Overblog
Suivre ce blog
Administration Créer mon blog

RUBRIKAT

 

Fichier hébergé par Archive-Host.com Fichier hébergé par Archive-Host.com Fichier hébergé par Archive-Host.com Fichier hébergé par Archive-Host.com Fichier hébergé par Archive-Host.com Fichier hébergé par Archive-Host.com Fichier hébergé par Archive-Host.com Fichier hébergé par Archive-Host.com Fichier hébergé par Archive-Host.com Fichier hébergé par Archive-Host.com Fichier hébergé par Archive-Host.com Fichier hébergé par Archive-Host.com Fichier hébergé par Archive-Host.com Fichier hébergé par Archive-Host.com Fichier hébergé par Archive-Host.com Fichier hébergé par Archive-Host.com


Fichier hébergé par Archive-Host.com 


Fichier hébergé par Archive-Host.com 


Fichier hébergé par Archive-Host.com 


Fichier hébergé par Archive-Host.com


Fichier hébergé par Archive-Host.com

SUPLEMENTE


'AMARUS'

( klikoni mbi imazhet më poshtë )

 

Fichier hébergé par Archive-Host.com

 


Fichier hébergé par Archive-Host.com
 

 


  Fichier hébergé par Archive-Host.com   



Fichier hébergé par Archive-Host.com  



Fichier hébergé par Archive-Host.com  


Fichier hébergé par Archive-Host.com


Fichier hébergé par Archive-Host.com 

 Apartament-me-qera-Vlore.jpg
16 juin 2008 1 16 /06 /juin /2008 22:03

Agim-Sulaj-Karikature.JPG

  Çadra e avokatit mbrojtës’ - Karikaturë e Agim Sulaj e cila u nderua me vendin e parë, në Bienalen Europiane të Humorit Grafik në Portugali


AGIM SULAJ

Fitues i Bienales Europiane në Portugali
 
Përgatitur nga SIMBAD


Në 8 qershor 2008, në qytetin Penela të Portugalisë u përurua Bienalja e parë europiane e humorit grafik ‘Luis D'oliveira Guimaraes’. Kjo veprimtari ishte nismë e Dhomës së Kulturës së Bashkise së Penelas bashkë me familjen Guimaraes e cila i beri kështu homazh, veprës së juristit dhe shkrimtarit të shquar të humorit e të regjisë teatrale:  Luis d'Oliveira Guimaraes.

Tema e kësaj bienaleje ishte Drejtësia, në të gjithë aspektet e saj: në gjykatë, avokati, të drejtat civile etj. Agim Sulaj u prezantua në të me dy punime. Një prej tyre (pikërisht kjo që shihni në foton e vendosur më lart, dërguar si dhuratë autorit të blogut ‘Amarus’) u vlerësua me çmim të parë. Në këtë punim, paraqitet një avokat i cili mban një çadër gjysmë të grisur e që kësisoj, mbron nga shiu vetëm avokatin. Ideja e saj është që për fat të keq, për të varfrin dhe gjithë ata që s’kanë mundësi të paguajnë, s’ka drejtësi. (Sarkazma dhe ironia, mbi të gjitha, bie mbi Shqipërinë ku drejtësia është pothuaj inekzistente). Punimi është ekspresiv, i realizuar me laps. Kjo teknikë nuk është tipike e stilit  hyper-realist të Sulajt, stil  me të cilin tashmë jemi mësuar të njohim veprën e tij. Por, gjithsesi, fitorja e kësaj trofeje, vërteton edhe një here se vepra e tij është e pëlqyeshme, në gjithë larminë e artit të tij.

Në Bienale, në vend të dytë, fitues ishte Jose Santos nga Portugalia, ndërsa në vend të tretë Pavel Constantin nga Rumania. Bienalja i shpalosi punimet në sallën e bibliotekës së Penelas. Në veprat e paraqitura pati krijues nga  shumë vende si: Gjermani, France, Itali, Spanje, Portugali, Kroaci, Slloveni, Holande, Suedia etj,  Pra, puna e Agim Sulaj, u vlerësua me çmim të parë, mes 243 krijimeve të ardhura nga gjithë Europa. Te pranishëm ne dhënien e trofeve ishin presidenti i Juntes Municipale, Paulo Jorge Simoes Julio si edhe mjaft të ftuar nga Lisbona, Porto, Coimbra nder të cilët piktorë e karikaturistë, shkrimtarë e aktorë teatri, pothuajse të gjithë miq të Luis d'Oliveira Guimaraes. Kjo Bienale do të qëndrojë e hapur gjer në muajin shtator, duke  shëtitur në një varg qytetesh të Portugalisë.

 
Agim-Sulaj.jpg

Piktori Agim Sulaj me sozinë e Salvator Dali (Sozia quhet Onofre Varela-artist karikaturist i njohur, president i FECO (Shoqata e Karikaturistëve të Europës për Portugalinë)

 

 

 

Published by Simbad - dans Art - Kulturë
commenter cet article
9 mars 2008 7 09 /03 /mars /2008 12:16
Fichier hébergé par Archive-Host.com

LEJLEKËT
NUK
VIJNË MË


(shënime për librin me të njëjtin titull)

Nga Vasil QESARI

A kanë munguar e qeshura, satira dhe humori, nenë diktaturë ? Padyshim që jo, përderisa fatmirësisht, së pari, ato bëjnë pjesë në vetë thelbin e natyrën njerëzore të cilin, edhe pse sistemi totalitar u përpoq ta tjetërsonte, nuk arriti dot t’i a dalë mbanë. Ata që jetuan atë kohë, janë dëshmitarë të faktit se me gjithë frikën, trishtimin dhe atmosferën mbytëse të regjimit, në shtëpi, rrugë, në qendra pune apo shkolla, e qeshura dhe humori, vazhdonin të ekzistonin. Bile, siç rrëfejnë ata që ishin nëpër burgje edhe aty, megjithë terrorin dhe urinë, të dënuarit gjenin rast të bënin humor e të qeshnin, për të sfiduar kështu jo vetëm dhunën e fatalitetin, por edhe për t’i dhenë vetes ndofta, një shans më tepër, për të mbijetuar. E, pastaj, të mos harrojmë se ajo kohë, krahas mërzitjes, trishtimit, limontisë, sloganeve e parullave komuniste, kishte edhe të kundërtat e tyre. Nuk ishin të paktë njerëzit që, helmit trullosës totalitar i përgjigjeshin shpesh, me një antidotë tepër efikase : pikërisht me të qeshurën, me barcaletat dhe thumbat ndaj regjimit, herë hapur (sigurisht mes miqsh e shokësh) e herë ne mënyrë klandestine. Ja, pse shkrimtari Pellumb Kulla, në shumë krijime të tij, është frymëzuar shpesh nga fenomene të tilla, për të na rikthyer në kujtesë, me shumë art e humor, pikërisht atë që është thënë edhe tjetër herë: Të Qeshurën nenë Diktaturë ...
 
