Në këtë blog ju do të gjeni ato që unë ndjej e kam dëshirë. Gëzimet dhe brengat, ditët e mia të trishtuara e ato plot hare, mbresa e shënime të ndryshme për njerëz, libra, poezi, kengë, vende, ngjyra, parfume, filma, aktorë, pktorë ... Shkurt, gjithëçka që dua në këtë botë ! ...
( Artistja e shquar e fotografisë, Desiree Dolron mbetet gjithmonë në kërkim të një estetike absolute ku gërshetohen perfeksioni, misteri dhe violenca. Krijimtaria e saj luan me kufijtë mes jetës dhe vdekjes, të shkuarës e së ardhmes, me gjendje dhe imazhe që kalojnë nga koshienca në subkoshiencë e anasjelltas. Me artin e saj, ajo sjell një vështrim tepër vetjak, diçka në kufijtë e demarkacionit mes asaj çka është e dukshme, e perceptueshme dhe e kundërta. Punimet e saj janë tronditëse e, në të njëjtën kohë, madhështore )
Nga Vasil QESARI
“… E kisha hasur për herë të parë emrin e Désirée Dolron në një revistë, më duket se ishte një e përmuajshme ku qe botuar një shkrim i gjatë i cili u kushtohej fotografëve holandezë. Në një foto të paraqitur aty, pashë një djalë të shtrirë mbi një tavolinë, me gjoksin zbuluar, sytë të mbyllur, i rrethuar nga tri gra të veshura në të zeza që po e përgatisnin për ta çuar në arkivol. Drita e asaj fotografie ishte e jashtëzakonshme. Një dritë si ajo e piktorëve flamandë, e gjitha e mbajtur në dritë-hije, e tëra në nuanca, në një muzg të thellë. Ajo fotografi, më pat mrekulluar për nga kompozimi e drita, për nga përputhja e subjektit me realizimin e saj. Dhe ja, para ca ditësh pata rastin e mrekullueshëm, të ndjek vetë ekspozitën e Desirée Dolron në Paris … “
Në kuadrin e Muajit të Fotografisë 2006, në Institutin Holandez në Paris gjer më 20 dhjetor po qëndron e hapur, ekspozita e plotë e Desirée Dolron e titulluar “Exaltation - Gaze - Xteriors”, në të cilën janë paraqitur tri seri fotografish të cilat pasqyrojnë karakterin tepër origjinal të punës së kësaj artisteje të shquar. E reja më befasuese në këtë ekspozitë, është paraqitja në të e serisë më të fundit të krijimeve të saj dhe pikërisht, ajo që mban titullin “Xteriors” ku janë paraqitur disa prej portreteve, të cilët e kanë bërë atë të njohur në shkallë ndërkombëtare.
Lindur më 1963 në Haarlem (Holandë), Desirée Dolron jeton dhe punon në Amserdam. Krijimtaria e saj përbehet prej reportazhesh dhe fotografish të realizuara jashtë ( në eksterier ) si edhe në studio. Për krijimin e një pjese të mirë të veprës së saj, Desirée Dolron ka jetuar e punuar për nëntë vjet (1991-1999) mes ceremonish të ndryshme fetare, në vende të tilla si Indi, Malajzi, Pakistan, Tailandë e Marok, ku edhe ka mbledhur mbresa e impresione të cilat më pas i ka hedhur në albumin e emërtuar “Egzaltim, imazhe religjioni e vdekje”.
Në mënyrë të ngjashme me një dokumentar, ajo ka fotografuar atmosferën dhe skajshmërinë ekstreme të disa riteve fetare si edhe ekzaltimin, i cili shkon gjer në deformimin a ndëshkimin e vetvetes. Imazhet e saj, portrete a peizazhe që shprehin tronditshëm atmosferë sakrifice e vuajtje, të bëjnë të përjetosh momente të forta në tërësinë dhe detajet e tyre. Duke përzier makthin, frikën e magjepsjen, fotografitë tregojnë ekstazën e popullit shaman, përqendrimin e tyre në rite, besimin, dhembjen, fuqinë e zjarrit ku hedhin valle që i kthen siluetat e njerëzve në skulptura të gjalla të cilat veprojnë në një realitet krejt mistik.
Désirée Dolron ka studiuar e punuar shumë në gjininë e portretit. Mjafton të sjellësh për një çast në mend pikturën tradicionale flamande, për të kuptuar se fotot e saj përmbajnë brenda tyre të njëjtën enigmë. Tejet impresionuese, subjektet që ajo trajton duken sikur janë punuar në të njëjtat atelie me autorët e epokës. Në shumë prej fotove të serisë së quajtur “Xteriors”, ajo ka tendencën e paraqitjes së një lloj realizmi i cili shkon gjer në ekstrem. Një realizëm përzier me atmosferë e ndjenjë mistike. Portretet e saj, “priten” në një sfond të zi dhe fytyrat e tyre të bukura, të kthyera drejt objektivit në tre të katërtën e tyre, duken sikur dalin prej një bote misterioze. Me një mjeshtëri magjepsëse hijesh e dritash, hapësirat në to u japin imazheve thellësinë e duhur, për ta bërë edhe më mizore vetminë e tyre.
Nga kjo shpjegohet fakti që një pjesë e mirë e portreteve fotografike të Désirée Dolron, të paraqitura ne këtë seri shkaktojnë tek shikuesi, të njëjtën magjepsje si ato që provohen para një pikture. Është merita, fantazia dhe talenti i saj që mes procesesh krijuese të menduara e të realizuara mirë, arrihet që nëpërmjet imazhesh të marrë prej realitetit të jepen vizione e emocione që lidhen me misteret e shpirtit e që provokojnë efekte të cilat ushqejnë imagjinatën dhe irealen.