Overblog
Suivre ce blog
Administration Créer mon blog

RUBRIKAT

 

Fichier hébergé par Archive-Host.com Fichier hébergé par Archive-Host.com Fichier hébergé par Archive-Host.com Fichier hébergé par Archive-Host.com Fichier hébergé par Archive-Host.com Fichier hébergé par Archive-Host.com Fichier hébergé par Archive-Host.com Fichier hébergé par Archive-Host.com Fichier hébergé par Archive-Host.com Fichier hébergé par Archive-Host.com Fichier hébergé par Archive-Host.com Fichier hébergé par Archive-Host.com Fichier hébergé par Archive-Host.com Fichier hébergé par Archive-Host.com Fichier hébergé par Archive-Host.com Fichier hébergé par Archive-Host.com


Fichier hébergé par Archive-Host.com 


Fichier hébergé par Archive-Host.com 


Fichier hébergé par Archive-Host.com 


Fichier hébergé par Archive-Host.com


Fichier hébergé par Archive-Host.com

SUPLEMENTE


'AMARUS'

( klikoni mbi imazhet më poshtë )

 

Fichier hébergé par Archive-Host.com

 


Fichier hébergé par Archive-Host.com
 

 


  Fichier hébergé par Archive-Host.com   



Fichier hébergé par Archive-Host.com  



Fichier hébergé par Archive-Host.com  


Fichier hébergé par Archive-Host.com


Fichier hébergé par Archive-Host.com 

 Apartament-me-qera-Vlore.jpg
7 septembre 2008 7 07 /09 /septembre /2008 16:18
Les-ballerines-danseuses.jpg

                               Valltaret - Foto nga Vasil QESARI

                               http://home.fotocommunity.fr/simbad
 

                                                   ***


Sapo ula telefonin mora të të shkruaj. Në të vërtetë, kam shumë gjëra për të thënë, por, kur nxiton t'i thuash të gjitha menjëherë, ka gjasa të këpusësh ndonjë budallallëk ... ose të tejkalosh limitet e raporteve të krijuara. Prandaj! Prandaj, shumë gjëra, ende kane mbetur pa thënë. Themi se njihemi ... por në fakt shumë pak dimë. Merre me mend, po t'i shtosh kësaj atë që Sokrati thotë : Njeri, njih vetveten. E, unë vallë, a e njoh veten?! Ketë, ende, nuk e di! Tentoj ta njoh, por nuk arrij! Pa çka, le të flasim për fotot ...
I dashur Simbad, unë e kuptoj pozicionin tënd, dhe jo vetëm tendin, kur dikush fillon të flasë për një pune si ajo që ti ke bërë me fotografimin, teknikën dhe foton e realizuar. Pasi fola me ty, dje ne mëngjes, rrugës duke shkuar për në pune, u mendova gjatë. Ndërkohë, përpara kompjuterit nga ku shfletoja një për një albumin dhe, në mënyrë imagjinare, vazhdoja bisedën me ty, ashtu shpejt e shpejt shkrova në një letër të bardhe : "Fotografia e Simbadit është vetja e tij".
Tani ... çfarë dua të them me këtë?! Unë e pashe me vëmendje dhe seriozitet albumin. Të mos harrojmë se, sa një album fotografik është album fotografik, këtë mund ta gjesh vetëm nëse brenda "spektatorit" fillon të lëvizë mendimi; fillojnë të lëvizin ndjesitë, fillojnë të lulëzojnë emocionet, fillon të zgjohet fantazia. Njësoj si me çdo vepër arti, mendoj. Njësoj si para pikturës, poezisë, filmit, arkitekturës, e ku di unë çfarë...
Sot, tani, po të them shume pak gjera. Të tjerat më vonë, ose në një forme tjetër, ndoshta në një ESE e cila mund të zërë vend, në ato shkrime që unë kam veçuar si më të dashurat e mia dhe që po përgatis për botim. Sepse, padyshim, kur them fjalë si këto që do lexosh më poshtë, nuk mund të mos i "spërkat" me pjesë nga shpirti im ... Por, sidoqoftë, këto janë vetëm boshti. Ndërkohë, do rendis edhe një paragraf "Te gjitha bashkë", por perifrazimin e tij, do të ta dërgoj kur të ta sjell të plotë, në formën e një shkrimi ESE ...