***

... Kur, pak kohë më parë më ra në dorë, libri më i fundit me tregime i Pëllumb Kullës "Lejlekët nuk vijnë më" (botimet Arbëria-2005), thashë me vete se me siguri do kënaqesha jo pak, sigurisht me humorin e tij të spikatur, origjinal e tepër fin e, kështu, do të riprovoja serish një gjendje gazi e gudulisje të brendshme, të tille siç e kisha ndjerë vetëm në rininë time, kur pata lexuar për herë të parë, Azis Nesinin dhe të paharruarin Chri - Chri. Por, pasi lexova dy-tri tregimet e para, kuptova se humorin e tregimeve të Pëllumb Kullës e ndante një "teh brisku" nga tragjikja. Jo, nuk mund të thosha se isha duke lexuar thjesht, humor! Nga që ato, tregimet në fjalë, të bënin të përjetoje një sentiment të çuditshëm. Sa nisja të lexoja, sa vija buzën në gaz qysh në paragrafët e parë; sa ndjeja të më pushtonte një valë dehëse humori kur, papritmas, më dukej se bija rrufeshem në 'humnerë'. Ndjeja të ligështohesha, të me kalonin mornica ne trup e thellë, shpirtërisht, jetoja dhimbshem me tragjizmin, fatin e  personazheve që pësonin gjëmë për hiçgjë. 

***

... Ç’ishtë pra, kjo ndjenjë e paparë frike, ankthi e humori, paradoksalisht përzier bashkë, e sigurisht, shoqëruar edhe me një realitet absurd kafkian? Pikërisht, këtu, për mendimin tim, qëndron edhe zotësia e vëzhgimit të një artisti si Pëllumb Kulla, i cili nga e kaluara totalitare ka arritur të katalogojë (me pasionin dhe durimin e një 'arkivisti' të rrallë, si ata që ndeshim jo rrallë në romanet klasike francezë), pothuaj gjithë fenomenet dhe absurdin e kohës që lamë pas. Kjo arritje është, sigurisht, fryt i mjeshtërisë fine dhe spikatëse të rrëfimit të tij; si të thuash, një sintezë e jetës banale të ngritur në art, nje varg rrëfimesh shoqëruar me plot detaje, kujtime, situata e dialoge shpotitës të cilët edhe pse me reminishenca në dukje, paksa të largët nga koha që kanë ndodhur, janë dhe ndihen të afërt, shumë të afërt nga që ato i përjetuan tri breza: pikërisht prindërit, ne dhe fëmijët tanë...
 
***

Vëllimi "Lejlekët nuk vijnë më", mban me shumë të 'drejtë' dhe njëkohësisht si një gjetje mjaft të goditur, pikërisht titullin e një tregimi mjaft prekës, poetik e tragjik njëherësh (sintezë e jetës nenë diktaturë). Tregimi në fjalë, nëpërmjet imazhit të shenjtë e paqësor të lejlekëve, në kontekst ngjarjesh të caktuara, mendoj se përmbledh gjithë simboliken totalitare: pra, atë të triumfit të barbarisë mbi humanizmin, të dhunës mbi tolerancën, të egërsisë mbi butësinë dhe të mirën njerëzore. Edhe diçka tjetër! Është interesante që në këtë libër, çdo situatë a ndodhi, ka për referencë pothujase çdo herë një fshat të panjohur të Shqipërisë verilindore, me emrin Gollokamje, (i cili të kujton për nga pikënisja e rrëfimeve, Bugjejovicën e Shvejkut). Duket, në pamje të parë se njerëzit e këtij fshati, krahas dashurisë për punen, janë qeflinj e duket se kanë lindur për të bërë 'llogo', për tu argalisur në gallatë por, pikërisht këtu qëndron edhe 'gracka'. Fshati Gollokamje në më të shumtën e miletit të tij, është një fole armiqsh; shkurt një fshat reaksionarësh e aty çdo fjalë, çdo personazh, çdo qyfyr, veprim a vështrim, nuk merret si shaka, si fjalë a gjest normal, por si kunj, si 'propagandë e veprimtari armiqësore'. Duket se, gjithë të këqijat e kësaj bote, vijnë pikërisht nga që ai fshat ishte pra, plot 'armiq të betuar', shkurt një strofkë njerëzish të pabesë. Në fakt, kjo gjetje e bukur e cila s’ka të bëjë as me rastësinë e as me ndonjë 'shpikje' imagjinare të autorit, ka një domethënie të qartë e përgjithësuese: Gollokamje e asaj kohe ishte gjithë Shqipëria, ndaj dhe lexuesit i ngjan se atë fshat e ka njohur diku, ka pare korijet e lumin që e përshkon mëspërmes, ka njohur dhe fshataret e tij, 'bandat e reaksionareve', e bile edhe thumbat dhe fjalët e tyre me spica kundër 'pushtetit popullor' ...
 
***

Një veçanti tjetër e këtij libri ... Në fakt edhe pse kemi të bëjmë me një vëllim tregimesh, shumë personazhe e po ashtu mjaft situata, janë të pranishëm në shumicën e rrëfimeve e, fati i tyre, na ndjek pothuajse në gjithë librin. Kemi të bëjmë, pra, jo thjesht me një libër tregimesh por me tregime që përbejnë një libër unik dhe kompakt (në kuptimin e vazhdimësisë së personazheve, situatave dhe referencave, të cilat ndjekin e plotësojnë njëra-tjetrën). Në qendër të shumicës së tregimeve, është pikërisht ajo e famshmja Gollokamja, vendlindja e gjynahqarit Melis Feçorri të cilin ngado që vë këmbë e ndjek pas, si hije e zezë, biografia e tij me "njolla". Pikërisht, me fshatin Gollokamje, ka pothuajse lidhje çdo keqkuptim e kokëçarje, çdo ankth, frikë, dyshim, komplot; çdo veprimtari armiqësore që ndodhte aso kohe e që, padyshim drejtohej kundër 'pushtetit popullor e ndaj popullit heroik shqiptar'. Diçka kjo, e cila pavarësisht trishtimit, paradoksit dhe dhembjes, autori ka ditur të na i paraqesë me mjaft humor e shpesh, me një sarkazmë therëse ... 

