Në këtë blog ju do të gjeni ato që unë ndjej e kam dëshirë. Gëzimet dhe brengat, ditët e mia të trishtuara e ato plot hare, mbresa e shënime të ndryshme për njerëz, libra, poezi, kengë, vende, ngjyra, parfume, filma, aktorë, pktorë ... Shkurt, gjithëçka që dua në këtë botë ! ...
'Dita zgjon Naten' - pikture nga Gaétano Préviati
ALBATROS
Në lundrime të gjata mes honesh plot llahtarë,
Detaret shpesh herë thjesht për t’u zbavitur
Kapin albatrosë, madhështorë zogj të detit
Shokë ti kenë në udhëtimet e tyre të pafund ...
Dhe i lenë aty të lidhur keqas mbi kuvertë,
Këta mbretër kaltërsish ligsht katandisur,
Lolo krahë varur vajtueshëm hequr zvarrë,
Çalashë ngofje dalë mbi dërrasa lemerisur.
Sa tuaf e qesharak ky shpend i lartësive !
Sa komik e shëmtaq ai i bukuri i qiejve !
Ca e godasin sqepit me çibuk e plasin gaz,
Të tjerë si të çalë tallen me të ngratin fluturak !
Kështu dhe Poeti ngjan me këtë princ të reve
Që endet mes stuhish e qesh me shkreptima;
Mbërthyer në të huajën tokë mes talljesh mizore,
Me krahë madhështorë që dot s’marrin fluturim ...
( Spleen et Idéal – I )
Shqipëroi: Vasil Qesari
( Kjo poezi është shkruar në vitin 1859, ajo bën pjesë në kapitullin e dytë të ‘Spleen et idéal’, të përmbledhjes poetike ‘Lulet e së keqes’. Me anë të saj, Bodler, trajton temën e tij të preferuar - vetminë e njeriut gjeni - dhe këtë e jep nëpërmjet motivit të zogut të oqeanit (Albatros) që personifikon poetin i cili e ndjen veten të huaj, mes një shoqërie e cila nuk e kupton. Poezia përcjell, kështu, simbolikën e diferencës mes turmës dhe artistit të madh. Poeti është mbret në universin e tij. Ashtu si Albatrosi, ai është princ i qiejve e s’u trembet stuhive; ai krenarisht u qeshet rrufeve, atyre që e godasin tinëzisht me shigjeta. Poeti, është një krijesë e destinuar pikërisht për të tilla fluturime e, në tokë e ndjen veten keqas, rob të përvuajtur të njerëzve dhe të një shoqërie e cila mizorisht e tall, nuk e vlerëson e s’arrin ta kuptojë kurrë - Shënimi im )