 
ÇFARË ISHTE AJO QË FOTOT MË THANË
  
Njeriu - si qenie e gjallë, ashtu si një qenie biologjike - kërkon mbijetesën në luftë për jete a vdekje; (shih portretet e njerëzve të rrugës, vendosjen e tyre në sfondet përkatëse, fokusimin e shikimit, "L'orphelin" bardh’ e zi, etj.)
- si qenie shoqërore, ashtu si çdokush kërkon të jetë dikush dhe të zërë vendin e vet në komunitetin ku punon, jeton, krijon;
- si qenie individuale, ashtu si çdo "unë", jep vazhdimisht nga vetja atë çfarë është e papërsëritshme në individët e tjerë;
- si qenie në rolin e caktuar, ashtu si çdokush krijon raportet me çdo gjë që has në jetë dhe botë ... etj.
- kafsha, bima - ato janë pothuaj njësoj për nga "pafajësia" (le ta quajmë kështu në mënyrë figurative) - (Shih pozicionet dhe marrëdhëniet me botën që i rrethon, shqetësimet ne lëvizjet e tyre ... lëvizje të përcjella nëpërmjet fotove "që s’lëvizin" macja Pouchi, etj). Krijesa që ekzistojnë sepse ekzistojnë; krijesa që ekzistojnë për shkak të larmisë dhe bukurisë së tyre; krijesa që ekzistojnë për t'i dhëne frymëmarrje, raporteve me gjithçka që ekziston në bote, sidomos me njeriun.
- sendi - si pjese e domosdoshme e jetës. Në gjendjen e vet natyrale ose të formësuar nga njeriu. I bukur dhe funksional. Ndonjëherë me të vetmin funksion argëtues dhe ne shërbim të shijeve njerëzore. Më shpesh, mjet i përditshëm jetese, sa i zakonshëm, aq interesant.
- fenomeni, natyra - ekzistojnë jo sepse "urdhërojmë" apo "duam" ne. ("Matin et ciel d'hiver" - përrallore!, Zverneci, San Sabastian, etj.) Por, kjo, s'do të thotë se Ajo (natyra) dhe "eskorta" e saj (fenomeni), nuk janë pjesë e jona. Janë brenda nesh. (p.sh, gjelbërimi dhe aromat "dalin" nga fotoja dhe na rrethojnë, për të na çlodhur, etj). Rriten dhe marrin përmasat që ne u japim atyre. Në thelb të tyre është shkruar ekzistenca jonë dhe kjo ekzistencë, edhe pasi kemi vdekur, jeton në natyrën dhe fenomenet.
- marrëdhënia - pa të cilën nuk ka kuptim asgjë. (shih dorën e njeriut në qaforen e qenit, panoramën "Të mbijetosh në shkëmb', "La main d'un rescape", Televizion 1975, etj). Ne japim e marrim me njeri tjetrin, me natyrën, me sendet, me gjallesat. Ne marrim kuptim vetëm në këto raporte. Në thelb, marrëdhënia vjen në fotografi si një gjë që merr fryme, lind, jeton, vdes...Vetë albumi yt, është nje marrëdhënie.
- vepra, puna - në një farë kuptimi, janë të gjitha ato sa përmenda më lart. (Konferencë shtypi, Intervista, Tatuazh, Restauruesi i violinave: gishtat, kapja, pozicioni, Shitësi i luleve - pasion, përkushtim ndaj punës, etj). Pra, specifikisht, janë ato që i japin kuptim jetës. Janë shtrati i një lumi dhe vetë lumi, Janë motivi për ta bërë një gjë dhe vetë gjeja, janë energjia dhe lëvizja ...

Dashamirësisht :
Linda Agolli

P.S. Simbadi ekspozon të shtunën, 13 shtator 2008 në Manhattan ( Studio e Fadil Berishës ) si edhe në datën 20 shtator, në Boston.

Published by Simbad - dans Sprova
commenter cet article
7 avril 2008 1 07 /04 /avril /2008 13:09
Fichier hébergé par Archive-Host.com



KOZMOGONIA E EROSIT


Libri Pasqyrat e Afërditës e Dionis Qirzidhit është sui generis, i çuditshëm. Dionisi njihet si poet dhe studiues - ky dyzim ka krijuar sintezën e veçantë të plleshme dhe vëmendjendjellëse të këtij libri, që e pasuron bibliotekën e letrave shqipe.Teogonia e Hesiodit u njeh fuqi zanafillave të tërë fuqishme llojit të erosëve, përfytyrime mitike të dashurisë seksuale dhe shpirtërore.Sipas Mishel Fukosë gjithçka mitologjike është krijuar në gjenezë nga raportet natyrore të përcaktuara seksuale. Ai, madje, kërkon hapjen e tërë kufijve seksualë, një revolucion global të seksit, si një alternativë, si një simulakrum të qytetërimeve të strukturuara nga kodet morale. Po kjo është më tepër një metaforë e instiktive se sa një realitet i mirëfilltë historik i së tashmes dhe i së ardhmes. Teza e dashurisë shpirtërore është padyshim më triumfuese që ngrihet mbi instinktet natyrore. Mbi këtë paradoks të të gjitha kohërave shtjellohet substanca kulturologjike dhe hulumtuese e këtij libri.Krijimtaria mitike, artistike, seksologjia janë të ndërthurura me tërë temat e mëdha, asnjëherë shteruese, por përherë pllenuese.Libri është një afresk i antropologjisë së dashurisë, shembuj emblematikë, parabola, vargje, citime proverbiale, histori të brishta, tragjike etj., etj., me besimin ekzistencial se pa dashurinë nuk ka njerëzim, se historia e dashurisë është Historia e Njeriut! Erosët - fëmijët magjikë me flatra, janë një ikonografi universale.Shigjetat e tyre plagosin duke i lidhur përjetë zemrat. Miti është i thjeshtë, jeta është e ndërlikuar.Lexojeni këtë libër të Dionisit, për të udhëtuar në realitete dhe imagjinata të kozmogonisë së Erosit, si kryesimbol!