***

E në fund, një 'detaj' tjetër kuptimplotë .... Vëllimi, nis me një tregim shpotitës e plot humor të cilit është veshtirë ti 'rezistosh', kushtuar vdekjes se 'baba' Stalinit dhe perfundon me atë i cili i dedikohet vdekjes së Qoftëlarg Enverit. Një vendosje e tillë vdekje diktatorësh, në nisje e në fund të librit, pa dyshim nuk është një trill a zgjedhje e rastit ... Dhe, tani, fjalen ia lë lexuesit të cilit, patjetër, nuk duhet t'i shpëtojë nga duart ky libër !

Pellumb---Kulla---Biographie.jpg




***

Pëllumb Kulla, ka lindur në Zemblak të Korçës, në vitin 1940. Ka mbaruar studimet e larta në Fakultetin e Artit Dramatik. Mes një jete të trazuar dhe plot shqetësime e privacione për shkaqe politike, ai mundi të çajë falë talentit të tij të spikatur në gjininë e humorit, dramës dhe letërsisë, si edhe të përkushtimit të pashoq në punë. Ka botuar, në vite, një seri librash si, Lipe shtogu në listë (1980), Shoku Niqifor (1980), Portrete pa makijazh (1984), Po martojmë Malon (1986), Këshilla për fëmijët nga 5 në 55 vjeç (1989), Si qeshnim nënë diktaturë (2002), Rrëfenja nga Amerika (2003) dhe Lejlekët nuk vijnë më (2005). Aktualisht Pëllumb Kulla jeton familjarisht në SHBA.
 

Published by Simbad - dans Art - Kulturë
commenter cet article
1 mars 2008 6 01 /03 /mars /2008 19:50
'Sëmundja, çmenduria dhe vdekja ishin engjëjt e zinj që më përkundën qysh në djep'


Fichier hébergé par Archive-Host.com
 Edvard Munch (Klithma, 1893)
 
Dëshmi e Edvard Munch rreth tablosë së mirënjohur ‘Klithma’, emocionin frymëzues të së cilës ai e ka përjetuar, me sa duket, në Nordstrand të Norvegjisë: 'Unë po ecja rrugës me dy miq, ndërkohë që dielli po perëndonte e qielli papritmas u bë i kuq, si të kish marrë ngjyrën e gjakut. Për një çast ndala dhe i kapitur, u mbështeta në parvazin e urës ku po kalonim. Pastaj, hodha sytë drejt fjordit i cili ish mbuluar me një ngjyrë të zezë në blu e më tutje, pashë qytetin e flakëruar si të përmbytur në gjak, përpirë nga gjuhë të shumta zjarresh. Miqtë e mi vazhduan rrugën, ndërkohë që unë vazhdoja të dridhesha prej ankthit që më kish pushtuar dhe, ishte pikërisht në atë çast që bota rreth meje, u shpua tejpërtej nga një klithmë pambarim '.

 
 
EDVARD MUNCH  
ARTI I NJE KLITHME ETERNELE
  


 
Përgatitur nga Vasil QESARI
Botuar në gazeten 'Shqip'
 
Edvard Munch konsiderohet si një nga pionierët e ekspresionizmit në pikturë. Vepra e tij ka luajtur rol të veçantë në pikturën moderne dhe është mjaft e njohur në Europë e kudo në botë. Lindur më 1863, në Loeten (Norvegji), Edvard Munch ishte i dyti prej pesë fëmijëve të një mjeku ushtarak e gruas së tij. Kur ishte pesë vjeç, e ëma i vdiq nga tuberkulozi. Pas kësaj, një jete e zymtë pllakosi gjithë familjen. I ati u tërhoq, pak nga pak drejt përkushtimit fetar, ndërkohë që Sofia, motra e dashur, një vjeç më e madhe se ai, bie ashtu si nëna, viktimë e po asaj sëmundje të mallkuar. Edvard i qëndron pranë dhe përjeton gjer në fund agoninë e saj të llahtarshme. Më 1880, ndërkohë që sapo kish mbushur shtatëmbëdhjetë vjeç, ai ndërpret studimet për inxhinieri dhe vendos të bëhet piktor. Më 1889, ndërkohë që i vdes i ati, Munch hap ekspozitën e tij të parë në Oslo dhe fiton një bursë shteti, për të kryer studime në Francë ku do të qëndrojë gjer më 1892. Por, ishte në Gjermani, në Berlin që legjenda e këtij piktori nis të hedhë rrënjë e ku do të lindë talenti i tij i madh, në rrethana pak a shumë, të rastësishme.

Duke mos ditur pothuajse asgjë rreth krijimtarisë së tij, por e influencuar prej rekomandimit të akademikut norvegjez Adelsteen Normann, Shoqata e Artistëve Berlineze (Berliner Kunstverein) e fton atë të organizojë një ekspozitë vetjake në ‘Shtëpinë e Arkitektëve’. Por, reagimi i kritikës dhe pakënaqësia e publikut ishte aq e fortë sa që ajo u mbyll shtatë ditë, pas përurimit. Mes të rrallëve të cilët mbrojtën artistin e ri, ishte shkrimtari polonez Stanislaw Przybyszewski (1868-1927) i cili në krijimtarinë e Edvard Munch, zbulon për herë të parë frymën e saj fantastike dhe njëkohësisht, satanike. Më pas, vepra e Munch do të ndjejë dukshëm influencën e këtij shkrimtari të çuditshëm e, jo vetëm atë por edhe të gruas së tij, të bukur e diabolike, një femër e rrethuar gjithandej nga  burra lakmitarë që vdesin për te. Munch i renë keqas në dashuri, kalon një periudhë ankthi, vetmie dhe xhelozie. Kjo gjendje, pa dyshim që do të lerë vragë të thella e do të ndikoje jo pak, në vizionin e tij rreth femrës: njëheras tërheqëse dhe të frikshme, erotike dhe vdekjendjellëse.
 
Ndërkohë, siç ka ndodhur e ndodh rëndom në botën e artit, skandali i mbylljes së ekspozitës së tij në Berlin, do të ngjallë interes të veçantë rreth tij, si njeri e si piktor. Kështu, punët e Munch kërkohen gjithmonë e më tepër e ai, paskëtaj, do të jetojë vetëm në saj të shitjeve të pikturave të tij. Më 1893, ai realizon tablonë e njohur ‘Klithma’ e cila simbolizon vetminë e njeriut në ekzistencën e vet e që do të mbetet, ndofta, një nga veprat më të riprodhuara në historinë e artit. (Munch vetë ka bërë nja pesëdhjetë variante të saj). Ndërkohë, më 1895, ndodh një tjetër fatkeqësi, i vdes i vëllai, Andreas. Pas kësaj, Munch do të obsedohet edhe më tepër nga ideja se shumë shpejt, gjithë familja e tij do shuhet, po në të njëjtën mënyrë.

