Overblog
Suivre ce blog
Administration Créer mon blog

RUBRIKAT

 

Fichier hébergé par Archive-Host.com Fichier hébergé par Archive-Host.com Fichier hébergé par Archive-Host.com Fichier hébergé par Archive-Host.com Fichier hébergé par Archive-Host.com Fichier hébergé par Archive-Host.com Fichier hébergé par Archive-Host.com Fichier hébergé par Archive-Host.com Fichier hébergé par Archive-Host.com Fichier hébergé par Archive-Host.com Fichier hébergé par Archive-Host.com Fichier hébergé par Archive-Host.com Fichier hébergé par Archive-Host.com Fichier hébergé par Archive-Host.com Fichier hébergé par Archive-Host.com Fichier hébergé par Archive-Host.com


Fichier hébergé par Archive-Host.com 


Fichier hébergé par Archive-Host.com 


Fichier hébergé par Archive-Host.com 


Fichier hébergé par Archive-Host.com


Fichier hébergé par Archive-Host.com

SUPLEMENTE


'AMARUS'

( klikoni mbi imazhet më poshtë )

 

Fichier hébergé par Archive-Host.com

 


Fichier hébergé par Archive-Host.com
 

 


  Fichier hébergé par Archive-Host.com   



Fichier hébergé par Archive-Host.com  



Fichier hébergé par Archive-Host.com  


Fichier hébergé par Archive-Host.com


Fichier hébergé par Archive-Host.com 

 Apartament-me-qera-Vlore.jpg
20 octobre 2008 1 20 /10 /octobre /2008 22:42

Manhattan.jpg
 Pamje nga Manhattan (Foto - Vasil Qesari )


NË MANHATTAN

Nga Simbad Detari

Për këdo që vetëm ka dëgjuar, por nuk e ka vizituar ishullin Manhattan në New York, ndofta pamja e parë që përfytyron është ajo e kartëpostales së njohur me Statujën e Lirisë dhe një grumbull të madh grataçielësh, të cilët ngrihen lart në qiell e janë aq të ngjeshur me njëri tjetrin, sa njeriut të ngratë mes shtrëngesës së tyre i zihet fryma dhe vetja i duket si një milingonë. Me këtë përfytyrim u nisa drejt tij edhe unë, ndërsa vetura përshkonte urën Brooklyn, për të mbërritur në zemër të tij. Por, jo, ky ishte thjesht një impresion i rremë, nga që sapo hyn në brendësi të tij, të shfaqet një qytet jo vetëm gjigant por edhe plot gjallëri, rrugë e trotuare të gjerë si edhe shume sipërfaqe të gjelbra të cilat shtrihen ane e mbanë, në Central Park, Bowling Green Washington Square Park, Union Square, Tompkins Square Park, Battery Park etj.
 
Me një guidë të vogël në dorë, në frëngjisht, mësova pa mbërritur mirë në të, se Manhattan është një nga njësitë administrative të New York-ut ( katër të tjerët janë: Brooklyn, Queens, Bronx dhe Staten Island ) dhe ka nje sipërfaqe prej 58,8 km2. Me një dendësi popullsie e cila i kalon gjithë qytetet e tjera të Shteteve të Bashkuara, ai është zemra ekonomike, financiare dhe kulturore e vendit (me muze të njohur botërisht, si ‘Metropolitan Museum of Art’, ‘American Museum of Natural History’, ‘MoMa’, ‘Guggenheim’, ‘Frick Collection’ etj.)

 
Me të drejtë thuhet se po nuk ke vizituar Avenynë e Pestë (Fifth Avenue), nuk ke parë asgjë nga Manhattan. Dhe kjo është e vërtetë, nga që ajo është arteria me e rëndësishme e tij e cila përshkon anën lindore të Central Park dhe qendrën e Midtown. Ajo është një nga ‘avenytë’ më të njohura dhe të rëndësishme në botë, ashtu siç janë Oxford Street në Londër dhe Champs Élysées në Paris. E ndodhur mes parqesh të shumtë si edhe ndërtesash të shumta financiare, ajo përbën një nga simbolet e pasurisë së Amerikës. Ndërkohë, Avenyja e Pestë, përsa i përket çmimeve për metër katror, konsiderohet si më e shtrenjta në botë, pas rrugës Sloane Street në Londër. Përgjatë saj, ndodhen shumë mjedise turistike si edhe ndërtesa me famë, të tilla si ‘Empire State Building’, ‘New York Public Library’, ‘Rockefeller Center’ dhe ‘Katedralia Saint-Patrick’, Akademia mjekësore e Nju Jorkut (New York Academy of Medicine) dhe spitali i njohur ‘Mount Sinai Hospital’ ...
 
Manhattan, është ndër të tjera edhe vendi i të papriturave, ndofta nga më të paimagjinueshmet. Ti, pa e ditur fare, mund të ndodhë që të ecësh në një trotuar, të blesh në një magazinë apo të drekosh në një restorant, përbri një shkrimtari, shkencëtari apo artisti të shquar botëror. Kështu, na ndodhi edhe ne, ndërkohë që kalonim me makinë, në të majtë të Central Park. Trafiku qe i dendur dhe vetura ecte ngadalë, ndërkohë që në hyrjen e një hoteli luksoz, pashë një turmë të madhe njerëzish, mes të cilëve një grumbull fotoreporterësh. Dhe, ndofta nga forca e kërshërisë apo instinkti i profesionit, i thashë mikut tim Filip Gazulli në se mund të zbrisja për të mësuar se, përse aty ishin mbledhur aq shumë njerëz. Filipi ndaloi për dy-tri sekonda dhe shkoi të gjente ndonjë vend për të parkuar makinën, gjë e cila në Manhattan është aq e vështirë sa që mund të quhet një mrekulli e vërtetë. Ndërkohë, zbrita dhe u shtyva mes turmës dhe duke treguar kartën e gazetarit, mund të kaloj edhe gardhin e fundit të policëve. Pyeta dhe mësova se prej atij hoteli (The Ritz –Carlton), pritej të delte këngëtarja e shquar, Céline Dion. Prita edhe unë bashkë me të tjerët dhe pas nja njëzetë minutash, ajo doli nga hoteli i shoqëruar nga thirrjet e qindra 'fans' - ëve si edhe blicat e dhjetëra reporterëve. Duke qenë as dy metra larg saj, munda ti bëj një fotografi. Pastaj, këngëtarja e shquar, u largua e shoqëruar nga një varg veturash e ulërima alarmesh policie, sikur të ish kryetari i një shteti të madh ...



 Celine-Dion.jpg
Celine Dion (Foto - Vasil Qesari)
 
Sigurisht çdo njeri që ndodhet në New York, qoftë dhe për tri - katër ditë siç më rastisi mua, nuk mund të mos dëshirojë të bëjë një shëtitje në Brodway. Kështu, pra bëra dhe unë, i shoqëruar nga Anna dhe ‘guida’ ime Monika e cila më kujtonte ‘Natalinë’ e Gilbert Becaud. E, ndërsa po ecnim në këmbë, pikërisht aty përreth City Hall Park ku zhvillohen paradat e mëdha popullore që përkujtojnë ngjarje kombëtare apo të tjera të shënuara, mua mu kujtua vetëtimthi, Tirana e viteve tona studentore. Ishte aso kohe, një rrugë të cilën ne e quanim ‘Brodway’ e cila niste dhe përfundonte te Pallati i Kulturës, duke përshkruar rreth e qark ‘Rrugën e Barrikadave’. Nuk e di, kush kish qenë i pari ai që e kish quajtur atë me një emër të tillë, por ajo ishte vërtet rruga me e populluar e kryeqytetit dhe zemra e shëtitjeve të rinisë së asaj kohe, e cila njëkohësisht të bënte të nënqeshje hidhur, me emrin e saj ironik: Brodway ...

Në fakt, Brodway është i vetmi aks i cili përshkon nga veriu gjer në jug ishullin Manhattan dhe sigurisht, në mënyrë integrale atë s’mund ta përshkosh, veçse me makinë. Por, ja vlen ama, të ecësh në këmbë, pikërisht përreth City Hall Park, aty ku zhvillohen paradat e mëdha popullore, të cilat përkujtojnë ngjarje kombëtare apo të tjera të shënuara. Përfitova nga rasti të bëja fotografi, pikërisht ndërkohë që para meje, shihja qindra reklama të ndritshme, hiper - gjigante, plot ngjyra marramendëse dhe lëvizje shumëkahëshe. Ndodhesha pra, në zemër të Brodway, aty ku firmat dhe kompanitë me të njohura botërore, (perandoritë miliardere), demonstronin famën, fuqinë dhe madhështinë e tyre planetare e ku, njeriu i gjorë – ai i zakonshmi – e ndjen veten të vockël e pothuajse të pavlerë, pikërisht nga spektakli dhe arroganca e Forcës së Parasë  ...


Phantom-Opera.JPG

 

Në Brodway, pata fatin të shoh një shfaqje. Mes rrugëve 41 dhe 53, përreth Times Square, ndodhen rreth 40 teatro që shfaqin spektakle muzikore me skenografi dhe kostume mahnitëse, me muzikë dhe balete të mrekullueshme. Monika, gjithmonë bujare dhe zemërmirë, na bleu dy bileta për në ‘Majestic Theatre’ dhe së bashku me Filipin, atin e saj dhe mikun tim të vjetër, shkuam për të ndjekur pikërisht shfaqjen ‘The Phantom of the Opera’ (Fantazma e Operës) e cila konsiderohet një sukses i madh, pas spektakleve të suksesshme ‘Chicago’, ’The Lion King’ dhe ‘Mamma Mia’. Ngjarja e kësaj pjese, e cila ka njohur sukses edhe në gjini të tjera si, në letërsi, teatër e kinema, është kompozuar nga i shquari Andrew Lloyd Webber, më 1986. ‘Fantazma e Operës’ ka pasur sukses të jashtëzakonshëm, përsa i përket numrit të shfaqjeve e spektatoreve (mbi 80 milion qysh prej krijimit të saj). Me skenografi magjepsëse dhe këngëtarë klasi, ne kaluam dy orë të mahnitshme, duke adhuruar subjektin e saj: historinë e artistes së re Christine Daaé, këngëtare e operës së Parisit e cila bie në dashuri me një person fantazmë, të fshehur në qilarët e operës e që e çon atë drejt një suksesi të mahnitshëm. Në mbrëmje vonë, ndërkohë që Times Square, zhurmonte nga njerëzit dhe vezullimet e reklamave, ne dolëm në rrugën plot lëvizje dhe nisëm të diskutonim se sa e fortë duhej të ishte konkurrenca, për të luajtur në teatrot e Brodway. Padyshim - tha me të drejtë Filipi - janë me mijëra e mijëra, ata artistë që ëndërrojnë të luajnë, qofte edhe nje rol të dorës së dytë, aty në ‘vendin e çudirave’ i cili mbante emrin Brodway ...