Dr. Moikom Zeqo Tiranë, nëntor 2007

Fichier hébergé par Archive-Host.com
Me një dedikim mjaft miqësor e të vyer, më erdhi libri i fundit i mikut tim vlonjat, Dionis Qirxidhi, i cili prej shumë vitesh jeton në Athinë. Poet, publicist, eseist dhe analist historie, Dionisi është një njeri pasionant i cili gjatë gjithë jetës është dhenë me shpirt pas artit të fjalës së shkruar. Libri i tij i fundit ‘Pasqyrat e Afërditës’, ashtu siç shprehet edhe profesori erudit Nestor Nepravishta, është një dëshmi e punës së tij në botën misterioze të letrave e, më konkretisht, dëshira e një sprovë për t’u futur në atë që quhet ‘bota e miteve, të ndjerit mitik të botës’. Unë, përveç përgëzimeve të sinqerta e tepër miqësore (shto dhe sentimentin e ngrohtë të dedikimit shkruar ne librin-dhuratë i cili është tepër prekës e vëllazëror), kam bindjen se Dionisi më ka dërguar dëshminë e një pune voluminoze, cilësore e pasionante, e cila trajton tema të përjetshme që vërtet fillesën e kanë te mitologjia, por ndërkohë bëjnë pjesë në vetë ekzistencën dhe kuptimin e shpirtit dhe jetës së shoqërisë njerëzore. Nga leximi i tij, them se është një libër i cili gjer tani ka munguar, në përvojën e mangët e të cunguar të sprovës letrare shqiptare e që, për vetë natyrën enciklopedike, sensin poeti të shkrimit e suspensin e rrëfimit, gjykoj se është po ashtu, mjaft i dobishëm jo vetëm për çdo intelektual e njeri të arsimuar, por edhe për lexuesin më të thjeshtë. Urime, pra, i dashur Dionis, për guximin, punën, përkushtimin, përzgjedhjen, pasionin, dedikimet dhe referencat e pasura e të shumëllojshme që ti ke sjellë me aq dashuri në librin tënd. Ngacmime, ndjenja, refleksione e sprova të shkruara me shumë dashuri. Për tema e subjekte që janë në themelet e kulturës botërore e që pa ekzistencën e tyre, njerëzim do të ishte dënuar të jetonte në muzgun eternel të padijes si edhe në nje varfërie të frikshme shpirtërore. Me dashuri e me ndjenjën e falënderimit të thellë, Dionis,  të dërgoj përgëzimet e mia më të sinqerta !
 
Vasil QESARI

Published by Simbad - dans Sprova
commenter cet article
22 mars 2008 6 22 /03 /mars /2008 14:32
Fichier hébergé par Archive-Host.com


Sot, më erdhi libri antikuar Konti i Montekristos, në frëngjisht. Është botimi i parë  i tij, nga Shtëpia Botuese Le Siècle (1846). Pata marrë pjesë, para ca kohësh në një ankand, fare rastësisht, dhe arrita ta blej këtë brilant të letërsisë botërore. Provova një gëzim të madh, teksa hapa kopertinën e tij të zverdhur nga koha, prej plot 162 vjetësh. Një gëzim të veçante, për më tepër që, pikërisht tani, jam duke shkruar sprovën Misteri Montekristo.

Nga Simbad Detari

Pjesa e parë dhe e dytë e Kontit të Montekristos, u botuan si fejton në Gazetën e Debateve (Le Journal des Débats), duke nisur nga 28 gushti gjer në 26 nëntor 1844, ndërkohë që pati edhe një ndërprerje të gjatë për probleme të ndryshme. Kjo, për arsye se një gazetë tjetër, Shtypi (La Presse), me të cilën Dumas kishte nënshkruar kontratën, synonte të rriste abonimet dhe ai qe angazhuar qysh në 16 tetor që të botonte aty, romanin Mbretëresha Margo (La Reine Margot) i cili do vijonte fill pas romanit të Balzac-ut Fshatarët (Les Paysans). Por, ky i fundit, i kishte mërzitur aq shumë lexuesit sa që gazeta Shtypi, vendosi ta ndërpresë vazhdimin e botimit duke i kërkuar Dumas, që të sillte sa më parë fejtonin e premtuar. Por, sigurisht, kjo do të thoshte që vazhdimi i Kontit të Montekristos të vonohej. Nga ana tjetër, fillimi i vitit 1845 u shoqërua edhe me skandalin e Eugène de Mirecourt i cili ishte hedhur në një sulm të ashpër publik, lidhur me vërtetësinë e autorësisë së romanit. Për pasojë, kjo akuzë e shtrëngoi Dumas, të bëjë padi në Komitetin e Shkrimtarëve si edhe në gjykatë.

Ndërkohë, Dumas duhet të përballojë njëherësh, edhe porosi të tjera nga gazeta tëndryshme. Kështu, nga janari gjer në mars 1845, ai duhet të furnizojë me kapituj të tërë, njëherësh, gazetat: Shtypi (Mbretëresha Margo), Shekulli (Pas njëzet vjetësh), Atdheu (Lufta e Grave). Në muajin prill, Mbretëresha Margo, mbaron së botuari, por në maj nis Kalorësi i shtëpisë së kuqe. Ndërkohë, lexuesve të Gazetës së Debateve u duhet të presin qershorin, për të ndjekur vazhdimin e fejtonit të lenë përgjysmë e që do vazhdojë gjer në 15 janar të vitit 1846, me pauza të shkurtra, në muajt tetor e nëntor. Paralelisht me ato, botuesi Pétion nxjerr në 18 volume, librin që mban titullin Konti i Montekristos. (Në origjinal, në frëngjisht, në këtë botim ai mban titullin Le Comte de Monte -Christo e pastaj, në botimin prej 12 volumesh, të gazetës Shekulli, nga Pétion dhe Michel Lévy, (1846) behet Le Comte de Monte-Cristo ( pa - h -).