Edvard Munch qe burrë tepër tërheqës. Bukuria e tij, disi e ashpër, shkaktonte një tërheqje të veçante te femrat. Por, natyra e tij, pak e vrazhdë e njëkohësisht e ndrojtur, e mbante larg prej tyre. Mbas vdekjes së Dagny Juell Ducha, e cila kish lenë gjurmë të pashlyeshme në shpirtin e Munch, një femër tjetër ja shtoi tragjikisht edhe më tepër paranojën, shpirtit të tij të ndjejshëm. Në fakt, nuk dihen shumë hollësira, rreth kësaj femre nordike flokëkuqe (si Ducha) të quajtur Tulla Larsen, e cila ra aq çmendurisht në dashuri me Munch sa që ishte gati të martohej me të. Por, Munch, nguli këmbë e nuk pranoi për arsyen, siç shprehej ai, ajo në krahasim me të ishte shumë e pasur e kjo gjë e vinte në siklet nga që të ardhurat e tij si piktor, nuk ishin aspak të sigurta.
 
Një ditë, në shtëpi atij i erdhën papritur ca miq dhe i dhanë lajmin tragjik, se Tulla kish vdekur. Ata e shoqëruan në shtëpinë e saj, ku kishin sajuar një shaka vërtet makabre. Trupi i pajetë i gruas qe vendosur mbi një shtrat. Por, në çastin kur Munch po shihte me pikëllim të thellë, atë që ai kish dashur aq shumë, trupi i saj lëvizi. Ishte nje skenë e stisur ! Tulla Larsen, ishte e bindur se Munch, duke parë se ajo po ‘ringjallej’ para syve të tij, do të vendoste më së fundi të martohej me të. Por, Munch  u zemërua keqas nga ajo lojë, dhe mes tyre plasi një zënkë e cila përfundoi me një krismë revolveri. Një plumb e goditi atë në dorë e një prej gishtave, i ra i këputur për tokë. Tashmë, ideja e tij se gruaja ishte mishërim i së keqes qe bërë realitet. Ai s’u martua kurrë edhe pse pas asaj ngjarje, u njoh me shumë gra të tjera. Pas asaj ngjarje, ai ra në depresion të thellë dhe u shtrua në spital duke e cilësuar periudhën që ndenji në të, si ‘fundin e nje epoke’ të jetës së tij. Me një qartësi gjykimi të pashoq, lidhur me këtë, ai pat shkruar: ‘Dobësitë që kam, janë pjesë e vetvetes sime. Unë s’kam dashur të shpëtoj nga sëmundja që kam, sepse arti im është fryt i saj’.
 
Është fillimi i vitit 1909. Pas shtatë muajsh qëndrimi në spital, Edvard Munch del nga klinika neurologjike e profesorit Jacobson në Kopenhagë. Nga periudha e ndenjjes në atë klinikë, kanë mbetur disa punime. Në një prej tyre, Munch paraqitet ulur në një tavolinë, mbi të cilën ka aparate elektrike. Një infermiere, me profil tërheqës (pa dyshim asistentja e profesorit, zonjusha  Schacke), është duke i dhenë profesorit Jacobson një kabëll i cili del prej aparaturave dhe prek kokën e piktorit. Në tre rreshta, shkruar me dorë në fund të vizatimit, shkruhet: “Profesori Jacobson, duke i bërë elektroshok trurit delikat të piktorit të famshëm Munch, i jep atij një forcë pozitive mashkullore e një force negative femërore”.
 
Pas daljes nga klinika, duket se ai është shëruar dhe vazhdon të bëjë një jetë pak a shumë të qetë, por ai nuk do të pikturojë kurrë më, si më parë. Në disa shënime të mëvonshme, mes të tjerash, ai ka shkruar: ‘Pa frikën dhe sëmundjen, jeta ime do të kish qënë si një varke pa rema”. Duket se me këto fjalë, ai ka dashur të thotë se burimi i anktheve e për pasojë edhe i vetë artit të tij, i kanë pasur rrënjët thellë, qysh në fëmijërinë e tij. Edvard Munch vdiq në Ekley, pranë Oslos (Norvegji) më 23 janar 1944, në moshën 80 vjeç. Ai la pas një trashëgim artistik prej rreth njëmijë tablosh, 4.500 vizatimesh, akuralesh si edhe gjashtë skulptura. Një pjesë të madhe të tyre, ai ja la trashëgim qytetit të Oslos i cili krijoi me to, Muzeun Munch, në qytetin Toyen.

 
 
Fichier hébergé par Archive-Host.com 
‘Të nesërmen’ (1894-95)

Edvard Munch, pas shërimit të tij, sigurisht jo pa nuanca trishtimi, do të shprehej: “Cigare pa nikotinë, pije pa alkool, femra pa seks”
 

Published by Simbad - dans Art - Kulturë
commenter cet article
18 janvier 2008 5 18 /01 /janvier /2008 18:52


shabani.jpg

 ARTAN  SHABANI


The Labyrinth of Memory

 
solo exhibition

 


Il Quadrato Art Gallery


Salone del Ghetto
8,Via della Pace
Chieri Torino 
ITALY

 
 
 

opening  16 pm

Exhibition dates 1-30 March 2008


Published by Simbad - dans Art - Kulturë
commenter cet article
22 décembre 2007 6 22 /12 /décembre /2007 23:12
Fichier hébergé par Archive-Host.com

'Ishulli i të Vdekurve' – nga Arnold Böcklin (1880)
Pikturë në vaj, përmasat 111 x 155 cm.
Bazel - Öffentliche Kunstammlung ( Kunstmuseum )


 
Nga Vasil QESARI

(E çmuar dhe e vlerësuar jashtëzakonisht prej Elisabetës, Perandores së Austrisë (Sissi), kjo tablo ka qenë një nga krijimet artistike më të adhuruara edhe për shumë personalitete të tjerë historikë. Diktatori gjerman Hitler, nuk e ndau atë kurrë, prej kabinetit të tij të punës. Lenini, lideri i revolucionit bolshevik e cilësonte si një nga veprat e artit që preferonte në mënyrë të veçantë. Shkrimtari dhe poeti zyrtar i fashizmit musolinian Gabriele D'Annunzio, magjepsej pas saj. Po ashtu, gazetari i shquar dhe burri i shtetit francez Georges Clemenceau, si edhe themeluesi i psikanalizës Sigmund Freud, mbanin në studiot e tyre, nga një riprodhim të saj )