Published by Simbad - dans Publicistikë
commenter cet article
5 octobre 2008 7 05 /10 /octobre /2008 19:06

Woodstock-dernier-hyppie.jpg 
Vasil Qesari dhe Fat Velaj mes hippi-së së fundit në Woodstock  

MITI WOODSTOCK
 
Makina la pas Nju Jorkun e zhytur në dritën e një dielli verbues dhe ne morrëm rrugën drejt Woodstock-ut. Anna Kohen, na kish ftuar të kalonin një natë në shtëpinë e dytë të saj e cila ndodhet ne atë qytet, nga ku pastaj të nesërmen do të vazhdonim udhëtimin tonë për në Boston. Makina shkiste me shpejtësi mbi asfalt dhe unë kundroja pyjet e pafund që shpaloseshin para nesh.
 
- E dini ? – tha Anna – Këto pyje, tani që vjeshta afron, marrim ngjyra me të vërtetë magjike. Në to, sheh gjithë variacionet e saj që nga e verdha, bordoja, ndryshku, argjendi dhe ajo e bakrit shkëlqyes. Ka shumë njujorkezë, shtoi ajo, të cilët  e bëjnë shpesh këtë rrugë pikërisht në vjeshte, thjesht për kënaqësinë e syve dhe të shpirtit, për të shijuar bukuritë e peizazheve, të pyjeve dhe pemëve që ngjajnë si tablo surrealiste.
 
Unë buzëqesha. Nuk ishte herë e parë që shihja pamje të tilla. I kisha parë ato edhe në thellësi të Girondës, në Francë, kur shkoja për xhirime. Por, gjithsesi, pyjet në veri të shtetit të Nju Jorkut, ishin më mëdha se ato të departamentit francez, ku jetoja unë. Anna, ulur në sedijen para, rrezatonte dritë. Flokët e saj të artë, po ashtu. Makinën e ngiste Markus, i shoqi, ndërsa mbrapa kishim zënë vend unë dhe Fatmiri.
 
Pra, po shkonim në Woodstock, një emër që më kish ngacmuar qysh në rini për vetë historinë e tij. Një vend që më tërhiqte si magnet, me plot kujtime dhe nostalgji të largëta. Kurrë nuk kisha menduar se, do të vinte një ditë që do të vija këmbë në të. Woodstock, Woodstock ! Sa herë e kisha dëgjuar atë emër. Sa këngëtarë të shquar, ishin bërë të njohur botërisht, pikërisht duke kënduar së pari aty. Për të kisha ndjekur lajme e reportazhe, në radion italiane, në leximet e mia si edhe në kronika të ndryshme televizive. Bile, kur isha mësues në Skrapar, për të kisha shkruar edhe nje poezi. Ndërsa, një emision të titulluar ‘Three days of peace and music’ kanali francez ‘Arte’, e kish dhenë pikërisht para se të nisesha për në Shtetet e Bashkuara.
 
Pas një ore e ca udhëtim, mbërritëm në qytetin mitik. Them mitik sepse, aty ka ndodhur një ngjarje e cila ka shënuar historinë e Amerikës dhe mbare botës. Por, për këtë ngjarje, do te flas pak me poshtë. Në rrugët e qytetit të vogël e të qetë, shihje tek-tuk ndonjë turist dhe shumë ‘boutique de souvenirs’, ku shiteshin vetëm objekte që i bënin jehonë Woodstock-ut të viteve ’60. Nga ngjarja e bujshme e dikurshme, nuk kish mbetur asgjë e ‘gjallë’, përveçse një qytezë e qetë me shtëpi fshehur mes gjelbërimit. E vetmja dëshmi e së kaluarës, ishte prania e një hippie të moshuar, veshur me një rendigote të gjatë prej basme me lule. Një lolo me ca rraqe në krahë që shëtiste rrugëve, me duar plot unaza e me thonjtë e këmbëve, lyer me manikyr të gjelbër. Por, a ishte vërtet kjo, relikia apo të themi ‘karikatura’ e fundit që kish mbetur, nga epoka e quajtur ‘‘Peace & Love’ (Paqë dhe Dashuri) ? Sigurisht, jo ! Aty banonte Bob Dylan (një nga idhujt e mi) dhe qyteti vazhdonte të ishte një qendër e rëndësishme kulturore e artistike e njohur në mbare Shtetet e Bashkuara ...
 
Pasi vizituam dhe u regjistruam, në qendrën e njohur të Shoqatës së Fotografëve të Woodstock-ut e pamë një varg dyqanesh, u instaluam në shtëpinë e hijshme të Annes dhe Markus, mes një pylli të dendur e të qete. Ajri ishte i pastër dhe të mbushte mushkëritë me oksigjen. Pimë një aperitiv në verandë e pastaj vizituam shtëpinë dhe mjedisin përreth. Anna, me sa dukej, kish dobësi të veçantë për bretkosat. Ato, në forma të stilizuara, ishin të pranishme kudo. Brenda e jashtë shtëpisë, në forma e me materiale nga më të ndryshmet: qeramike, dru, hekur e qelq. Nuk e pyeta Annën për këtë pasion të saj të çuditshëm, bile harrova ti thosha se mos ndofta kish lindur nënë 'shenjën e ujit' ...


 Anna-Woodstock.JPG
Anna Kohen në kopshtin e shtepisë së saj në Woodstock
 
Por, le të vijmë aty ku edhe mendimet e emocionet e mia, rrihnin më shumë. Te ajo çka përfaqësonte ajo qytezë, emri i së cilës është kudo i njohur në botë. Pikërisht, për Festivalin e Woodstock-ut  (Woodstock Music and Art Festival) i cili kish shënuar edhe pikën kulmore të së quajturës ‘kundër – kulturë’ të viteve ’60 si dhe të lëvizjes hippi. Por, për të kuptuar kontekstin e ‘fenomenit Woodstock’, lypset të kthehemi pas në kohë. Prej vitit 1965 e më pas, gjithandej në botën perëndimore, patën shpërthyer shumë protesta ndaj luftës në Vietnam. Po ashtu, ndaj moralit dhe traditave të shoqërisë konservatore si dhe pengesave ndaj lirive shoqërore e personale. Në krye të tyre qe një pjesë e rinisë amerikane. Kështu, në këtë kontekst historik, pat lindur lëvizja e njohur ‘Peace & Love’ (Paqë dhe Dashuri) ...
 
Dhe qe pikërisht në Woodstock, në këtë qytezë të shtetit të  New York të njohur për qetësinë e tij ‘olimpike’ që një djalosh i vuri vetes qellim të organizoje, një koncert 3 ditësh i cili do të mblidhte këngëtaret më të mëdhenj të muzikës rok. Veprimtaria do kishte si moto, fjalët ‘Peace, music and love’. ‘Tri ditë në paqë dhe muzike. Qindra hektarë për tu shlodhur. Shëtisni dhe bridhni për tri dite pa pasur mbi kokë grataçiele e semaforë. Ngrini ballonë. Bëni banja dielli. Gatuani vetë për të ngrenë dhe thithni ajër të pastër ‘ – këto ishin fjalët që shkruheshin në lajmërimin e bërë në gazetë, pa ditur se aty do vërshonin rreth gjysmë milionë të rinj e të reja. E më tej, shkruhej se në koncert do merrnin pjesë këngëtaret më të njohur të kohës: Bob Dylan, Jim Morrison, The Doors, Santana, The Who, Joe Cocker, The Who, Jimi Hendrix, Ravi Shankar, Country Joe & The Fish, Joan Baez, Janis Joplin & the Grateful Dead, Santana, Ten Years After, John Sebastian e të tjerë ...
 
Në botën e të rinjve amerikanë, mes adhuruesve të këngëve rok, nisi të hapet fjala se një festivali i madh, i paparë kurrë do të mbahej në Woodstock. Më pas, u fol se ‘festivali në fjalë do të behej në fermën e Bob Dylan dhe kështu ai do të kthehej përsëri në skenë, pas aksidentit që kish pësuar me motoçikletë’. Festivali, u zhvillua nga 15 gjer në 17 gusht 1969. Bashkia e qytetit edhe pse tradicionalisht i kish mbështetur veprimtaritë artistike, e kish refuzuar organizmin e tij nga frika e prishjes së rendit por, megjithatë, organizatorët ia kishin dalë mbanë që ta realizonin atë pak më larg, në vendin e quajtur Bethel, duke i paguar 50 mijë dollarë pronarit të saj, fermerit Max Yasgur.
 
Në Woodstock, nisën të zbarkojnë ‘hordhitë’ e para me djem e vajza. Dhjetëra mijëra minifunde e flokëgjatë, hipur në autobusë të pikturuar e të zbukuruar me lule. Po ashtu, vargje pa fund kamionësh, motoçikletash, veturash, kuajsh e bile edhe disa helikopterë. Turmat që mbërrinin në qytezë nuk kishin fund.  Aty, fillimisht ishin parashikuar të vinin rreth 50 mijë spektatore por në fakt, u mblodhën rreth gjysmë milionë vetë. Në New  York, u shpall alarmi. Woodstock u cilësua prej autoriteteve zonë e rrezikuar, pikërisht nga dyndja e paparë e njerëzve. Autostrada drejt tij u bllokua. Ushtria ndërhyu për të përballuar gjendjen e jashtëzakonshme. 

Në fushën dhjetëra e dhjetëra hektarësh, koncerti treditor vazhdonte. Në skenë këndohej papushim. Ishte kulmi, apogjeu i lëvizjes hippi. Akordet e kitarave të grupit Who elektrizojnë turmat, muzika e dashuria pushtojnë sheshet dhe pyjet përreth. Grupi muzikor Country Joe & The Fish këndon ‘Këngë për Vietnamin’ ndërkohë që qindra mijëra spektatorë, shoqëronin së bashku refrenet e saj. Në fund të atyre tri ditëve që mbetën të pashuara në kujtesën e mbarë botës, koncerti u mbyll me tingujt e kitarës së Jimi Hendrix i cili interpretoi himnin amerikan ... Pas kësaj, Woodstock do të mbetej në histori !