'MISTERI MONTEKRISTO'


... Ka qenë një dëshirë imja mjaft e hershme, që të shkruaja diçka rreth romanit të shquar të Alexander Dumas Konti i Montekristos, si edhe për kujtime të tjera që lidhen me të dhe vitet e paharruara të adoleshencës. Të hidhja, pra, thjesht ca shënime për librin dhe autorin e tij, por edhe për atë çka ai roman përfaqësonte në lodrat, pasionet, mendimet dhe botën tonë shpirtërore të vegjëlisë e rinisë së hershme. Por, ëndrrat shpesh mbeten veç të tilla e kështu kaluan vite e vite të shumta e ja, tani, pas ngurrimesh e justifikimesh nga më të ndryshmet, me sa duket erdhi koha të vendos të ulem e të shkruaj, për misteret e asaj moshe dhe sigurisht, shumë më gjerë, për romanin në fjalë.

Vërtet, rrallë, mund të ndodhë që një libër të zërë aq shumë vend e të mbetet një kujtim e brengë eternele në jetën e një njeriu, ashtu siç më ka ndodhur mua, me romanin Konti i Montekristos. Sigurisht, nuk dëshiroj të tregohem egoist e ti a hedh gjithë këtë atribut vetes, nga që ky libër ka qenë e mbetet i dashur dhe i paharruar për miliona e miliona adoleshentë e të rritur, kudo në botë. Por, them kështu nga që do të doja ta lidhja këtë ndjenjë me të kaluarën si edhe me vendin që zinin aso kohe, në botën tonë shpirtërore, heronjtë e shumë librave të kësaj natyre. Të rikthehesha, pra me dëshirë, në fëmijëri nga që ajo është vazhdimisht në memorien time: e gjallë, e paharrueshme, e përjetshme ! Dhe, pse ta mohoj, duke vepruar kështu, të mund të vija në vend atë premtimin tim të dikurshëm e të ndrojtur, se një ditë do ulesha të shkruaja për ta rikujtuar sipas mënyrës sime, atë roman aq të shquar si edhe kohën që lidhet me heronjtë e tij.

Siç thashë më lart, ka qenë pikërisht koha e vegjëlisë, atëherë kur si për shumë moshatarë të mi, leximi i librave qe pasioni më i madh e kur, çdo ditë e gjer netëve vonë gëlltisja me uri të pafund, faqe pambarim nga çdo lloj libri që më binte në dorë. Sigurisht, aso kohe, botimet ishin të pakta e në më të shumtën e rasteve të mërzitshme e të politizuara, kështu që shumë lexues gjuanin gjetkë; pikërisht të ashtuquajturit libra të verdhë të cilët ishin botuar gjatë kohës së mbretërisë apo para saj pra, para ardhjes në fuqi, të regjimit komunist. Dhe ishte pikërisht prej shokut tim të ngushtë të atyre viteve, bibliofilit të pasionuar, të ndjerit Sotir Koçi, që unë munda të lexoj shumë libra, të cilët me përmbajtjen e tyre më hutonin e trullosnin krejtësisht, duke më çuar në një botë krejt ndryshe nga ajo që na rrethonte. Ishte pikërisht prej tij që munda të siguroj edhe fashikujt e parë të romanit Konti i Montekristos, të cilat në se nuk gabohem qenë botuar aty nga mesi i viteve ’30, prej shtëpisë botuese Luarasi në Tiranë.

Ishin një dëng fashikuj i vjetruar nga koha, prej 30 apo 40 faqesh secili, të cilët miku im Sotiri apo Bukinisti Mendel siç ia kisha vënë nofkën unë, nuk e di se nga i kish gjetur e që në kohën e mbretërisë, me sa dukej botoheshin për çdo javë, duke mbajtur kështu në suspense lexuesit që prisnin me ankth vazhdimin e tyre, për të njohur me tej ngjarjet mbërthyese të romanit në fjalë. Dhe, po e njëjta gjë, më ndodhi dhe mua. I morra fashikujt e rashë përmbys mbi to dhe, i përfshirë nga rrëfimi magjistar dhe ngjarjet e paimagjinueshme, nuk kisha durim qe t’i lexoja siç duhej por përpija faqet, duke krijuar me imagjinatën time si në një film herë rrëqethës e herë plot shkëlqim, ngjarjet dhe situatat dramatike që përjetonin personazhet e tij. Më vonë, dy a tre vjet më pas, nuk mbaj mend se si më ra në dorë, një botim tjetër ose më saktë një libër ku, fashikujt e romanit në fjalë ishin lidhur mirë e bukur së bashku, duke formuar kështu një libër tepër të trashë, mbërthyer me një kopertinë të fortë e të ilustruar. (Romani, pastaj, do të botohej vite më pas, me përkthimin e të njohurit Halit Selfo. E, edhe kjo gjë, kjo ngjarje e shënuar për shumë e shumë të rinj e lexues të asaj kohe, më hap nje tjetër sipar kujtimesh që më çojnë edhe ato, në rininë time të hershme ...)

Por, më së tepërmi nga ato vite kujtoj, se me sa ndjenjë e pasion, me ç’dashuri pothuajse të marrë e doja atë libër të vjetruar nga koha; kur mendoj personazhin Edmond Dantes, të parë për herë të parë në filmin me të njëjtin titull, luajtur nga aktori i shquar francez, Jean Marais, kuptoj fare mirë se unë atëherë, përjetoja një gjendje të tillë shpirtërore së cilës vetëm personazhe të tillë si Konti i Montekristos, mund t’i jepnin ideale frymëzuese, kuptim, emocione të veçanta e njëkohësisht, ngushëllim.