Arnold Böcklin

Lindur në Zvicër, Arnold Böcklin (1827-1901) studioi në Akademinë e Arteve të Bukura në Düsseldorf (Gjermani). Pasi ndërmori një seri udhëtimesh studimi artistik, në Zvicër, Holandë e Francë, ai u instalua në Romë duke jetuar aty shtatë vjet. Ndërsa, gjatë viteve 1860-1862, ai dha mësime në Akademinë e Arteve të Bukura, në Weimar. I konsideruar si një piktorët më të mëdhenj të fundit të shekullit të XIX-të e, njëkohësisht, më pas i harruar, Arnold Böcklin u rizbulua gjatë viteve ‘20 të shekullit të kaluar, prej piktoreve surrealistë Giorgio De Chirico e në mënyrë të veçantë prej Max Ernst, të cilët u frymëzuan prej përfytyrimeve të tij fantastike me frymë mitologjike. Një tjetër piktor i madh që e adhuronte atë, ishte Salvador Dalí i cili e konsideronte si një ‘artist gjenial dhe ironik’. Tabloja e tij më e shquar është piktura ‘Ishulli i të Vdekurve’, si edhe autoportreti i tij ‘Vdekjen duke i renë violinës’ (1872). Së bashku me Ferdinand Hodler, Max Klinger dhe Lovis Corinth, Arnold Böcklin konsiderohet si përfaqësuesi kryesor i Simbolizmit gjerman, i cili shënoi ndarjen me pikturën akademike dhe natyralizmin e gjysmës së dytë të shekullit të XIX-të.
 
‘Ishulli i të Vdekurve’ ( Die Toteninsel )
 
Një ishull, në perëndim të diellit. Drejt tij, shket lehtë një varkë e vogël, me një ngarkesë. Mbi të, një njeri që u jep qetësisht remave. Para tij, një personazh misterioz qëndron në këmbë, mbështjellur kokë e këmbë me çarçaf të bardhe. Ky personazh misterioz (një i vdekur ?), ka hedhur shikimin drejt ishullit ku e pret varri i tij. Para këmbëve të tij, mbi bordin e varkës, duket një arkivol edhe ky, i mbështjellë me cohë të bardhë.
 
Në sfond, duket qartë ‘Ishulli i të Vdekurve’ (Die Toteninsel). Është një gjysmë rrethi shkëmbinjsh, të cilët bien pingul mbi det, të mprehtë sikur të jenë prerë me thikë. Mes tyre, lartësohen një grumbull qiparizësh të gjatë. Lart, në shpatet e thepisura, shquhen disa porta hyrjesh të gërryera në shkëmbej, një pjesë e të cilave, janë të muruar. Ato, janë portat e gurta të varreve, të cilat evokojnë imazhin e një grumbulli ‘folesh’ pëllumbash, ku fshihet një botë misteresh të errëta, të frikshme e të tmerrshme.
 
Këtë tablo, të pakrahasueshme për nga fryma  mistike si edhe nga fuqia e imagjinatës, Arnold Böcklin e pat punuar në pesë variante (mes viteve 1880 dhe 1886). E konsideruar si një ikonë e vërtete e simbolizmit europian, kjo pikturë ka njohur një përhapje mjaft të madhe, veçanërisht në fund të shekullit të kaluar, dhe konsiderohet si një nga tablotë më të njohura më të përhapura, më të kopjuara e të imituara, në historinë e pikturës.  


E çmuar dhe e vlerësuar jashtëzakonisht prej Elisabetës - Perandores së Austrisë (Sissi), tabloja ‘Ishulli i të vdekurve’ ka qenë një nga krijimet artistike më të adhuruara, për shumë personazhe historike. Diktatori gjerman Hitler, nuk e ndau atë kurrë, prej kabinetit të tij të punës. Lenini, lideri i revolucionit bolshevik e cilësonte si një nga veprat e artit që preferonte në mënyrë të veçantë. Mendimtari, shkrimtari dhe poeti zyrtar i fashizmit musolinian Gabriele D'Annunzio, magjepsej pas saj. Po ashtu, gazetari i shquar dhe burri i shtetit francez Georges Clemenceau, si edhe themeluesi i psikanalizës Sigmund Freud, mbanin në studiot e tyre, nga një riprodhim të saj. Dramaturgu, romancieri dhe poeti suedez  Strindberg e vuri atë tablo në sfondin e skenës finale të dramës së tij të njohur ‘Sonata e Spektrit’. Kjo pikture, pat frymëzuar kompozitorin e shquar rus Sergei Rahmaninov e, po ashtu edhe regjisorët e njohur të skenës Patrice Chéreau në Francë e Richard Peduzzi në Bejrut. Salvator Dali bëri një plagjiaturë të saj, ndërkohë që me tablonë në fjalë, regjisori amerikan Mark Robson, ndërtoi dekorin e një  filmi të njohur ‘horror’. Po ashtu, site dhe blogje të shumte në internet, i janë përkushtuar veprës artistike të Arnold Böcklin e, në mënyrë të veçantë, tablosë së tij të shquar ‘Ishulli i të Vdekurve’.
 
Si është komentuar, ç’është shkruar për këtë vepër ? Janë me qindra e qindra, interpretimet e saj. Në më të shumtët e tyre, mendohet se kemi te bëjmë me simbolin e Karon-it, lundërtarit stoik i cili çon në udhëtimin e tij të fundit, të vdekurin bashkë me qivurin- strehuesin e tij. Pikërisht aty, në ishullin e varreve monumentale. Duke vrojtuar tablonë, shohim se varka, e cila tashme është larguar shumë prej nesh, edhe pse s'ka mbërritur ende në breg, është duke përfunduar udhëtimin që ka nisur i cili është, padyshim, një rrugëtim pa kthim. E ndriçuar nga lart, prej rrezeve të fundit të një dielli në perëndim, figura misterioze e mbështjellë me çarçaf të bardhë, duket si një imazh i ‘ndarë në dysh’. E ndarë mes dy brigjesh, mes kontinentit dhe ishullit, mes ditës dhe natës së pafund. Mes botës së këndejme dhe asaj që ndodhet matanë. Ujërat e errëta që shohim në plan të parë, nuk janë gjë tjetër, veç limitet ndarëse të një kufiri. Ky moment, të cilin e perceptojmë si të ngrirë në këtë tablo, s’është gjë tjetër, veçse çasti i kalimit te këtyre dy kufijve. Varka, ngarkesa e lehtë dhe ‘pasagjeri’ i saj, janë tashmë të lidhur me bregun matanë, pra me ‘botën’ tjetër.