Ndërkohë ne, aty në një kënd të qytezës së heshtur, ndërsa nata përreth kish renë e thellë, na duhej të shtiheshim për gjumë. Të nesërmen, na prisnin të papritura të reja, në rrugën drejt Bostonit !

affiche-woostock.jpg

Afishe e kohës për Koncertin në Woodstock

Published by Simbad - dans Publicistikë
commenter cet article
28 septembre 2008 7 28 /09 /septembre /2008 16:17
At-Liolin.JPG
        Me at Arthur Liolin - 19 shtator 2008 - Kisha e Shen - Gjergjit në Boston


Sot, një javë pasi vizitova Kishën e Shën – Gjergjit në Boston, po kremtohet një ngjarje e shënuar: 100 – vjetori i themelimit të saj. Por, une nuk do të flas për këtë jubile, po për diçka tjetër. Pikërisht për vizitën time në të. Një fat i madh, i rrallë, pothuajse i pamundur, i pa imagjinuar, emocionues, i veçantë dhe magjepsës. Një vizitë e cila zgjati vetëm 30 minuta, por që për mua ishte sa një Përjetësi.
Ishte mbrëmje, nje mbrëmje e bukur dhe e ngrohtë, teksa i shoqëruar nga tre miq të mi, ngjitëm shkallët e këtij vendi të shenjte ku, Noli ynë i madh, kreu për dekada të tëra shërbesat e tij fetare, të cilat ai nuk i ndau kurrë nga mesazhet atdhetare, nga Shqipëria e largët, nga dëshira dhe lutja për një atdhe të lirë e për shqiptarë të devotshëm në shërbim të saj.
Lart, në hyrje të saj, na priti at Arthur Liolini. Nuk mund të flitet për Fans S. Nolin, për kishën ortodokse shqiptare të Bostonit, për vetë shqiptarët patriotë të këtij qyteti të bukur, pa zënë në gojë e vlerësuar pasuesin e tij, atdhetarin gojë ëmbël, të thjeshtin dhe të dashurin at Liolin. Me trup të lartë e të ngjeshur, sy gjithmonë të qeshur, fisnik dhe i admirueshëm, orator e tepër inteligjent, rilindës i vërtetë e vizionar, ky klerik i rrallë shqiptar duket se ka mishëruar gjithë lartësinë, fuqinë dhe bukurinë e imazhit të Nolit te Madh.
Ulur, në sallën e pritjes, ndërkohë që Neka dhe Flutura, na servirnin qerasitë e rastit, at Liolini ndër të tjera e çeli bisedën me figurën e Skënderbeut dhe rrëfeu se si në vitet ’50, në Amerike ishte shfaqur filmi i njohur ‘Skënderbeu’. E teksa ai po fliste për të, unë vëzhgoja portretin e tij dhe, besomëni, më ngjante sikur në fytyrën e tij ishin modeluar më së miri, tiparet e portretit të heroit tonë kombëtar. (Të paktën, ashtu siç e njohim ne, të pasqyruar në vepra të ndryshme të arteve figurative). Sigurisht, nuk do të doja ta teproj, por gjithsesi, kush e ka parë nga afer at Liolinin, besoj se nuk mund ti ketë shpëtuar, një ngjashmëri e tillë.
Fan S. Noli, është i pranishëm kudo në Kishën e Shën-Gjergjit. Emri i tij dhe i saj janë një. Të lidhur aq shumë e aq fort sa që për një çast, m’u duk se shpirti i tij, vazhdon të qëndrojë e të banojë përjetësisht, aty. Aty, në atë strehëz të qetë, të bekuar e solemne, duket se Fan S. Noli është pothuajse i barabarte me Shën – Gjergjin. Hipur mbi kalë ( si Skënderbeu ), duke vrarë me heshtë dragoin – djall. (Për providencë apo për koincidencë, por do të desha të them se Shën - Gjergji, ka qenë brez pas brezi, shenjtori mbrojtës i familjes sonë, në Qeparo).
Në sallën e pritjes, aty ku at Liolini na priti e na uroi mirserdhjen, janë vendosur libra e foto të tij, një bust e portret i madh në pikturë, si edhe mjaft relike të ndryshme që kanë lidhje me jetën e tij. Pastaj, më tej, ndodhet salla e hijshme dhe solemne e kishës, ikonostasi vezullues, flamuri kombëtar shqiptar të cilin patriotët shqiptarë të Bostonit, ngritën me rastin e Pavarësisë më 1912, kryqi i artë, me të cilin Fan S. Noli bekonte e shoqëronte predikimet e tij etj.
E, më pas, ndodhi ajo që do mbetet një nga kujtimet më të bukura të jetës sime. Miku im, At Liolini, me buzëqeshjen e tij të ëmbël, më ftoi të futeshim në një kthinë, në të djathtë të ikonstasit dhe më tha :
- Tani, po të tregoj diçka të rrallë ! Ja, kjo është karrigia ku ulesh Noli. Ja edhe tavolina ku ai shkruante fjalimet e tij meshtare. Ulu ! E di që do të kënaqesh e do të ndjesh lumturi.
Dëshiroja të bëja një foto në atë vend të shenjtë, ndërkohë që at Liolini, shtoi :
- Dy vetë janë ulur në ketë karrige : Ismail Kadare dhe Nasho Jorgaqi. Ti je i treti !...
Në fakt, mua nuk më interesonte shumë se kush ishte ulur atje. Unë vetë, isha i lumtur dhe dridhesha i tëri që isha pikërisht aty, në tavolinën e punës së tij. Aty, ku ndjeja të gjallë praninë, ekzistencën, zjarrin e duarve, erën e mellanit, gjurmët e bërrylave mbi lëkurë, aty ku ndjeja shpirtin eternel të tij. Aty, në kishën e Shën – Gjergjit në Boston, pashë dhe takova Fan S. Nolin e gjallë. Vërtet, thashë me vete, trupi i tij prehet në varrezat e Forest Hill, por shpirti i tij jeton, banon në atë kishë dhe jo vetëm aty. Jeton, besoj, pavdekësish tek çdo shqiptar.
Unë e pashe dhe fola me të.
30 minuta ne Kishën e Shën – Gjergjit ne Boston !
30 minuta - sa një Përjetësi !


Ne-tavolinen-e-FanSNolit.JPG

Në tavolinën e punës së Fan S. Nolit në Kishën e Shën - Gjergjit


Published by Simbad - dans Publicistikë
commenter cet article
26 mars 2008 3 26 /03 /mars /2008 12:52

JUSUF VRIONI 
OSE 
'FANTAZMA' ELEGANTE
 
 
"... A mund të ndodhin vallë në Evropën e sotme, në historinë tonë bashkëkohore, përvoja e fate aq verbues, aq të pasur, dramatikë e plot të papritura si jeta e atij njeriu ?... Me një fëmijëri ala - Nabukov e"rini të artë", shoqëruar me shumë vite studimesh, të cilat, më pas kultivuan tek ai një shpirt e karakter të fortë, të aftë për t'u bërë ballë situatave nga më të komplikuara, përfshirë edhe kampet staliniste të punës "ala - Solxhenicin "... 
  
Eric FAYE 
"Mondes effacés " (Souvenirs d' un européen)
Editions JC Lattés. 1998
 
  
Nga Vasil QESARI




PERKTHYESI I NDALUAR 
 
Kur, në vitin 1970, u mësua se romani i Ismail Kadaresë Gjenerali i ushtrisë së vdekur, qe botuar në Francë, ngjarja bëri sensacion të bujshëm jo vetëm në qarqet intelektuale, studentët, lexuesit e rregullt e të pasionuar të librave letrarë, por edhe tek shumë njerëz të thjeshtë.

-Të kam thënë, ai është një roman i madh ! -më thoshte plot emfazë, shoku im i fakultetit, frankofili S.K. - Ai ka brenda tij atmosferën e tragjedive të Shekspirit e frymën drithëruese të librave të Kafkës. Ke për të parë! Jehona e tij jashtë nuk do të jetë e pakët...  
Lajmi i publikimit nga Albin Michel, një nga më të njohurat e më prestigjiozet shtëpi botuese franceze, u bë i njohur nëpërmjet së përjavshmes letrare Drita. Njoftimi, edhe pse i shkurtër e pa hollësira, u komentua në mënyra nga më të ndryshmet. Ndërkohë, kritika letrare mbajti qëndrim pothuajse të heshtur, ndërsa shtypi i përditshëm nxitoi ta cilësonte atë, si afirmim të artit socialist jashtë vendit. Për shumë intelektualë, botimi i romanit të Kadaresë, atje larg, në Qytetin e Dritave, (si dhe fakti që, më së fundi, në Evropë do të lexohej edhe një shkrimtar shqiptar), zgjoi ndjenja krenarie nacionale. Për individë të tjerë, lajmi në fjalë u shoqërua me mendimin ngushëllues se, botimi i librit në Paris, tek e fundit, do t'i kujtonte botës se Shqipëria qe endé gjallë e se traditat e vyera letrare, s'kishin marrë fund. Disa, siç ish rasti ynë, (një grup prej tre-katër studentësh), uronim e luteshim që mesazhi i ngjarjes në fjalë, të ish krejt tjetër.

- O zot ! - pergjerohej S.Y nga Shkodra - Ndofta, ky lajm është një ogur i mirë ! Jo vetëm për letërsinë, por edhe për jetën tonë!. Në fakt, mendja jonë, punonte gjetkë. Na vinte mirë të supozonim se, ndofta, botimi i romanit mund të qe një sinjal hapje në mos ndaj Perëndimit në tërësi, të paktën ndaj Francës. (Për fat, Enveri nuk qe formuar, ashtu si shumë drejtues komunistë të Lindjes në atdheun e Stalinit, por pikërisht në Francë, ku edhe kish kaluar disa vite të rinisë. Ish ajo arsyeja pse, shpesh, në raporte e fjalime atij i pëlqente të përdorte, fjalë e ekspresione nga gjuha e atij vendi)

Ndërkohë, ndofta qe për t'u habitur por, aso kohe, askujt nuk i ra ndërmend të pyeste se cili qe përkthyesi i Gjeneralit...në frëngjisht. Vetëm tek ca studentë të letërsisë, interesimi për të mësuar rreth përkthyesit të panjohur të Kadaresë, ish shfaqur në formë insistuese. Dhe arsyeja qe e thjeshtë. Në të nuk zihej në gojë se kush qe përkthyesi i romanit. Cili pra, e kish çuar Kadarenë në Paris? Zakonisht në çdo botim, emri i përkthyesit nuk mungonte. Pse, kësaj radhe, ai ish anonim ?! Pyetjeve të tilla këmbëngulëse, pedagogu i Letërsisë së Realizmit Socialist, iu përgjigj duke ngritur supet e duke thënë se, nuk dinte absolutisht asgjë...