Ai libër, me ato ndodhi sa tragjike dhe heroike, me fletë të zverdhura nga koha e i lexuar kushedi sa herë, me ato ilustrime mahnitëse që vinin nga kohë e vende të panjohura, morri dhe më tepër jetë, atëherë kur në Shqipëri u shfaq për herë të parë filmi Konti i Montekristos, i realizuar sipas romanit te Alexander Dumas. Dhe ishte i madhi artist francez, Zhan Mare (Jean Marais), i cili luante në të rolin e Edmond Dantés. Zhan Mare - heroi i filmave tanë të vegjëlisë ! Artisti i shquar, legjenda, miti ynë i adhuruar, të cilin për herë të parë e njohëm aty, në kinemanë e vjetër të qytetit tonë. Aty, ku për të siguruar një biletë, zhvillohej një  ‘betejë’ e vërtetë e cila vazhdonte disa orë, mes zhurmës dhe poteres së qindra njerëzve që hipur mbi njeri tjetrin, në sportelin e vogël me hekura të kinemasë, shaheshin, shtyheshin, qëllonin me grushte, gjakoseshin ... vetëm e vetëm për të parë, të ‘gjallë’  - Kontin e Montekristos ...

Aty para hyrjes së kinemasë ku, një evgjit shtatvogël, me sy të picërruar e fytyrë të nxirë nga tymi i mangallit me qymyr, shiste si gjithmonë, gështenja të pjekura mbështjellë në kaushë letre. Aty, në hollin e zhurmshëm të saj qe kundërmonte erë urinë e që ne as që na bezdiste fare, nga që mendonim se ishte thjesht aromë acetoni, nga ai me të cilin ngjiteshin shiritat e filmave që shpesh digjeshin apo këputeshin, gjatë seancave të shfaqjes. Aty, mes tymit të cigareve dhe erës së djersës së qindra njerëzve, me sytë ngulur para pëlhurës së bardhë, ku lëviznin imazhe e shpaloseshin ngjarje që mbushnin limontinë, vogëlsinë dhe zymtësinë e jetës sonë të vobektë. Aty, në sallën plot, ku shfaqej drama e jetës së Edmond Dantes e, kur teksa ndërroheshin bobinat e akteve dhe për dy-tri minuta filmi ndërpritej e ndizeshin dritat, të gjithë thërrisnin në korr e plot sharje, duke i bërtitur operatorit të kinemasë:
- Shpejt, ndërroi bobinat, Qani !... Të zuri gjumi, ë ?!
I përhumbur mes atyre kujtimeve të largëta, të cilat them se më kanë dhuruar më tepër emocione se gjithë bukuritë e botës që kam parë gjer më sot, vazhdoj të eci i përkulur si Diogjeni me kandil, me sytë përdhe, për të vazhduar edhe me tej përjetimin e emocioneve të tilla fëmijërore. Dhe, them se ato, pavarësisht nga varfëria dhe mizorja e thellë, kanë qenë vërtet çaste të bukura, tepër të rralla ...

Por, përse ai libër, pse historia që ai rrëfen, fati, drama dhe lavdia e shkëlqimi i personazhit të tij kryesor, Edmond Dantes, më patën rrëmbyer aq shumë e ai, ish bërë heroi im, idhulli, miku im intim - personazhi me të cilin jetoja e guxoja të ndërtoja plot ëndrra aventurash të bukura e të paimagjinueshme? Sot, kur rri e mendoj për t’i dhenë përgjigje kësaj pyetje, them se së pari, kjo ndodhte nga që unë përjetoja ne mënyrë tepër intensive dhe romantike adoleshencën, moshën e kërkimit të modeleve dhe heronjve udhëheqës shpirtërorë. Por, nga ana tjetër mendoj gjithashtu se, në atë kohë ne jetonim në një shoqëri tepër agresive, plot padrejtësi e pabesi dhe shumë njerëz, pa dyshim, ishin të prirë të ëndërronin ngadhënjimin e së Mirës ndaj së Keqes. Por, kjo ëndërr e bukur dhe pasiononte, ishte një brengë e cila ta plagoste shpirtin thellë e për më tepër krejt e pamundur. Dhe, ja, mes kësaj gjendje dëshpërimi, vinte Edmond Dantes, ky njeri i thjeshtë i ndëshkuar gjer në ekstrem nga pabesia e ligësia. Vinte me historinë e jetës së tij, duke na dhënë kurajën se shpresa, kurrë s’duhet humbur. Me mesazhin idealist e ngushëllues se edhe një njeri i vetmuar, mund të arrinte në ‘lartësinë e qiejve’, për të bërë diçka kundër padrejtësive, errësirës, së keqes dhe dhunës ...

