Në këtë blog ju do të gjeni ato që unë ndjej e kam dëshirë. Gëzimet dhe brengat, ditët e mia të trishtuara e ato plot hare, mbresa e shënime të ndryshme për njerëz, libra, poezi, kengë, vende, ngjyra, parfume, filma, aktorë, pktorë ... Shkurt, gjithëçka që dua në këtë botë ! ...
PËRGJYSËM
Do ikësh
Por flokëve të mi do tu mungojë foleja
Ku bashkë me dëshirat
U strukën netë psherëtimash
Dhe këngë të hershme.
Do ikësh
Por ishujve të trupit tim do tu mungojë dora
Që zbuti ulkonjën e pyllit
Dhe majat e kodrave të bardha ledhatoi
Nga ku u derdh ofshama.
Do ikësh
E bashkë me ty
Kuptimi do mbetet në udhë
Ndarë përgjysëm ...

E PAMUNDUR
Ika nga ty
Vrapova
Dhe bëra një dush të laja mëkatin
Ndërgjegja shkëlqeu
Nën kostumin e pastër.
Nga shpirti s’të laj dot …

PËRMBI KUBENË E QIELLIT
Kur stalaktit’ i zemërimit të nisë të pikojë
E përmbi detin e trishtimit të tretet shkumbëzimi
Me kripën le të shkrijë dhe pengu yt...
Jepmë sinjal si një puhizë
Që gjethen e shtyn përkundër erës
A shenjë më bëj heshtur pa gojë
T’i japësh ajrit shkëlqim të Diellit
Pastaj të dy do të kujtojmë
Çfarë Leonardo kish ndërmend kur tha
Se trupi ynë qëndron nën tokë
Nën qiellin toka gjithashtu
Po shpirti Shpirti kurdoherë
Përmbi kubenë e Qiellit…