nga drita e mekur e qiririt. Ajo që arrijmë të shohim në mes të dritës së diellit, është gjithmonë më pak interesante se sa ajo që ndodh pas xhamave të një dritare. Në atë katror të errët e njëkohësisht të ndritshëm jeton jeta, ëndërron jeta, vuan jeta...Në një dritare të tillë, nenë harkun valë-valë të çatisë, shoh një grua të varfër, të moshuar, me rrudha, e cila nuk del kurrë jashtë, por rri gjithmonë e përkulur mbi diçka. Nga fytyra, veshja, lëvizjet e gjestet e saj, pa ditur pothuajse asgjë tjetër, kam arritur të njoh historinë apo me mire të them legjendën e saj, të cilën më ndodh shpesh t’i a rrëfej vetes duke qarë... E, them se, sikur të kisha qenë edhe unë një plak i tillë i gjorë, do kisha dashur të kisha bërë të njëjtën jetë si e saj. E, kështu, vete e bie të fle, krenar që kam jetuar e vuajtur në dhimbjen e të tjerëve. Ndofta, ndonjë nga ju do të pyesë: Po, ti, nga je i sigurtë që jeta e saj legjendë është e vërtetë?... Po, ç’rëndësi ka e vërteta që ndodh jashtë meje në se ajo, me historinë e saj më ka bërë të jetoj, të ndjej që ekzistoj e të di kush jam ?...


( Shqiperoi : Vasil QESARI )


Shënim: Ndalohet botimi pa lejen e autorit të shqipërimeve ...
Partager cet article
Repost0