E, përveç kësaj, ca ngjarje të rëndësishme që ndodhnin në atë roman, a s’kishin të bënin me personazhe të cilët për ne, ishin jo pak të njohur ? Ali Pashë Tepelena, fortesa dhe liqeni i Janinës, gruaja dhe vajza e Aliut - Vasiliqia dhe Haydeja - tradhtia dhe vrasja e tij e pabesë; të gjitha këto e të tjera, a s’kishin të bënin me historinë tonë ? E pastaj, ai ekzotizëm vezullues që shoqëronte Kontin e Montekristos, a nuk nxiste ëndrra dhe përfytyrime llamburitëse të cilat i jepnin ushqim fantazisë duke provokuar ëndrra, idhuj, skena, heronj e mite ? A s’ishte mahnitëse, ajo mjeshtëri magjepsëse e Alexander Dumas për ta bërë Edmond Dantesin herë Kont të Montekristos e herë lord Wilmore, abat Bussoni e Simbad Detari. A s’më shoqëronte në çdo faqe të romanit, një ngazëllim drithërues e mahnitës, teksa përjetoja fatin tragjik të kapitenit të thjeshtë Edmond Dantes, i cili pastaj në mënyrë të pabesueshme, kthehet e bëhet mbinjeriu Montekristo ?

Ai fat magjepsës që e çon atë nga errësira në dritë, nga fatalizmi në shpresë, nga vdekja në një rilindje vezulluese rrethuar plot thesare e lavdi ? A s’ishte ai, pra, një hero kozmopolit, i drejtë, i ndershëm dhe tepër i pasur ? Nje person gjeni i cili nuk e pranonte të pamundurën? Pa dyshim, me gjithë ato veti sugjestionuese, Edmond Dantes, s’kishte se si të mos shndërrohej para syve të mi, në një model heroik i cili merrte trajtat e një shenjtori ...


(fragment nga sprova 'Misteri Montekristo' shkruar nga Vasil Qesari)

Published by Simbad - dans Sprova
commenter cet article
10 janvier 2008 4 10 /01 /janvier /2008 18:17

Fichier hébergé par Archive-Host.com

'Ishulli i të Vdekurve' – nga Arnold Böcklin (1880)
Pikturë në vaj, përmasat 111 x 155 cm.
Bazel - Öffentliche Kunstammlung ( Kunstmuseum )


Koment nga Spiro BILLA

I dashur Simbad,   
        
“Ishulli i te vdekurve“ është padyshim nje tablo sugjestionuese. Sa e pashe pa ditur as titullin e as përmbajtjen, me ndolli vdekjen. Por, jo si rrezik i humbjes se jetës, por si nje ‘kontenier’  konservativ i nje  gjendje  te amshuar. Ndijimi ishte gati fiziologjik: ere qiparis e katakomb. Është interesante, se nje ndjeshmëri paranormale ne se mund ta quaj kështu kam patur me fjalën angleze halloween (halluin). Sa e dëgjova për here pare, ndjeva qe kishte te bënte me vdekjen. U përpoqa te kuptoj, psenë ? Kush e di çfarë lloj substancash, çlirohen ne tru nga reaksione kimike te panjohura te cilat stimulojnë këtë përkatësi  por me kot ... apo ndofta, kemi te bëjmë me nje asociacion qe nxit ngjashmëria e fjalës ‘halluin’ me fjalën  hallve, simbol i vdekjes te myslimanet tanë ...!!
 
Por, ajo për te cilën po te shkruaj, i përket nje refleksioni me te thelluar dhe nje vëzhgimi te vëmendshëm ; nuk me janë shqitur sytë për nje kohe te gjate. Dhe e kam riparë, se edhe komentet e tua dhe ato qe janë thënë për te janë mbreselenese. Por, duke e pare me vëmendje unë kam nje interpretim tjetër ose te themi me mire : nje “hipoteze për nje koment tjetër”
 
Po te shohësh me vëmendje varkën, ajo po largohet nga ishulli : kam dy argumente për këtë: E para, varkari (te themi Karoni sepse Bocklin ishte nje ikone e simbolizmit evropian) është me shpine nga bregu dhe i përkulur ne pozicion tërheqje dhe jo shtyrje, madje ky është pozicioni normal i vozitjes E dyta, maja (bashi) i varkës ndodhet nga bregu dhe kiçi nga ishulli, sepse ngarkesa (arkivoli) padyshim qe do vendoset nga ana me e rrafshet, se sa nga ajo me e pjerrëta. Te kemi te bëjmë me nje lajthitje te autorit? Po le te themi qe jo.
 
Pra, kahu i lëvizjes është ishull-breg ; varka po largohet nga ishulli dhe ne këtë pikëpamje te gjitha komentet  invertohen. Nga vdekja lind jeta? Ndoshta! Drita e reflektuar nga shkëmbinjtë, megjithë trishtimin qe ajo përcjell, ka nje qartësi dhe nje rrezatim me tepër mëngjesor. Ka mundësi qe i vdekuri i varkës, te jete refuzuar nga ishulloret, sepse ai shfaqet i vetmuar dhe atij duhet ti jene mohuar nderimet mortore dhe, sipas mitologjisë, ai duhet te endet edhe 100 vjet te tjera ne brigjet e lumit Stiks para se te pranohet ne Ferr. Apo ndoshta atij kane harruar ti vene monedhën ne goje, veprim i detyrueshëm për te kaluar pengesën ujore. I vdekuri nuk i shqit sytë nga ishulli ; shkon ne tabut dhe kthehet ne këmbë i fashuar këmbë koke me nje “ereksion sugjestionues”. Po ku? Ai ndodhet midis dy boteve e kjo, me kujton ne nje fare mënyrë Kolonel Shaberin e Balzakut: i gjalle mes te vdekurve dhe i vdekur mes te gjallëve.
 