‘Lidhur me nocionin e Vdekjes, ne, njerëzit e gjallë, nuk dimë e as mund të shpjegojmë pothuajse asgjë - thekson, ndër të tjera, romancieri e poeti amerikan me orgjinë ruse, Nabokov-Kjo ndodh, nga që ne njohim vetëm gjysmën tjetër, pra njërën anë të ‘bregut’ - atë të jetës. Të ikësh prej saj, do të thotë të vdesësh dhe i vetmi e më i vërteti udhëtim, është pikërisht ai, i cili nuk ka më kthim ...’. Ndërsa filozofi francez Bachelard, në sprovën e tij ‘Uji dhe ëndrrat’ (L'eau et les rêves), parashtron një ide tjetër kur shkruan ndër të tjera se, vdekja, me sa duket nuk është ndofta i fundit (dhe eterneli udhëtim), por përkundrazi, i pari. Simboli i arkivolit, i lidhur me idenë të cilin ai e cilëson si ‘kompleksi i Karonit’, nuk është ne fakt e fundmja varkë që lundron drejt botës tjetër. Është e para ! E, ndofta, ne, jemi në agim e jo në perëndim të jetës !
 
Ishulli i cili është në epiqendër të kësaj tabloje, nuk është sidokudo. Ishujt, përgjithësisht, nuk kanë qenë vetëm simbole të Rinisë së Përhershme apo Ngrehina të Utopisë. Thjesht ishuj të Fatit a të Robinsonëve. Në ishuj të tillë, në tregime të tilla aventurash si ‘Ishulli i thesarit’ apo ‘Ishulli misterioz’, heronjtë nuk përballen veçse me fatin tragjik të mbytjes së anijeve, sigurisht duke u ndeshur me dhjetëra e dhjetëra rreziqe të ankthshme. Në raste të tjera, ishujt paraqiten si vende tepër të frikshëm. Bie fjala, ‘Ishulli i doktorit Moro’, e shkrimtarit britanik H.G.Wells apo ‘Shpikja e Morelit’ e romancierit argjentinas Bioy Casares, ishujt paraqiten shpesh me pamjen e fenomenit të asaj që eruditi, eseisti dhe poligloti argjentinas Alberto Manguel e quan ‘dystopie’, domethënë, imazhi i kundërt dhe i frikshëm i një Utopie.
 
Vijojmë më tej, me simbolikën e tablosë në fjalë. Hyrja në mbretërinë e të vdekurve, gjiri i një ishulli nekropol, është në të njëjtën kohë Portë e Harresës, vendi ku shpirtrat e shuara, të cilat Virgjili i përshkruan duke ‘pirë lëngun e harresës’, enden buze ujërave të lumit Léthé. Kur Sigmund Freud, në veprën e tij ‘Interpretimi i Ëndrrave’ (Traumdeutung), përshkruan një ëndërr të vetën (personale), duke pasur parasysh ‘tablonë e Arnold Böcklin’, logjika e përshkrimit të tij asociativ e çon atë jo vetëm drejt Anglisë, një vendi i cili për të ishte gjithmonë i dashur e ku jetonin njerëzit e familjes së tij, por gjithashtu edhe drejt Ishullit të Djallit, i cili kërcënon me harresë e terr, pikërisht këtë kujtim delikat. Pra, një ishull i tillë, na dënon me ëndje me sensin e harresës, me ndëshkimin e kujtesës, me atë që quhet ‘damnatio memoriae’(dënim me harresë). E, ndërkohë, detyra jone, detyra e të gjallëve që rrojmë në këtë ‘anë të bregut’, është të kujtohemi, të ruajmë imazhin e atij që ikën, të lidhemi me kohën e të vdekurve, në se një dite ne vetë, dëshirojmë që të shpëtojmë vetë.
 
Ai personazh misterioz, me arkivolin mbi varkë, është gati të largohet përjetë. Dhe është ndaj nesh që kjo ikonë melankolike mban distancë. Jemi ne, ata, të cilëve ajo u thotë ‘lamtumirë’ duke u larguar, duke na fundosur në zi të pafund. Dhe jemi pikërisht ne, që figura e fashuar me qefin të bardhë kokë e këmbë, na thotë ‘jo’, duke mos na treguar kurrë fytyrën e tij. Ajo, s’po shkon drejt zhdukjes apo një katastrofe kërcënuese. Jo, ajo ikën nga një katastrofë që tashmë ka ndodhur e që na i lë neve. Duke shkuar drejt banesës së tij funebre, ky personazh edhe pse i vdekur, qëndron në këmbë. Nga që ai nuk ka mbërritur ende në të madhin e të fundmin udhëtim të tij. Nuk e ka gjetur akoma prehjen nenë qiparisa apo banesën e tij të fundit në zgavrat e nekropolit.

... Apo, ndofta, ai, nuk do të arrije kurrë t’i afrohet gjer në breg ishullit, të verë këmbë mbi të. Duke qenë i paaftë për të vdekur plotësisht e duke u endur si ‘çifuti në shkretëtirë’. Të mbetesh i vdekur i pa kallur, pa gjetur prehje në një varr, ky është dënimi më i rendë, kobi më i madh. Sepse që të vdesësh, duhet të kesh jetuar. ‘Në se ne, nuk arrijmë të vdesim dot, shkruan filozofi dhe shkrimtari francez, Maurice Blanchot, në se është e pamundur që të japim shpirt, kjo ndodh jo vetëm se jemi në jetë, por nga që nuk kemi jetuar e kemi vdekur për së gjalli’. Pikërisht, këtu, qëndron edhe çështja. Tek pyetja enigmë: A kemi rrojtur vërtet ? ...