Megjithatë, misteri,u zbulua shpejt. Një
asistent-pedagog i frëngjishtes, gjatë një bisede intime me ca studentë, kish treguar diçka shkurt e shkarazi, rreth emrit e biografisë së përkthyesit në fjalë. Fjala, pastaj qe hapur në gjithë fakultetin po aq shpejt sa edhe reagimi nga dekanati. Sipas sekretarit të rinisë të kursit tonë, i cili provokoi edhe një mbledhje të posaçme për sqarim politik, përkthyesi i Kadaresë qe dikush të cilit nuk ia vlente t'i a zije emrin në gojë. Shkurt, një person, i cili kish qenë i dënuar me burg për çështje politike. E, më keq akoma, pinjoll i Vrionasve … (Një familje e pasur beratase, emri i së cilës na ish fiksuar në mend qysh në vegjëli, atëherë kur në tekstet shkollore të historisë kishim mësuar se bejlerët vrionas ishin gjakpirës e shtypës; shkurt, ndër përfaqësuesit më tipikë të feudalizmit shqiptar)
Mbas 8 vjetësh, në Francë do botohej romani i dytë i Kadaresë. Lajmin e dha përsëri gazeta Drita. Shkurt e pa hollësi. Por, kësaj radhe, e veçanta ish se informacioni shoqërohej me një foto të kopertinës së botimit në frëngjisht. Ne krye të saj, me germa goxha të mëdha qe shkruar emri i autorit, shoqëruar me titullin e romanit në frëngjisht: Le Grand Hiver (Dimri i madh). Pak më poshtë, me shkronja më të vogla, shënohej: Traduit en français par Jusuf
Vrioni (Përkthyer në frëngjisht nga Jusuf Vrioni). Në fund të kopertinës, lexohej emri i shtëpisë botuese: Fayard.

Qe për herë të parë që lexuesi shqiptar, mësonte prej një gazete të kontrolluar rreptësisht nga Partia, emrin e përkthyesit anonim të Kadaresë. Por, si qe e mundur që ai emër i ndaluar të bëhej publik? Mos qe thjesht një gabim? Bie fjala, një lajthitje e kryeredaktorit? Apo, neglizhencë e redaktorit-dezhur në shtypshkronjë ose nxitim në xingografi ? Apo asnjëra, as tjetra. Mendja të shtynte të fantazoje dhe plot gjëra të tjera. (Po sikur, ai gjest, të ish një harresë e qëllimshme për rehabilitimin e tij ?! Ndërkohë që, në rrethe të ngushta qe marrë vesh se, Jusuf Vrioni ish përkthyesi kryesor i fjalimeve të Enver Hoxhës e materialeve të PPSH në frëngjisht).

Por, siç u mësua më pas, hamendja e mësipërme, s’qëndronte. Në fakt, gabimin e rendë, e kish bërë redaktori-dezhur i gazetës, i cili nuk e kish parë fare pllakën e xingos ku qe stampuar fotoja së bashku me emrin e Vrionit. Natyrisht, masat e marra ndaj tij, qenë të rrepta e, skandali u përfol gjer në instancat më të larta të Partisë. Do kalonin dhe shumë vjet të tjerë, atëherë kur vargu i librave të Kadaresë përkthyer në frëngjisht do të shtohej, që emri fantazmë i Jusuf Vrionit të bëhej i njohur. Natyrisht, bëhej fjalë vetëm për disa rrethe të caktuara, sepse zyrtarisht, ai mbetej vazhdimisht i censuruar dhe, e drejta e publikimit të emrit, jo vetëm që nuk i njihej, por ish absolutisht e ndaluar.

... Një ditë tetori të vitit 1980, një koleg gazetar, i cili gjatë një shërbimi kish udhëtuar me sekretarin e propagandës të Komitetit të Partisë, me tregoi se kish dëgjuar një bisedë sekrete rreth Jusuf Vrionit. Pak a shumë, ngjarja për të cilën qe folur, ishte kjo: Një zyrtar i KQ të Partisë, e kish thirrur atë në një takim të veçantë e i kish dorëzuar një ekzemplar të librit Hrushovianet, botuar në frëngjisht. Fillimisht, Jusuf Vrioni i befasuar nga takimi i papritur me të, nuk e kish fshehur shqetësimin. Hape, hape! Shih shënimin në faqen e parë !, i kish thënë zyrtari me ton qetësues. Me duar të dridhura, Vrioni kish ngritur kopertinën. Në faqen e parë të librit, me vetë autografin e tij, Enver Hoxha e përgëzonte atë, personalisht, për punën e bërë si përkthyes ... 

Tregimi i kolegut, krahas ndjenjës së habisë, më gëzoi. Së pari, sepse për aftësitë e Vrionit si përkthyes, kisha dëgjuar të diskutohej e të flitej. E, përveç kësaj, personalisht gjykoja se, puna e tij për përkthimin e krijimtarisë së Kadaresë ish me vlera të mëdha, veçanërisht për njohjen e letërsisë shqipe jashtë vendit. E, së fundi, duke njohur origjinën e tij sociale si dhe faktin që kish qenë i dënuar politik, shpresoja se, në një farë mënyre, ai gjest 'clemence' i diktatorit mund të qe edhe një lloj sinjali në zbutjen e luftës së klasave. Ndoshta, një shikim me sy tjetër, më tolerant, ndaj atyre pak intelektualeve me biografi të keqe, të cilët, edhe pse të dërrmuar nga vitet e kaluara në burgje, bënin punën e Jusuf Vrionit, pra, përkthenin për të nxjerrë bukën e gojës.

JUSUF VRIONI RREFEHET 
 
Çuditërisht, dhe mbas rënies së komunizmit në Shqipëri, heshtja rreth përkthyesit të Kadaresë vazhdoi. Për publikun e gjerë, misteri Vrioni,vazhdoi të mbetej i pa zbuluar. Edhe pse në shtypin pluralist të kohës, subjektet, ngjarjet e kujtimet rreth personazheve të ndaluara të epokës totalitare zinin faqe të tëra, fantazma Vrioni, nuk kish arritur të hynte dot në sensacionet e Rubrikave Speciale. Do të kalonin endé mjaft vite të tjera që, ustai i përkthimit  të shqipes në gjuhën e Molierit, të vendoste të fliste vetë, për të rrëfyer kulisat e jetës së tij. Po, kjo s'do të ndodhte në Shqipëri, por jashtë saj, në Francë.
Maj 1998. Isha në librarinë Mollat të Bordosë, kur, (siç më qe bërë refleks i vazhdueshëm), po u hidhja një sy kalimthi, botimeve të reja nga ish-vendet komuniste të Lindjes. Shikimi im, kaloi shkarazi mbi një varg titujsh e, pastaj, ndali i shokuar mbi njërin prej tyre. A ish vallë e vërtetë ajo që kisha para sysh? Po! Fantazma Vrioni, më së fundi, kish vendosur të rrëfehej ?!...
Në duar mbaja librin e tij me kujtime. (Jusuf Vrioni avec Eric Faye 'Mondes effacés' - Souvenirs d' un européen. Editions JC Lattés. 1998). Mbi 300 faqe në frëngjisht. Në to qe shkruar historia pasiononte e një shqiptari, i cili pat përjetuar tallazet e Evropës bashkëkohore. Jeta e një njeriu, aktor e viktimë e një drame rrëqethëse të zhvilluar në vendin kampion të totalitarizmit. Në moshën mbi 80 vjeç, Jusuf Vrioni, kish vendosur të rrëfehej. T'i jepte përfundimisht përgjigje, misterit të jetës së tij plot peripeci e të papritura. Për këtë, me sa dukej, sebep për botimin e kujtimeve të tij në Francë, qe bërë Eric Faye. Intelektual, publicist e shkrimtar i njohur parisien: 
"Në prillin e 1990-ës, teksa ndodhesha në Tiranë për një seri intervistash me Ismail Kadarenë, më prezantuan me përkthyesin e tij, një "djalosh" 75 vjeçar. Gjatë takimit tonë, në kafén e hotel Dajtit ndjeva menjëherë se kisha të bëja me një njeri, historia e jetës të së cilit, qe krejt e veçantë. (...) Me kalimin e kohës, mes nesh lindi një miqësi e sinqertë dhe e thellë. Kështu që, kur J.Vrioni më propozoi ta ndihmoja në sistemimin e dorëshkrimeve me kujtime nga jeta e tij, nuk hezitova fare por iu vura punës me shumë dëshirë. Duke hedhur në letër kujtimet e tij, shpesh pyesja veten: A mund të ndodhin vallë në Evropën e sotme, në historinë tonë bashkëkohore, përvoja e fate njerëzorë, aq verbues, të pasur, dramatikë e plot të papritura si jeta e atij njeriu? Me një fëmijëri ala - Nabukov e rini të "artë", shoqëruar nga vite studimesh të gjatë, të cilat më pas kultivuan tek ai shpirt e karakter të fortë, të aftë për t'i u bërë ballë situatave nga më të komplikuara, përfshirë edhe kampet staliniste të punës " ala – Solxhenicin ". (...) E, më pas, ajo heqje zvarrë e pastaj, ngritja në një jetë që ai s'e kish zgjedhur vetë, e me të cilën iu desh të luftojë ditë për ditë, deri sa arriti të bëhet i njohur e të vlerësohet, falë universit të letërsisë. Një arritje kjo, tepër e vonuar për ta ndjerë veten të lumtur, shoqëruar me plot kujtime e dhembje për vitet e humbura ..." (Jusuf Vrioni avec Eric Faye. Idem)

Jusuf Vrioni lindi në Korfuz më 1916. I ati, Iliaz Vrioni, pat qenë dy herë kryeministër i Shqipërisë: në qeverinë e dalë nga Kongresi i Lushnjës më 1921 e më pas, pak muaj para revolucionit demokratik të Fan S. Nolit, më 1924. Mbas triumfit të Legalitetit, A. Zogu e emëroi Vrionin ministër të plotfuqishëm të Shqipërisë në Paris, kështu që krejt familja u instalua në 11 bis, avenue Victor Hugo. Në qytetin Lumière, jeta e Jusufit të vogël 9 vjeçar, morri dimensione e hapësira të reja magjike. Regjistrimi, së bashku me vëllanë, në liceun Janson-de-Sailly, integrimi në shkollë e në jetën e Parisit, zbavitjet, lodrat me patinazh, garat sportive, leximet, pushimet në Saint-Tropez, Bretagne e Loire, - të gjitha këto e benë të zbulojë e të përjetojë bukurinë e një bote të re, gjer atëherë krejt të panjohur.
 
Vitet kalojnë pa u kuptuar. E ja, mes argëtimeve e pasioneve rinore, papritmas, një dramë familjare. Në moshë 16 vjeç ai provon një humbje mjaft të rendë. Më 17 mars 1932, vdes i ati. Duke qenë Grand Officier du Légion d' honneur, Vrioni përcillet me nderime të veçanta. Trupi i tij varroset në Shqipëri, ndërkohë që familja vendos të qëndrojë në Paris. Plaga mbyllet shpejt e djaloshi u përkushtohet pasioneve të moshës, veçanërisht muzikës, letërsisë e argëtimeve. Autorët e tij të preferuar ?...Proust, Mauriac, Montherlant, Gide. Dëfrimet ?... Në shoqëri të zgjedhur. Në Villa d'Este mes orkestrave të xhazit. Në Hotel de Caux, ku njihet me të famshmen Coco Chanel, stilisten dhe krijuesen e parfumit të njohur Chanel 5, etj.