Shih, me kujdes shkëmbin majtas : duket si nje përbindësh ne formën e nje hipopotami gojëhapur. Por, pamja e tij nuk është kërcënuese, madje është vajtuese, keqardhese. Për çudi, ishulli duhet te jete  rast unikal i nje simbolike dykuptimore, diametralisht  te kundërta: nga njëra ane, si simbol i shpëtimit, lumturisë, begatisë ( kujto Robinsonin, Majorka, Kapri, Bahamas, Rodhos, Santorini ... Anglia etj) dhe nga ana tjetër, si simbol i izolimit i dënimit e fatkeqësisë ( Shën Elena, Elba, Sazani, Manastiri Zvernec ). Vdekja është nje izolim nga jeta. Por i vdekuri i tablosë, nuk është i denje për te ! Pra, pavarësisht, se ai dërgohet drejt tij, ai prape është i vdekur,ai nuk e braktis arkivolin: hija e tij projektohet kryq mbi te ...
 
Madje, me rezolucionin qe lejon kompjuteri im ne disa pjese, sidomos ajo poshtë qiparisave me shëmbëllen si nje tablo impresioniste, ne këtë pike  (këtu mund te gaboj): ne gjysmerrësirën e krijuar prej tyre, dallohen disa figura te turbullta, imazhe fantomatike te vdekurish qe shoqërojnë me vështrim te vdekurin tone. Ç’ka dashur te thotë atëherë Arnold Bocklin? Po e leme këtë mendim, pa përfunduar, te hapur…

***

Published by Simbad - dans Sprova
commenter cet article
12 décembre 2007 3 12 /12 /décembre /2007 19:29

Fichier hébergé par Archive-Host.com


SENTIMENT ETERNEL

Spiro Billa, miku im i vjetër nga Vlora – frankofon e frankofil 'stoik'  - para ca ditësh, më dërgoi në shqip një tregim të shkurtër, përkthyer nga një autor francez. E lexova atë, në fillim, me indiferencë e, pastaj, kur mbarova frazat e para, u përqendrova edhe më tepër në subjekt. Ndërsa, kur e mbarova atë, përjetova brenda vetes, një ndjenjë delikate: të bukur, të dashur, të dhimbshme e të largët. Një ndjenjë të tillë që s’ka as moshë, as mort e, ne te cilën, kthehemi padashur shpesh herë, për ti thëne vetes se në jetë ka ca gjëra, të cilat mbeten të shtrenjta e eternele, gjer në vdekje ...

Simbad Detari


DITELINDJA
 

Ra zilja, ora është katër e gjysmë. Mbas një mjegulle të lehtë, dielli i zbehtë i një dite të bukur tetori, ndriçon ende oborrin me reflekse të ftohta e të praruara. Mësimi mbaroi dhe ti ike,  u nise së bashku me shokët. E qeshur, pa më hedhur fare sytë, mua me gjithë 12 vjetët e mi. E, unë nuk shoh veç ty, sytë e tu të mëdhenj e të gjelbër, flokët e gjatë, të zinj. S’po vete në shtëpi, po rri në shkollë. Deri në orën pesë kemi pushim, pastaj, përsëri studim deri në gjashtë ...
 
Mësuesja, gjithë kohës, rri ulur në katedër. As që merret me ne, por lexon gazeta. Hera herës, lëshon ndonjë vështrim në drejtimin tonë, për të parë  ç’bëjmë: a rrime urtë, a bëjmë detyrat. Nuk më mësohet. Jo se nuk i dua mësimet, por nga që ti s’je aty. Kjo më mërzit, ti me mungon. Në pushim s’luaj me shokë. Largohem prej tyre. Ata bredhin e çirren mes tyre. Mua më pëlqen të rri vetëm. Mbushem me kujtime për ty dhe ndjehem i verbuar. Kur ti je në klasë, më duket sikur shoh diellin me sy. Më bëhen ca njolla të ndritshme, me formën e buzëve të tua, syve të tu, trupit tënd. E, unë, i mbyll me shpejtësi qepallat, për të të parë akoma, pafundësisht, aty në errësirën e syve.
 
Nuk dal në mes të oborrit, s’kam qejf të rri me të tjerët. Ata bëjnë si të luajtur e gjithmonë më shtyjnë. Po shkoj me tutje, aty ka pak bar dhe një stol prej guri, mbuluar me myshk. Ulem nenë hijen e një gështenje me gjethe smeraldi të arta, ashtu si sytë e tu. Është bukur dhe qetë aty ! Më pëlqen të ulem në atë kënd, gjatë pushimit të mbrëmjes, para studimit. Më pëlqen të ulem mbrëmjeve, para studimit. Por, hera herës kur hap sytë, megjithëse shoh që ti s’je aty, prapë mendoj për ty. Pastaj, marr librin dhe lexoj poemat e Ronsardit. Jo për të të harruar. Jo, përkundrazi:  për të të gjetur aty, mes rreshtave. Sepse ti je aty, kudo, në odë, në baladë, në vargjet e asaj sonetës që thotë : ‘Vogëlushe, do të shohim se si trëndafili ...’ Sa të bukura poemat e Ronsardit edhe pse ndonjëherë s’kuptoj se ç’farë thonë ... Por, megjithatë, jam i sigurtë. Ty, një fustan i purpurt, të shkon shumë. E ç’farë nuk të shkon ty ?!...
 