 

Published by Simbad - dans Art - Kulturë
commenter cet article
29 novembre 2007 4 29 /11 /novembre /2007 21:11

Fichier hébergé par Archive-Host.com

Simbad Detari dhe regjisori i shquar Emir Kusturica, fitues i shumë çmimeve prestigjioze në kinema. ( Fotografia është bërë në hollin e kinemasë UGC, fill pas intervistës që ai dha për France 3 Televizion ndërkohë që në sallë, shfaqej premiera e filmit të tij të ri ‘Më jep fjalën‘ (Promets-moi), i cili do të dalë në ekran, për publikun e gjerë, në janar 2008 )

                                                               ***
 
... Mbrëmë, isha në xhirime për Francë 3 Televizion, ne liceun Monteskje ( Montesquieu ). Kjo, për arsye se regjisori i shquar Emir Kusturica, kish pranuar ftesën për të marrë pjesë në një takim me 72 nxënës të këtij liceu të cilët ‘studiojnë’ për kinema ( si zgjedhje jashtëshkollore ). Gjatë më se 45 minutash, nxënësit i bënë atij pyetje nga më të ndryshmet. Duke ju përgjigjur pyetjeve, Kusturica u bëri atyre të ditur, konceptin bazë dhe idetë e tij kryesore mbi kinemanë, influencat që ka pasur si frymëzim si edhe mendimet rreth ‘busines’ -it hollivudian dhe ‘supermeraktove‘ të filmit të cilat, sipas tij, nuk kanë më kurajën të provokojnë ide e debate, por thjesht prodhohen për tu pëlqyer, pra për tu shitur. Po ashtu, ai u rrëfeu nxënësve se dëshira e tij është dhe mbetet ajo që të bëjë një kinema të përqendruar në thelbin e fenomeneve, sipas shembullit të mjeshtrit të edh të kinemasë franceze : Jacques Tati.

Pastaj, në orën 20:00 të mbrëmjes, në kinemanë UGC, Emir Kusturica doli në skenë dhe, i pritur mes duartrokitjeve të një publiku të shumtë, bëri prezantimin e premierës së filmit me metrazh të gjatë ‘Më jep fjalën’ ( film ky, i cili do të dalë për publikun e gjerë, në janar të vitit 2008 e që po ashtu, do të konkurrojë edhe në Festivalin e Kanës. Filmi tregon historinë e një djaloshi serb, i quajtur Cane i cili jeton në fshat, me gjyshin dhe lopën e tyre të vetme. Një ditë, gjyshi i kërkon atij që të shkojë në qytetin më të afërt, për t’i plotësuar tre amanete. I pari : të shesë Cvetken ( lopën ). I dyti : me paratë e fituara, ti blejë gjyshit një ikonë të Shën Nikollës dhe e treta, amanet ky i cili është edhe më i vështirë e më i komplikuar : Cania, në qytet duhet të gjeje e të blejë patjetër një nuse, dhe ta çojë atë ne fshat, para se gjyshi i tij të vdesë …

Emir Kusturica – Biografia dhe filmat

Lindur në Sarajevë me 1954, Emir Kusturica i kreu studimet e larta për kinematografi në Pragë ( Çekosllovaki ). Pas përfundimit të tyre, ai u kthye në Jugosllavi dhe punoi në televizionin shtetëror, duke qenë regjisor në disa filma televizivë. Më 1981, realizon filmin e tij të parë artistik, me titullin ‘A të kujtohet Dolly Bell ?', me të cilin fiton ‘Luanin e Artë’ në festivalin e Venecias. I shtyrë nga kjo arritje, ai nis punën për realizimin e një filmi tjetër edhe me ambicioz, i cili do të paraqiste ndjenjën e ankthit nenë Jugosllavinë e Titos. Filmi i titulluar ‘Babi është në udhëtim biznesi’, u nderua me ‘Palmën e Artë’, në Festivalin e Kanës, më 1985. ‘Prodhimeve’ Kusturica, të cilat janë një lloj përzierje surealizmi, tallje, drame, poezie dhe muzike u shtohet, në vitin 1990, edhe filmi ‘Koha e arixhinjve’.

Me pas, i vlerësuar shumë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ai shkon dhe xhiron atje filmin 'Arizona Dream', i cili fiton çmimin ‘Ariu i Artë në Berlin (1992). Pak vite më pas, filmi i tij 'Underground', (1995), u vlerësua në Festivalin e Kanës me ‘Palmën e Artë’, duke ngjallur krahas vlerësimeve edhe mjaft polemika. I pezmatuar, Kusturica i kthehet përsëri ‘dashurisë së parë', temës së tij të preferuar me arixhinj dhe realizon komedinë ’Mace e zezë, mace e bardhë (1998). Më 2001, ai realizon filmin 'Super 8 Stories',  i cili fiton ‘Pllakën e Argjendë’ në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Çikago. Pas kësaj, vlerësimet për filmat e tij, ndjekin njeri - tjetrin. Filmi ‘Jeta është një mrekulli’, fiton në 2004 çmimin e ‘Edukatës Kombëtare’ në Festivalin e Kanës. si edhe çmimin ‘Cesar i filmit më të mirë të Bashkimit Europian ( 2005 ), ndërkohë që filmi i tij i fundit ‘Më jep fjalën’, është në listën e konkurrimit zyrtar për Festivalin e Kanës - 2007.

Për të ndjekur reportazhin, klikoni më poshtë:

Published by Simbad - dans Art - Kulturë
commenter cet article
19 novembre 2007 1 19 /11 /novembre /2007 16:49

Fichier hébergé par Archive-Host.com


ZHAK PREVER 
ARISTOKRATI I RRUGEVE TE PARISIT

( Tridhjetë vjet më parë, më 11 prill 1977 vdiq Zhak Prever, një nga autoret më të shquar të poezisë moderne franceze të shekullit të XX-të )

Jeta është një  qershizë,
Vdekja është farë e saj
Dashuria pemë qershie.

( Zhak Prever )


Përse Zhak Prever është cilësuar nga publiku i gjerë, si një nga autorët më të  rëndësishëm të shekullit të XX –të. Ndofta nga që fjalët e Prever janë të thjeshta dhe u drejtohen atyre për të cilët janë shkruar. Pikërisht njerëzve të thjeshtë. Për t’u dhenë atyre dritë e humor, dashuri e ndjenjë. Sepse, në jetë, tragjikja s’ka fund.  Për çfarëdo qoftë fjala, në çdo temë e subjekt, Prever nuk bie në fatalizëm por, duke bërë një ‘piruetë’ në fund të çdo situate dëshpëruese, na heq mendimet e errëta e na sjell humorin, shakanë, të qeshurën, shpresën. Prever ishte një krijues popullor. ‘Aristokrat’ i rrugës, pa demagogjia, pa ironia. Ai shkroi me një gjuhë si ajo që flitet përditë. Aforizmat, fjalët thumbuese dhe kalamburet e tij, kanë hyrë në të folurën e përditshme e çdo francez tashmë, ndjen gjithmonë t’i vijë ëmbël në thellësi të vetvetes, jehona e një kënge, e një poezie, e një mendimi të bukur dhe prekës i cili duket sikur mban poshtë, firmën e Zhak Prever.


