LE LETHE *
Eja, zemra ime, shpirt i shurdhët e mizor,
Tigër i adhuruar, monstra ime e plogët;
Eja ! Ka kohë që ëndërroj të zhys gishtat
E mi të dridhshëm thellë mes flokëve të tu;
Ti fus poshtë fustanit mes tëndit parfum
E të kredh në të kokën time plot dhimbje.
Të thith aty si prej një luleje të vyshkur
Erën e rendë të dashurisë sime funebre.
Të fle dua ! Më mirë të fle se të rroj !
E rënë ne gjumin e ëmbël si vdekja
Trupin tënd të lëmuar, të bardhë kristal.
Ta mbuloj me puthjet pa pendesë,
E teksa do kapërdij lotët ngushëlluese
Honi i shtratit tënd s’do më frikësojë;
E as harresa që rrjedh nga e jotja gojë
Bashkë me të tuat puthje si léthé – ja.
Dhe fatit tim tashmë e ëmbla ime
Do ti bindem se ai i shkruar është;
Me zjarr e afsh do pres mundimin
Si martir i bindur, i dënuar pa faj,
E nga fundi i këndshëm i gojës tënde,
Nga prushi yt që s'ndez veç torturë,
Do thith këndshëm lulen helmuese
Që zemra s'arriti ta shijojë kurrë …
( Spleen et idéal – XXXIII )
( Shqipëroi Vasil QESARI )
* Léthé – Kështu quhet në mitologjinë greke Lumi i Harresës ( nga greqishtja Lethe - harrim ); Ai ishte një prej të pesë lumenjve që derdhej në Ferr e që ndante Tartarinë nga fushat e Elizesë. Shpirtrat e të vdekurve, duke pirë ujë në ketë lumë, harronin krejtësisht çdo kujtim nga e kaluara e tyre. Ishte në ujërat e tij që sipas Platon -it, shpirtrat e njerëzve zhyteshin, për të fshirë nga kujtesa ato që kishin parë në botën e sipërme. Vetëm atëherë, te pastruar nga çdo lloj kujtimi i së kaluarës, ata shpirtra mund të rilindnin edhe një herë ..