"Fundi i viteve '30, qe për mua diçka e mrekullueshme. Më ndodhte shpesh të zgjohesha në mes të natës e të thosha me ehte: O Perëndi ? Ç'mrekulli është të jetosh këtu !. Ato ishin edhe vitet më të bukura të jetës sime … ".   
 
Jeta në kryeqytetin italian, duket se është vazhdimi i asaj të Parisit. Vizita, gosti e miqësi të reja mes rinisë së artë romane. Me Edda Cianon, vajzën e Mussolinit, gjatë pushimeve në Sestriere. Me Susanna Agnellin, në mjediset e Albergo dei Duchi. Me  Gioia Marconin, vajzën e të famshmit Gugleielmo Marconi, fitues i çmimit Nobel në fizikë. Me Luchino Viscontin, aso kohe asistent - regjisor i kineastit të shquar francez, Jean Renoir. Me Anna Magnanin, aktoren e madhe të kinemasë italiane.  "…Ndjeja adhurim të veçantë për njerëzit që kisha njohur. Por, jeta prej paraziti në mjedise të tilla mondanë, natyrisht, shpesh herë më provokonte një ndjenjë poshtërimi, sepse dëfrimet në thelb, nuk më sillnin veç kënaqësi të përciptë. Ndjeja se duhej të merresha me diçka më të rëndësishme, por si, ku e qysh, nuk dija. Ajo gjendje shpirtërore, ato mendime e vrarje ndërgjegje, nuk vazhduan gjatë. Një ditë, një mik i ngushtë, më tha: Jusuf ! Më fal që po të pyes, po ti ç’bën këtu ? Nuk mendon se, vendi yt është të ndodhesh në Shqipëri?. Dhe ish pikërisht gjatë verës së vitit 1943 që më së fundi vendosa të kthehem në atdhe. Ndofta, atje, mund të merresha me diçka. Bie fjala, të botoja një gazetë … ".  
 
Vrioni, kthehet në Tiranë duke bërë një jetë, siç shprehet ai, relativisht të sigurt, por në një gjendje pasiviteti pothuajse fajtore. "Shoqërohesha me ca miq, të cilët ashtu si unë, kishin studiuar jashtë e nuk ishin të angazhuar. Takoheshim së bashku pothuajse çdo ditë dhe e kalonim kohën duke diskutuar në Tennis Club apo te Kafé Sahati, pranë xhamisë (...) Ndërkohë, në 29 nentor 1944, qeveria partizane e formuar në Berat, mbërriti në Tiranë. Viti në vazhdim, shënoi një periudhë pritje për Shqipërinë. Komunistët nisën të zbatonin politikën e " dorashkave të kadifejta". Ngado dukej fryma e një farë 'tolerance'. Megjithatë, në prill 1945 u zhvillua një proces i madh kundër "kolaboracionistëve", i cili përfundoi me rreth 20 ekzekutime. Shumë të tjerë, u pushkatuan në vend, nenë akuzat se kishin denoncuar tek pushtuesit, baza apo guerrilas të rezistencës. Ndërkohë, doli fjala se në fshehtësi, Garda e Mbrojtjes së Popullit me në krye sekretarin organizativ të Partisë Koçi Xoxe, kish nisur nga spastrimet ... " 


Në atë atmosferë frike, pritje e dyshimi, duket se e kaluara dhe origjina familjare e tij, nuk merren parasysh. Ai, beson se nuk bën pjesë në listat e të dyshimtëve. Bile, për çudi, vetë Hysni Kapoja e thërret në zyrën e tij dhe e njofton se e kishin caktuar anëtar të   komitetit sportiv të Bashkimit të Rinisë Antifashiste. Pra, në dukje, asnjë dyshim, asgjë e rrezikshme. Jusufi shkon edhe në Beograd me ekipin shqiptar të tenisit. Më pas, nis miqësi me pjesëtarë të misionit ushtarak britanik, amerikan e francez në Tiranë. (Një prej tyre, oficer parashutist francez, të cilit i kish besuar dyshimet e frikën për çka mund t'i ndodhte në të ardhmen, i propozoi ta ndihmojë, duke i dhenë një uniforme ushtarake, e duke e kaluar me anije nga porti i Durrësit për në Francë). 
 
"Propozimi i tij më prishi mendjen. Nena nuk ish kundër që të ikja. Bile, më bëri gati edhe një lloj brezi, ku kish fshehur dhjetëra monedha floriri, të cilat do ti vendosja përreth mesit kur të nisesha. Ajo këmbëngulte që ta lija Shqipërinë, për t'u shpëtuar kërcënimeve të cilat ndaj nesh ishin ende të mjegullta Ne fakt, nga dita në ditë, rreziqet po bëheshin gjithmonë e më të dukshme edhe pse, akoma, gjatë verës së vitit 1945, jetohej me euforinë e çlirimit dhe fitores mbi armiqtë. (…) Shpesh herë mendoja e i thosha vetes se, në se rreziku do të shkallëzohej më tepër, atëherë do vendosja vërtet për t'u larguar. Por, ndërkohë, mendime të tjera, më kurajoze e më dinjitoze, më mbanin që të mos nxitesha për ta marrë atë vendim. Gjykoja se, ndofta kish ardhur momenti që ne, të rinjtë e kategorisë sime sociale, duhej të merrnim mbi vete riskun për krijimin e një lëvizje të vërtetë demokratike ... (…) Por, sikur ai oficeri francez i quajtur Cochet, të ma kish bërë propozimin për arratisje dy muaj më pas, atëherë kur unë kisha hequr dorë nga shumë iluzione, ndofta do të kisha ikur një orë e më parë. Por, hë për hë, mendoja të qëndroja. Po, përse ? Për të organizuar një lëvizje demokratike ? Shumë ishin ata që e ëndërronin diçka të tillë, po askush s'qe i gatshëm të merrte mbi vete rrezikun për t'i u futur asaj pune. (...) Askujt s'mund t'i zije besë! Qoftë dhe një fjalë e vetme të çonte drejt trekëmbëshit! Sigurisht, unë isha në dijeni të një lloj rezistence pasive. Por, aso kohe, në Shqipëri një Saharov, as që mund të imagjinohej. Ai do të eliminohej në vend sapo të niste shqiptimin e frazave të para "subversive"... 
 
Në fakt, ekzistenca e një farë opozite u bë evidente gjatë zgjedhjeve të 2 dhjetorit 1945. Personalitete të tilla si, Suad Asllani, Balthazar Beusi, Gjergj Kokoshi e intelektualë të tjerë, tentuan të konkurrojnë për të formuar një opozitë serioze. Për atë qëllim, me anë të një momorandumi, u vunë në dijeni edhe vëzhguesit e huaj e përfaqësuesit e shtypit perëndimor. I përkthyer dhe i redaktuar nga J.Vrioni, materiali pasqyronte gjendjen në vend e bënte thirrje për verifikimin e saktësinë e zgjedhjeve. Memorandumi, kërkonte gjithashtu të bëheshin sondazhe në se në vend ekzistonin edhe opinione të ndryshme nga ato të Frontit Antifashist, si edhe cilat qenë arsyet pse ato nuk ishin paraqitur gjatë fushatës elektorale. Gjithashtu, në të kërkohej të hidhej dritë edhe mbi rolin e Partisë Komuniste në Shqipëri, (e cila, gjer atëherë, nuk qe deklaruar haptas) e bëhej thirrje për të vëzhguar mashtrimet, kërcënimet e shkeljet flagrante të të drejtave të njeriut. 

Ishte e shtuna e 13 shtatorit 1947 kur, dy punonjës të Sigurimit e thirren teksa po priste dikë, aty ku sot ngrihet monumenti i Skënderbeut:
 - Ti je, Jusuf Vrioni ? Hajde me ne ! Kemi ca pyetje për të bërë !
Këto ishin edhe fjalët e para të kalvarit të gjatë e të mundushem që do të zgjaste për shumë e shume vite. E shtynë brenda në një jeep dhe e çuan në qelitë e nëndheshme të Burgut të Vjetër. Përse e kishin arrestuar? Ç'kish bërë? Askush s'i jepte shpjegime. Heshtje. Errësirë. Pastaj klithma e britma. Më tej, dikë po torturonin. Në qelinë e ftohtë ku e kishin rrasur, ndodheshin edhe pesë të arrestuar të tjerë. Ata, kishin kaluar me kohë në sallën e torturave ose, në atë që quhej ndryshe, mbajtja e proces-verbalit para kalimit në procesin gjyqësor. I troshitur nga tensioni e ankthi, Vrionit s'i mbetet veç të qetësojë vetveten duke sjellë para syve imazhin e nenës, e cila s'e di ende që e kanë arrestuar. Pastaj, të kujtojë të kaluarën, vitet e rinisë. Te atin e vdekur prej kohësh. Vëllanë e motrën të mbetur në Perëndim. Por, edhe miq të tjerë, padyshim. Në mend i vijnë më pas, si në film, vendet ku kish kaluar pjesë të jetës: Parisin, Romën, Londrën, Beratin, Korfuzin e vegjëlisë ...

PARADHOMA E VDEKJES

Kështu e quan J.Vrioni qelinë e tij. Aty, ku e mbajnë të lidhur ditë e natë me zinxhirë dhe, e torturojnë mizorisht.”Kur erdhi radha e seancës së pyetjeve, fillimisht këmbëngula se nuk dija gjë. Atëherë, filluan sharjet me fjalët më të ndyra, shoqëruar me shuplaka, grushta e shqelma në pjesët më delikate të trupit. Pastaj metodat e torturës u ndryshuan. Nisën të më godasin me çomange, vazhduan me elektroshok e përfunduan duke më shtrirë mbi një bangë të quajtur "jeleku". Ajo lloj torture, niste me lidhjen e duarve e këmbëve e kalimin mes tyre të një trari. Pastaj, në atë pozicion të kryqëzuar, pa pasur mundësi për mbrojtjen më të vogël, fillonin goditjet me shkopinj para e mbrapa, duke kërkuar që të rrëfeja. Atë metodë torture ma bënin gjashtë herë në javë. (...) Por, më çnjerëzoret, ishin ato 15 ditë e 15 netë, kur më varën nga duart në tavanin e qelisë, duke më hedhur rreth qafës 30 a 35 kg. zinxhirë. Nuk kisha ku të mbahesha. Dyshemenë, arrija ta prekja vetëm me gishtat e këmbëve. Çdo gjë qe llogaritur që të mos mbështetesha diku. Pyetjet që më bënin, ishin më tepër në drejtim të misioneve ushtarake angleze e amerikane si edhe rreth marrëdhënieve që kisha pasur me personelin e tyre. Donin të dinin se çfarë informacionesh u kisha dhenë. Pastaj, mundoheshin të provonin e të faktonin veprimtarinë time politike gjatë të ashtuquajturave zgjedhje " demokratike". Me kë isha takuar?Kush qene anëtarët e grupit tonë " armiqësor" ? Cili qe qëllimi i mbledhjeve tona?... Unë mohoja, duke pranuar vetëm një gjë: qëllimi ynë ish të formonim një opozitë legale sipas neneve të parashikuara nga Ligji Elektoral. (...) Hetimet, vazhduan nga shtatori gjer në nëntor e pastaj, më transferuan në një qeli tjetër. Aty pranë, ngjitur me mua, lëngonte shkrimtari Mitrush Kuteli, i cili herë pas here, më recitonte me zë të ulët vargje nga poema e tij "Kosova"…”.
 