... Dhe sot, më në fund, vendosa ! Do të shkruaj për të thënë, se sa e bukur je e për të uruar ditëlindjen, sepse ti nesër mbush 12 vjeç e, po ashtu, të të them se kam shumë dëshirë që të dal me ty. Fillimisht, mbi një fletë që e përdora si kopje, shkrova: Ah, zuskë, sa e bukur je !? Por shpejt e fshiva atë shprehje. E di, po qe se shkruaj kështu, ti s’do ta kuptosh që jam unë. Nga që kështu flasin, gjithë çunat e klasës. Ata i fillojnë frazat me fjalen: Zuskë ...!  Dhe i mbarojnë me ‘afërmendsh!’ E, unë s’mund të bëj si ata. Ata, me muskuj e tyre ngjyrë bronzi të thyejnë brinjët, kurse unë jam një thatim i zbehtë, i bardhë  si një hape aspirinë. Dhe ti, nuk m’i hedh fare sytë. Pra, duhet të të shkruaj gjëra të bukura, në se dua që vërtet ti të më pëlqesh. Atëherë, do bëj si Ronsardi, kur i shkruante të dashurës, Kasandrës. Dale, prit ? A e di se ajo qe tamam 12 vjeçe, sa ti ?! Sa ti, Lolita ime ! Sepse, s’janë vetëm duart që përkëdhelin, por edhe fjalët.   

Sapo bleva një kartolinë me lule të cilat më verbojnë, si ato që ti ke mbi ‘xhinset’ e tua. Në të ka edhe ca temina argjendi që shkëlqejnë si sytë e tu, kur vështrojnë djemtë e tjerë, ata më të rriturit, ata 14 vjeçarët. Dhe mbi letër po shënoj ca fjalë për ty. Fjalë të bukura për të uruar ditëlindjen, për të thëne që ti, je më e bukura! Ke për të parë ! Kartolina ime do të jetë për ty, buqeta më e bukur. Një buqete me lule, nga njëra ane me lule e nga ana tjetër, me fjalë.  

I zhvata nenës time një zarf të bardhë e, më pas, një pullë shumë të bukur që tregon dy të dashuruar; me ca zogj të vegjël e një kioske me muzike, mes një kopshti publik. Ndërsa po të shkruaj, koha ikën me vërtik e as marr vesh ç’behet gjatë pushimi të madh. Të gjithë, kanë dalë përjashta, plot potere e gaz. Shpesh, them se ata, janë vërtet të lumtur. Ata kukurisin së bashku, ndërsa unë rri e mendoj për ty, ndjehem i vetmuar dhe i trishtuar ...

Sa të futemi në studim, do vë adresën tende mbi zarf dhe do ngjis pullën që kështu ta postoj letrën, para se të kthehem në shtëpi e ti ta marrësh nesër mbrëma. E di ? Ishte Misheli që ma dha adresën tende. Ai, Mishel Shanuja, me të cilin ti dilje vjet, semestrin e fundit. Gjithsesi, unë po të kisha qenë në vend të tij s’do të braktisja, por do qëndroja për gjithmonë me ty !...
 
Mirë. Po kthehem në studim. Kemi edhe një orë akoma. Dhe vazhdoj të mendoj për ty. Ku ndodhesh, vallë, tani që unë jam këtu ? Hedh sytë përreth. Shokët kanë nxjerrë fletoret, merren me kleçka, bëjnë ushtrime ... ndërsa, unë kopjova  edhe një here letrën, e pastaj e rilexova, për të parë në se më kish shpëtuar ndonjë gabim. Dhe pyes veten: Çfarë do të mendosh vallë, ti, nesër mbrëma, kur ta lexosh atë ? Në fund, vura disa pika ... sepse dëshiroj që ajo të ketë vazhdim. Unë, shpresoj të shkruaj shumë letra të tjera, kam kaq gjera për të thënë, ti e di ?!
 
Mësuesja vazhdon të rrijë si gjithmonë, në katedër, me hundën futur mes revistash. Hera herës, ajo seç shënon në fletoren e saj, ndoshta edhe ajo, gjithashtu, po i shkruan dikujt që dashuron. Mirë, ja, tani mbarova ! Futa letrën në zarf ... tani, vetëm pulla, mbetet për tu ngjitur.


***
Por, pikërisht, atë çast më solli në vete infermierja :
- Babush, akoma, në gjumë jeni ? Këtu, nenë gështenjë ? Bëhuni pak i arsyeshëm! Tani është tetor, mbrëmjet janë freskuar dhe ju, ende s’e keni veshur fanellën. E, pastaj do ju fillojë kolla ! Hajde, babush, futuni brenda tani ... Është orari i darkës e për më tepër, sonte, kemi edhe një surprizë të vogël për ju.
 
Eh, e di, surprizën e tyre ! Sonte, në mensë, kanë përgatitur një goxha ëmbëlsirë, për ditëlindjen time. Pikërisht, sot, unë mbush 89 vjeç. Po, vërtet ! Këtu, në azil, kujdesen shumë për mua. Jo, s’qahem dot. Vërtet, infermierja, nganjëherë, më gërthet, po në botë asgjë s’është e përsosur ! Asgjë, veç teje,  Lolita ime ! Por, ti, s’je veç një ëndërr. Ëndrra e rinisë, e rinisë sime ! Oh, e rinisë sime, aq shumë të largët ...
 
( Përktheu nga frengjishtja: Spiro Billa )

Published by Simbad - dans Sprova
commenter cet article