Mbas shkurtit të vitit 1948, për Vrionin nis periudha e izolimit të plotë, e cila zgjat 27 muaj. Në një qeli, të quajtur, ajo e Koçi Xoxes, ai  vendos t'i japë fund gjithçkaje:“Pikërisht, në atë qeli, provova t'i jap fund jetës duke prerë venat. Por, i vetmi mjet me të cilin mund ta bëja atë, ishin tokëzat e buta metalike të pantoflave të mia. Kështu që tentativa nuk dha rezultate. (Shenjat e prerjes, megjithatë, i kam dhe sot e kësaj dite mbi kyçe). Gardianët ndërhynë shpejt e më fashuan duart, ndërsa doktori tha se, s' kish ndonjë rrezik për jetën. Megjithatë, ai dha porosi që survejimi ndaj meje të forcohej dhe më tepër…”

Me sentencën e 29 qershorit 1950, Vrioni u dënua me 15 vjet burg, i akuzuar si agjent i shërbimeve të huaja sekrete. ”... Vizita e parë në burg, 34 muaj mbas arrestimit, qe ajo e nenës. E gjora, nenë ! ... Që përtej hekurave, mundohej ta mbante veten. Por, sytë i kish mbushur plot lotë. Ashtu si dhe unë nga ana tjetër. Më pyeti për shëndetin e pastaj më foli për veten, për gjithë ç'kish hequr mbas arrestimit tim. Fillimisht e kishin dëbuar nga Tirana dhe kish mundur të strehohej te ca kushërinj në Durrës. Por, edhe aty, s'e kishin lenë të qetë. E kishin çuar në fshatrat e Fierit, ku jetonte në një kasolle. Pa tavan e dysheme. Direkt e mbi argjil …“.

E pastaj, vijojnë, vitet e tmerrshme nëpër burgjet shqiptare. Vuajtje, punë e detyruar, poshtërime e fyerje. Takime me të burgosur, njerëz të njohur, intelektualë të shquar. Me Fiqri Llagamin, Arshi Pipën, Suad Asllanin e dhjetëra e dhjetëra të tjerë, të cilët lëngonin në ferr. Në verën e vitit 1952 e transferojnë në Burrel. Aty, në kampin skëterrë e mbajnë tri vjet. Udha e Golgotës vazhdon pastaj nëpër gulagë të tjerë. Në Berat, Rinas, Shtyllas e Radostine, aty ku mijera e mijera të burgosur, punonin në kushte çnjerëzore. E, së fundi, më 3 dhjetor 1959, mbas 12 vjetësh burg, vjen dita e lirimit...


- vijon -

Published by Simbad - dans Publicistikë
commenter cet article
11 mars 2008 2 11 /03 /mars /2008 19:07

Vlora---Sahati.jpg


Kohët e fundit, miku im, arkitekti Pirro Stefa, më dërgoi librin e tij album, me njeqind fotografi të vjetra të Vlorës. Më tepër se pune me vlera historike e dokumentare, them se, në këtë rast kemi të bëjmë me një dashuri të pa fund, me një pasion të vjetër e nostalgji të pakufishme për qytetin e lindjes, sheshet dhe rrugicat e tij, dyqanet dhe rrugët, palmat, detin e sigurisht për njerëzit, të cilët dikur na njihnin dhe i njihnim, pothuajse të gjithë. Në keto njëqind foto te shekullit te kaluar, mbledhur me përkushtimin dhe pasionin e një koleksionisti të ‘sëmurë’ e kembengules, Pirro Stefa, ka paraqitur si në një film bardh’ e zi, historinë, jetën dhe imazhet e një qyteti nga të cilat sot, në krahasim me kohën për të cilat flasin, ka mbetur fare pak gjë. Mendoj se, ky album, këto dokumente – fotografi, të cilat miku im i vjetër ia dedikon qytetit tonë, janë njëkohesisht edhe një apel, një thirrje (në mos një klithmë), për të mos prishur edhe ato çfarë kanë mbetur e që përbejnë historinë e tij. Është pikërisht kjo, edhe sinteza e fjalës së mençur e ngazëlluese e poetit vlonjat Fatos Arapi i cili, në Parathënien e Albumit në fjalë, ndër të tjera shkruan: Njerëzit e popujt pa kujtesë historike, janë të dënuar të shuhen e të zhduken ( ...) Ruheni Vlorën, mos e vrisni bukurinë qiellore të saj ! Ndaloni sulmin e egër dhe të neveritshëm të betonit gri. Ndërtoni Vlorën – atë që mund të ndërtoni -  ashtu siç ka qenë më parë'. Ky, album i cili është një udhëtim prekës, plot imazhe të vyera historike e urbane, njerëzore e afektive, gjithsesi nuk është  thjesht shprehje nostalgjie, por mbi të gjitha një nismë e vyer për të ndaluar, atë që nesër mund të jetë prishja dhe humbja përfundimtare e saj. Pra, ndërtimi i moleve te naftës, mega - rezervuarve, TEC -eve dhe gjithçkaje që do të shënojnë edhe fundin e një qyteti, piktoresk e turistik. Tu themi pra, ndal atyre, në mënyrë që në të ardhmen, brezat që do vijnë, të mos thonë:
- Na ishte një herë një qytet ...

Nga Vasil QESARI 
 

Vlora--Piro-Stefa.jpg



VLORA – KY QYTET ...

Nga arkitekt PIRRO STEFA


Vlora - ky qytet i paragjyshërve tanë, i gjyshërve, i baballarëve, i yni dhe i atyre që do të vijnë pas nesh ... 

Këto foto të vjetra e të mbledhura Se bashku janë nje detyrim për Vlorën tonë dhe për te gjithë ata që ndihen qytetarë te saj, qe jetojnë dhe e duan këtë qytet, i cili është jo vetëm nje amanet prej të parëve tanë, por edhe një borxh për nipërit e brezat që vijnë. 

Këtu, ne këto foto të vjetra të shekullit të shkuar, është Vlora ashtu siç ka qenë dikur dhe siç nuk do të jetë më asnjëherë. 

Ka pothuaj 100 vjet që Vlora jonë e dashur është duke ndjekur ,një rruge tjetër zhvillimi, në invers me moshën e saj si qytet. Dhe, ne ketë rrugëtim shekullor ajo vazhdon të bëhet gjithmonë e me e re, ndërsa historia dhe historianët e certifikojnë atë si 2500 vjeçare. 

Pra, ne këto foto të vjetra është Vlora, ashtu siç ka qenë. 

Nje qytet që duke u bërë gjithmonë e më modern çdo orë, humbet diçka nga vetvetja çdo dite, sepse progresi përherë e ka nje kosto, ndërsa ndryshimet jo gjithmonë kanë të bëjnë me nostalgjinë për traditën dhe dëshirën për autenticitet e veçanti. Kjo s'bën tjetër përveçse lë si shpërblim në kohë, vetëm një mall të madh për të shkuarën dhe qyte¬tin e dikurshëm, që nuk ta shuan dot betoni i sotëm dhe lartësitë. 

Absurdi në rastin e Vlorës është se ky qytet i lashtë, më i vjetër në moshë se vetë Krishti, reflekton një qytet të ri në pamje, gjithmonë e më shumë me fytyrë nga deti, modern e bashkëkohor në funksion. 

Dhe kjo i bën vlonjatët krenarë. 

Por, sigurisht, bashkëqytetarët e mi dhe unë do të ishim edhe më krenarë për këtë qytet - që është shtëpia jonë e madhe dhe që kemi treguar të gjithë së bashku se e duam shume - nëse bashkë me këtë arkitekturë të re që ndërtojmë sot intensivisht e jo rrallë brutale, do të bashekëjetonte edhe kalaja e famshme e Vlorës, pallatet e bejlerëve të saj perëndimorë, objektet e kultit - xhamitë e kishat - kinematë e paraluftës, parqet, pazari i vjetër, sahatet, hanet, hotelet, shatërvanët, rrugët tregtare, varrezat, monumentet, disa nga shtëpitë e vjetra, rrugicat e mëhallët e fqinjësisë së mirë, ashtu siç duken natyrshëm dhe në këto foto, për të treguar se ky është një qytet me rrënjë, me të shkuar, që ka ditur të tregojë rrugën e krenarisë dhe detyrimeve ndaj atdheut, duke mbajtur lart armët e shenjta në betejën e madhe për një besim të ri, për një atdhe të lirë e të mosvarur; se ky qytet është i paragjyshërve tanë, i gjyshërve, i baballarëve, i yni por edhe i atyre që do të vijnë pas nesh, të cilët, me të drejtë, do të pyesin dhe do të duan të dinë më shumë nesër për të parët e tyre dhe qytetin ku kanë lindur. 

Ja, pra, ky është qyteti, kjo është Vlora. 

Por brezat që do të vijnë, gjithmonë e më shumë do të mbeten pa përgjigje nëse nën furinë e këtij ritmi të pandalshëm ndërtimi, që na ka munguar më parë, do të shkatërronim gjithçka të vjetër për ta bërë gjithçka të re, krejtësisht nga e para, duke fshirë përfundimisht nga kujtesa e brezave dhe e kohës moshën dhe të shkuarën e qytetit. 

Kjo do të ishte jo vetëm e dhimbshme, por do të ishte madje tragjike për një qytet të vjetër si Vlora, që ka nevojë sot e gjithë ditën edhe për Xhaminë e Muradies, edhe për Sahatin e Bashkisë, edhe për Obeliskun e Flamurit, edhe për Shtëpinë e Vlorajve, edhe për varrin e Ismail Qemalit, edhe për Monumentin e Pavarësisë, edhe për Rrugën tregtare të Hebrenjve, edhe për rrugën historike "Justin Godart", edhe për godinën e Bashkisë, ish-Prefekturën, edhe për bulevardin Vlorë-Skelë, Muzeun e Pavarësisë, klubin "Labëria", Bankën e vjetër, Shatërvanin e “Katër Topave”, për Varrezat e Dëshmorëve apo Kuzum Babanë. 

Imagjinoni një çast Vlorën pa të gjitha këto dhe pa një numër të madh ndërtimesh të tjera të kohës, te cilat i japin identitetin që i duhet këtij qyteti dhe krenarinë qytetarëve të tij. 

Këtu, në këto fotografi të vjetra të kohës, është Vlora ashtu siç ka qenë dikur dhe siç nuk do të jetë më asnjëherë. 

Fotografitë e saj janë bërë nga njerëz anonimë, fotografë të talentuar, por anonimë, të cilët, pa dyshim, nuk jetojnë më, por që me aparatet e tyre të një teknologjie të thjeshtë të fillimshekullit të shkuar, i kanë bërë një shërbim të madh kujtesës së këtij qyteti dhe njerëzve të tij, sepse duke e fiksuar atë në celuloid me një dashuri të veçantë, u kane lënë brezave të sotëm dhe të tjerëve një dhuratë që nuk mund të këmbehet me asgjë tjetër, përveç se me një porosi prindërore për ta ruajtur këtë qytet. 

Këto foto të vjetra, janë gjithashtu një homazh respekti për mjeshtrit e talentuar, por anonimë të këtij qyteti, breza të tërë ndërtuesish të vjetër që gjithashtu nuk jetojnë më, por që kanë lënë në vend të tyre Vlorën, me dhjetëra objekte shekullore e me vlera të veçanta, që qëndrojnë ende më këmbë e që na bëjnë sot e gjithë ditën krenarë, por edhe mjaft të tjera, të cilat koha dhe njerëzit i kanë rrafshuar përgjithmonë. Këto foto janë gjithashtu homazh mirënjohjeje për gjyshërit e baballarët tanë të paharruar, që fatkeqësisht nuk janë më, por që midis skamjes na lanë si trashëgim këtë qytet që ne nuk arritëm ta ruajmë ashtu siç do të dëshironin ata. 

Dhe, së fundi, këto foto të vjetra e të mbledhura së bashku, janë një detyrim për Vlorën tonë dhe për të gjithë ata që ndihen qytetarë te saj, që jetojnë dhe e duan këtë qytet, i cili është jo vetëm një amanet prej të parëve tanë, por edhe një borxh për nipërit e brezat që do të vijnë.
 

Published by Simbad - dans Publicistikë
commenter cet article
7 novembre 2007 3 07 /11 /novembre /2007 16:30
EMRA TE HARRUAR NGA E KALUARA
                      

Nga Vasil QESARI
 
 
( Viktoria Puzanova e deshi Shqipërinë si atdheun e saj Rusinë. Ajo e donte artin e saj bizantin dhe studimi i tij u bë qëllimi madhor, shkencor e artistik i jetës së saj. Ishte Viktori Puzanova ajo që për herë të parë studioi e botoi artin tonë mesjetar. Në ketë fushë ajo la mbresa dhe mbeti model i njeriut që përkushtohet gjer në thellësi të shpirtit për zgjedhjen që ka bërë në jetë. Puzanova ishte ikonografia e parë që zbuloi piktorin tonë të madh, Onufrin )
 
 
NJE VIZITE TE ZONJA DUROLLI
 
 
Kujtimin e familjes së harruar Puzanova, ma solli leximi i librit të piktorit Maks Velo “ Kohë antishenjë ”, pikërisht verës që shkoi. Ndodhesha me pushime në qytetin tim të lindjes, në Vlorë, kur më ra në dorë ky libër i cili është një afresk dramatik i jetës së një artisti, i cili për fajin absurd të dashurisë për artin dhe mendimet e tij të lira, përjetoi dhimbshëm dramën rrëqethëse të burgjeve e kampeve famëkeqe të diktaturës komuniste. Në të, mes të tjerash Maks Velo, shkruan me shumë adhurim e nderim edhe për një familje ruse, e cila banonte fare pranë shtëpisë së tij, në Tiranë. Ajo përbëhej nga tre vetë: Viktoria, Vasili e Aleksandër Puzanova. Krejt për rastësi, shume vite të shkuara unë kisha njohur njërin prej tyre, pikërisht Aleksandrin, ndërsa për të tjerët më kish folur shpesh miku im i ndjerë, njeriu i mirë dhe muzeologu i pasionuar Llambi Durolli, i cili kish pasur lidhje të ngushta miqësore me atë familje ...
 
Lidhur me këtë, Maks Velo në librin e tij, shkruan:Viktoria dhe Vasili kishin një dashuri të veçantë për Llambi Durollin e tërë familjen e tij. Llambi ishte drejtor i muzeut të Vlorës. Ata ishin njohur në ekspeditat që zonja Viktoria bënte në kishat e vjetra të Vlorës dhe përgjatë bregdetit. Disa herë Puzanovët kishin shkuar të bënin pushimet e verës në familjen Durolli në Vlorë (...) Dhe ishte aty, në dhomën e Puzanovëve që unë u njoha për herë të parë me Llambin, një burrë jo vetëm me dije dhe i përkushtuar për vlerat materiale të qytetit e krahinës, por edhe një njeri i jashtëzakonshëm për nga mirësia. Zonja Puzanova më thoshte shpesh për të : Llambi është kristian i vërtetë !”
 
Disa ditë pas leximit të librit, vajta dhe takova bashkëshorten e Llambit, Ollga Durolli, grua fisnike dhe e ditur, një nga veteranet e arsimit në Vlorë e cila gëzon respektin e shumë brezave. Dhe, ishte pikërisht në atë shtëpi mjaft të njohur prej meje që unë ndjeva sërish mall për vizitat e dikurshme që bëja aty. Mall për Llambin, mikun tim të vjetër erudit qe nuk jeton me, njeriun që pata adhuruar aq shumë për virtytet e tij të rralla. Në atë shtëpi që i ngjan një “muzeu”të vërtete, m’u shfaq përsëri si dikur, mirësjellja dhe buzëqeshja e tij, njeriut të dashur të bisedave, konfidencave dhe kujtimeve të mia rinore. Atij që ishte dhe mbetet një "personazh" i spikatur dhe orgjinal i Vlorës e që pa dyshim, ka lenë gjurmë të pashlyeshme jo vetëm tek unë, por edhe në Kujtesën e mbarë qytetit. Sepse, ai mbetet pjesëtar i një “galerie” njerëzish të rrallë, pa të cilët historia moderne e këtij qyteti do të ish vërtet me mangësi trishtuese. Njerëz, të cilët me punën, përkushtimin, pasionet, dijet dhe kulturën e tyre, lanë Gjurmë në Kohë ...
 
... Pas përshëndetjeve të rastit, biseda me zonjën Ollgë u përqendrua pikërisht në miqësinë me familjen Puzanova e, teksa unë kërkova të dija më tepër për këtë gjë, në sytë e saj që ruajnë ende tepër hijeshi e fisnikëri, pashë një dritë të fortë malli e ngazëllimi. E ajo nisi të më rrëfejë, duke më treguar here pas here, mjaft sende që ndodheshin aty përreth e që të kujtonin pikërisht familjen Puzanova. Mes të tjerash, një album të trashë familjar ku bënin pjesë disa fotografi të tyre, dy piktura të Viktoria Puzanovës ( një peisazh deti e një portret të Ollgës punuar nga Viktoria ), një gëzof tigri afrikan dhuruar djalit, Hektorit nga Aleksandër Puzanova e, natyrisht, shumë e shumë kujtime të tjera të dashura e të paharruara.
 
Teksa më tregonte për ta, Ollga më zgjati ca fotografi të zverdhura nga koha e, në njërën prej tyre pashë një portret të vogël e të qeshur të Viktoria Puzanovës si dhe dy foto të tjera, dëshmi të trishtueshme të ekzistencës së një familje, tashmë të shuar krejtësisht. Dhe, mendja menjëherë më shkoi te Maks Velo i cili, fill pas daljes nga burgu, kish kërkuar më kot të gjente një foto të saj në dhomën e tyre të dikurshme, por që s’kish mbetur qoftë dhe një shenjë e vetme jete. Dhe, që pikërisht në ato çaste që ndjeva vërtet një gëzim të madh për atë copëz fotografie të prerë nga Letra e Njoftimit të Viktoria Puzanovës, portretin e së cilës po e shihja për herë të parë. Dhe premtova, se do bëja të pamundurën t’i dërgoja një kopje të saj, Maksit, i cili e pat adhuruar atë zonjë të madhe, tamam sikur të kish qenë një shenjtore e vërtetë ...


MIQESI E PAHARRUAR ...

 
  Por, si kish lindur miqësia mes familjes shqiptare Durolli dhe asaj me orgjinë ruse, Puzanova ? Gjatë viteve 1948 - 1949, Llambi ishte arsimtar i biologjisë në Fier e, gjatë verës, shkoi për një kurs kualifikimi në Tiranë. Dhe, ishte pikërisht aty që ai u njoh me Vasili Puzanovën, i cili e drejtonte atë. Ishte aty që nisi ajo miqësi e pandarë mes tyre, e cila do ish për të edhe fillesa e një pasioni të ri, atij të balsamimit, mjeshtëri që rusi Vasili e zotëronte në mënyrë të përsosur. Më 1950, Llambi e Ollga, u transferuan në Vlorë. Jeta e Llambit do të merrte një kthesë rrënjësore, me emërimin e tij si drejtor muzeu. Ai iu përvesh punës për krijimin e muzeut historik të qytetit ku, një ndihmë tepër të çmuar do jepte edhe atdhetari dhe bibliofili i njohur, Ibrahim Kushta. Dhe, ish fill pas njohjes, këshillave e përvojës që përfitoi nga Vasili Puzanovi që Llambit, do t’i lindte dëshira të ngrinte më pas edhe një muze shkencor. Kështu, ai nisi të grumbullojë bimë e insekte të ndryshme, me të cilat krijoi koleksione shumë tërheqëse dhe të vyera. E jo vetëm me të tilla, por edhe me peshq e gjallesa të gjirit të Vlorës, shpendë e kafshë të egra.
 
... E, ajo pune s’ishte aspak empirike por mjaft sistematike e shkencore. Pasioni dhe rezultatet e punës në balsamim, mjeshtëri të cilën siç thamë, ai e mësoi nga Vasili Puzanova, benë që Llambi të behej mjaft i njohur edhe jashtë Vlorës e, porosi për koleksione kafshësh e insektesh të balsamosura, atij nisen t’i vinin edhe nga muze të tjerë si, ai i Fierit, Durrësit, Shkodrës etj. Kështu, pas muzeut historik e arkeologjik, morri formë edhe muzeu kushtuar shkencave të natyrës, i cili u ngrit në një godinë poshtë kodrës Kuzbaba e që, pak nga pak, do behej një muze tepër interesant e shumë i vizituar.
 
Pas disa takimeve në Tiranë e Vlorë, dy familjet, ajo Durolli dhe Puzanova, u miqësuan edhe me tepër. Puzanovët gjetën mjaft ngrohtësi e dashuri te Llambi, Ollga dhe fëmijët e tyre. Dhe, shumë shpejt ata u lidhen me një miqësi të tillë të ngushtë, e cila do të vazhdonte e fortë, gjer në fund të jetës së tyre. Puzanovët, tashmë, pothuajse çdo vit i kalonin pushimet verore buzë detit, në Skelë, aty ku ndodhej edhe banesa modeste e familjes Durolli.
- Ne i prisnim gjithmonë me gëzim e krahëhapur – tregon Ollga – Sepse, ata ishin njerëz shumë të dashur, të edukuar, me shumë kulturë. Me zemër të pastër, ndjenja kristiane e shpirtra qe rrezatonin gjithmonë dashuri, dritë e mirësi. Mes nesh, e ndjenin veten si në shtëpinë e tyre. Shpesh, bashkë me ta, organizonim ekskursione të ndryshme, në të cilët Llambi i njihte me historinë e traditat e zonës, me florën e faunën si dhe me gjurmë  e vende arkeologjike ...

 
 
  NGA XHUNGLAT AFRIKANE NE SHQIPERI
 
 
Siç thamë, familja Puzanova përbëhej nga tre vetë: Vasili, kryefamiljari, Viktoria e shoqja e, Aleksandri, vëllai i Vasilit. Ata ishin rusë e qenë larguar nga vendi i tyre para Revolucionit të Tetorit. Vasili qe zoolog  e gjahtar i pasionuar. Revolucioni bolshevik e pat zënë në Afrikë, në një ekspedite të organizuar nga Akademia e Shkencave Ruse, për të gjuajtur e studiuar kafshë të egra: luanë, tigra, hiena etj. Ai kish kryer akademinë ushtarake dhe ishte oficer i ushtrisë cariste. Nga e kaluara e tij e largët - tregon zonja Ollga - pikërisht nga koha kur kish qenë në Afrikë, Vasili s’kish mundur të ruante kush e di çfarë. E vetmja relikë që i kish shpëtuar pa humbur, gjatë gjithë atyre viteve plot pasiguri e udhëtime nga një vend në tjetrin, ishte një lëkure tigri të cilën me pas, ja fali djalit tonë, Hektorit, në shenjë dashurie e mirënjohje vëllazërore.
 
Aleksandri studionte në Beograd, ndërsa Viktoria, piktore dhe ikonografe, kish përfunduar në ishullin e Kretës. Të shpërndarë nëpër botë, ata i patën humbur lidhjet mes tyre për më shumë se gjashtë vjet. Por, me ndihmën e Kryqit të Kuq Ndërkombëtar, arritën ta gjenin njeri-tjetrin, të bashkoheshin e të vendosin që të jetonin në Mal të Zi ku, për të siguruar bukën e gojës, punonin ku të mundnin. Qe pikërisht në atë vend që ata u njohën me shkodranin e mençur Rrok Zojzi. Rroku, duke parë kulturën e tyre të gjerë si dhe aftësitë e tyre, u mbushi mendjen të vinin të jetonin e punonin në Shkodër. Kjo gjë pat ndodhur para çlirimit. Erdhën ne Shkodër e, fillimisht edhe aty, punuan sa për t’u ushqyer e pas lufte, Rroku i bindi përsëri të linin Shkodrën e të shkonin në Tiranë. Duhet të ketë qenë viti 1947, atëherë kur ata u nisën për në kryeqytetin shqiptar e gjetën strehë bujarisht e pa shpërblim, në një dhomë në shtëpinë e doktor Kadri Kërçikut, ku edhe jetuan gjersa vdiqën.
 
Në Tiranë, zunë shpejt punë. Viktoria hyri në atelienë e artit mesjetar shqiptar si ikonografe dhe piktore e, Vasili, i shoqi u emërua zoolog dhe nisi nga puna për krijimin e muzeut të Institutit të Shkencave të Natyrës. Ndër të tjera, pasioni i tij i madh, ishte balsamimi i kafshëve. Ndërsa, Aleksandri, nuk punoi asnjëherë. Ai qëndroi në shtëpi për të lehtësuar jetën e dy të parëve, duke kryer punë të ndryshme si, psonisje e gatime.

PUZANOVA - ZONJA RUSE E SHENJTOREVE
 
 
Viktoria Puzanova ishte grua me shumë aftësi dhe mjaft e ndjeshme ndaj botës së artit. Ne fakt, ajo kish studiuar për skulpturë në Shën Petërburg, por ushtronte vetëm pikturën dhe njihte mjaft mirë restaurimin e ikonave. Duke nisur punë në atelienë e artit tonë mesjetar, ajo e lidhi jetën e saj gjer në fund me artin bizantin shqiptar e ja kushtoi atë, tërësisht, restaurimit e studimit të ikonave. Në vitin 1947, ajo themeloi sektorin e artit pranë Institutit të Shkencave dhe ndërmori ekspedita në gjithë zonat, nga veriu ne jug, nga lindja në perëndim. Rezultat i atyre ekspeditave ishte botimi i shumë artikujve në revistat shkencore, si edhe kopjimi i 32 afreskeve që ruhen në Muzeun e Artit Mesjetar në Korçë. Ishte ajo, e para studiuese e ikonave dhe afreskeve kishtare, e cila vuri ne dukje rëndësinë e tyre në kulturën tone kombëtare. Viktori Puzanova, për herë të parë në mënyrë shkencore, studioi e botoi artin tonë mesjetar. Në atë fushë, ajo la mbresa të veçanta e mbeti modeli i njeriut që ju përkushtua gjer në thellësi të shpirtit, zgjedhjes që pat bërë në jetë.
 
Ja si e përshkruan piktori Maks Velo takimin e tij të parë me Viktoria Puzanovën, në librin “Kohë antishenjë : “ ... Në mes të sallës pashë një figurë të lartë, me flokë të bardhë e të ngritur përpjetë si kurorë e cila ktheu kokën ngadalë. Me një vështrim të butë dhe një buzëqeshje të ëmbël, ajo bëri pak përpara e më shtriu dorën. Ishte Viktoria Puzanova. Nuk kisha njohur më parë e as kam parë më vonë, një tjetër person si ajo që të ishte aq afër personazheve që ajo pikturonte. Që prej asaj dite dhe, sa herë që e shihja duke pikturuar shenjtorët, ajo më ngatërrohej me ta dhe më bëhej se renditej diku në muret e kishave. Sot, mbas kaq vitesh kështu e përfytyroj, një shenjtore që kaloi midis nesh duke na lenë aq shumë dashuri dhe mirësi “.
 
Viktoria e deshi Shqipërinë, po aq sa atdheun e saj, Rusinë. Desh me shpirt artin e saj kishtar bizantin, studimi i të cilit u bë qëllimi madhor, shkencor dhe artistik i jetës së saj. Nuk është shkruar ndofta asnjëherë por, ishte studiuesja Puzanova ajo që zbuloi madhështinë e veçantinë e piktorit tonë të shquar, Onufrit. Ajo ja kushtoi jetën zbulimit e studimit te ikonave tona mesjetare e, kjo s’ishte diçka e lehtë, sepse, siç thotë me plot te drejtë, Maks Velo: ”... që të kuptosh në thellësi dhe të deshifrosh artin bizantin, nuk mjafton vetëm të jesh kritik, estet, historian apo piktor dhe të merresh me të. Duhet të kesh një cilësi të veçantë dhe një aftësi të rrallë. Duhet të jesh një pjesë e vogël e tij, të jesh pjesë e shenjtërisë. Ajo, Viktoria, ish e tillë!” ( M. Velo “Koha antishenjë” )
 
Kur Shqipëria ndërpreu marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik, familja Puzanova u thirr nga ambasada ruse për tu kthyer në vendin e tyre, por s’pranoi. Sepse, tashmë për ta, Shqipëria qe bërë atdheu i tyre i vërtetë. Në këtë vend ata kishin kaluar një pjesë të madhe te jetës, kishin punuar me përkushtim e dashuri, kishin njohur edhe mjaft njerëz të mrekullueshëm e për këto arsye refuzuan.
 
Me kalimin e moshës, Vasili u sëmur rendë. Puna e shumtë, në balsamimin e kafshëve e përdorimi pa mbrojtje i formalinës, e kishin dëmtuar keq. U shtrua në spitalin e Tiranës dhe aty vuajti shumë, gjersa vdiq në janar të vitit 1964 nga kanceri i lëkurës. Kështu, në familje mbeten vetëm Viktoria me Aleksandrin. Pas ca vitesh u sëmur keq dhe Viktoria, që vuante nga parkinsoni. Ajo, s’desh të shtrohej në spital dhe u dergj në shtëpi, ku edhe vdiq më 1967.
 
Nga familja Puzanova kish mbetur vetëm një : Aleksandri. Ishte e tmerrshme të shikoje se si ai e mbante përbrenda shpirtit, dhembjen e fortë për humbjen e të dashurve të tij, e si përballonte vetminë tmerruese  – vazhdon tregimin e saj Ollga Durolli – Ai ishte krejt i vetmuar e pa asnjë të ardhur dhe mbeti gjallë, në saje të ndihmës që i jepnin familjet përreth, në veçanti ajo e piktorit Maks Velo. Në këto rrethana, Aleksandri, shprehu dëshirën që t’i bashkohej familjes Durolli e të kalonte bashke me të, ditët e tij të fundit. Në atë familje, ku ata kishin kaluar aq ditë të bukura e të lumtura e, fëmijët e së cilës i donte aq shumë. Por situata politike qe ashpërsuar shumë dhe ishte me pasoja e rrezik që të strehoje në familje, një rus të bardhë të ”dyshimtë”. Ishte kjo arsyeja që, me shumë dhimbje Ollga e Llambi u shtrënguan që të mos vendosnin. Kështu, pas ca vjetësh, më 1982, vdiq edhe Aleksandri ...
 
Kësaj familje të harruar nga regjimi i kohës, këtyre njerëzve që patën punuar aq shumë për kulturën shqiptare, Vikoria Puzanoves që kish dhënë një kontribut aq të çmuar në shkencën shqiptare, autoritetet a institucionet shkencore përkatëse, nuk u bënë as edhe një varr. Ishte pikërisht Maks Velo ai, i cili kreu një gjest tepër human dhe mjaft të çmuar e domethënës, duke u bërë me harxhet e tij të treve, nga një varr. Për t’u prehur kështu përjetësisht, në tokën shqiptare, të cilën e deshën aq shumë e ku gjetën edhe atdheun e tyre të dytë ...
 
                                                            °°°°°°°
 
Shënim: Në fotot e paraqitura në këtë shkrim, sipas vendosjes, diçiturat janë:
 
Familja Puzanova – Tiranë 1953
Vasili Puzanova dhe Llambi Durolli
Foto e pasaportës së Viktoria Puzanovës
 
 
Published by Simbad - dans Publicistikë
commenter cet article