***

… Djalosh me temperament ëndërrimtari e një shpirt plot pasione të rralla, Zhak Prever (Jacques Prévert) e la shkollën qysh kur ish 14 vjeç. Më 1917 u fut në marinë dhe ishte gjatë asaj periudhe që ju kushtua tërësisht letërsisë. Disa vjet më pas, Zhak Prever u përfshi në ‘revolucionin surrealist’ dhe në lëvizjen antikonformiste në art; një zgjedhje artistike kjo të cilën ai e ndjeu dhe e mbështeti gjer në fund. Ishte pikërisht në atë periudhe që ai u njoh dhe u miqësua me Robert Desnos, Louis Aragon, Picasso, Miro, Max Ernst e André Breton duke marrë pjesë gjallërisht në atë lëvizje. Pas vitit 1935, iu përkushtua teatrit e bashkë me të vëllain Pierre, shkroi skenarë filmash të tillë si 'Le crime de Monsieur Lange' për regjisorin Jean Renoir dhe 'Quai des brumes' e 'Les enfants du paradis' për Marcel Carné. Dialogët e tij ishin të thjeshtë, të natyrshëm e plot humor. Por, Prever, ishte gjithashtu edhe një autor këngësh tepër të këndshme e mjaft popullore. Ai ka shkruar shume poezi të mrekullueshme, të cilat u vunë në muzikë nga miku i tij Joseph Kosma. Asnjë francez nuk harron bie fjala, ndër shumë të tjera, tekstin e këngës ‘Gjethet e vdekura’ (Les feuilles mortes). Më 1945, ai botoi një përmbledhje me poezitë e tij më të bukura, të titulluar ‘Fjalë’ (Paroles), libër ky i cili pëlqehet e vazhdon të lexohet e blihet edhe sot e kësaj dite. Poezinë e mëposhtme e kam shqipëruar pikërisht nga ky vëllim ...


 JACQUES PREVERT   (1900 - 1977)

KJO DASHURI

Kjo dashuri kaq e vrullshme,
Kaq e brishtë,
Kaq e dhembshur,
Kaq e dëshpëruar.
Kjo dashuri
E bukur si drita
Dhe e keqe si moti.
Kur moti është i lig.
Kjo dashuri kaq e vërtetë,
Kjo dashuri kaq e bukur,
Kaq fatlume,
Kaq e hareshme,
Dhe kaq mendjelehte
Qe dridhet frike si fëmija ne terr.
Dhe kaq e sigurtë në vetvete,
Si njeriu çakërrqejf ne mes te natës.
Kjo dashuri që frikësonte mjaft njerëz,
E i bënte të merreshin me llafe,
Të shtrembëronin fytyrën.
Kjo dashuri e përgjëruar,
Nga që nuk ia ndamë sytë.
Dashuri e ndjekur, e plagosur, e sosur, e mohuar e harruar,
Nga që e ndoqëm, e plagosëm, e sosëm, e mohuam, e harruam ...
Kjo dashuri e thellë,
E gjallë dhe e pavdekur,
Plot diell ...
Dashuria jote.
Dashuria ime.
Dashuria që patëm
Që s'u vjetrua kurrë.
Që s'ka ndryshuar fare.
E që është po aq e vërtetë si një pemë,
Po aq drithëruese si një shpend,
Po aq e ngrohtë e plot gjallëri si vera.
Ne të dy mund të shkojmë
E të vijmë ku qemë.
Ne mund të harrojmë
E pastaj të flemë.
Të zgjohemi, të vuajmë, të plakemi
E të biem serish në gjumë.
Te ëndërrojmë vdekjen,
Të zgjohemi, të lozim, të qeshim
Si të rinj fringo ta ndejmë veten.
Se dashuria jone qëndron aty,
Kokëfortë si mushkë,
E pashuar si dëshira,
E pamëshirshme si kujtesa,
Marroqe si kujtesa,
E dhembshur si kujtimi,
E bukur si dita e brishte.
Si fëmijë ajo na vështron buzëqeshur
Dhe na flet duke heshtur ...
E, unë e dëgjoj me drithërimë
Dhe thërras,
Thërras për ty,
Thërras për vete,
I përgjërohem
Për ty, për vete.
I gjunjëzohem
Për ty, për vete, për gjithë ata qe duhen
Dhe u deshën.
I thërras për ty, për vete e, për gjithë te tjerët
Që nuk i njoh dhe i them:
- Qëndro aty,
Aty ku je tani,
Aty ku ishe dikur.
Qëndro aty
Dhe mos lëviz kurrë,
mos u largo!...
Ne që u deshëm, të harruam!
Ti mos na harro, mos,
Veç ty kemi në ketë botë !
Mos lere të na ftohet shpirti,
Të bëhemi për njeri tjetrin të largët...
Kudo qofsh, kujtona
Na bëj sinjal që gjallë je ...
E pas shumë vitesh,
Diku në një korije,
Aty në pyllnajën e kujtimeve,
Dilna si shtojzovalle
Dhe dorën zgjatna
E na shpëto ...
 


( Shqipëroi Vasil QESARI )


***

Fichier hébergé par Archive-Host.com


PUTHJA

 
Mijra e mijra vjet
S’do mjaftonin,
Për të treguar
Atë sekondë pafundësie
Kur ti më përqafove,
Ku unë të përqafova.
Ish një çast në dritën e dimrit,
Në parkun Montsouris në Paris.
Në Paris.
Mbi tokë.
Mbi këtë tokë që është një yll …
 

( Shqipëroi Vasil QESARI )

Published by Simbad - dans Art - Kulturë
commenter cet article
14 novembre 2007 3 14 /11 /novembre /2007 11:05

Fichier hébergé par Archive-Host.com

 
( Artistja e shquar e fotografisë, Desiree Dolron mbetet gjithmonë në kërkim të një estetike absolute ku gërshetohen perfeksioni, misteri dhe violenca. Krijimtaria e saj luan me kufijtë mes jetës dhe vdekjes, të shkuarës e së ardhmes, me gjendje dhe imazhe që kalojnë nga koshienca në subkoshiencë e anasjelltas. Me artin e saj, ajo sjell një vështrim tepër vetjak, diçka në kufijtë e demarkacionit mes asaj çka është e dukshme, e perceptueshme dhe e kundërta. Punimet e saj janë tronditëse e, në të njëjtën kohë, madhështore )

Nga Vasil QESARI

“… E kisha hasur për herë të parë emrin e Désirée Dolron në një revistë, më duket se ishte një e përmuajshme ku qe botuar një shkrim i gjatë i cili u kushtohej fotografëve holandezë. Në një foto të paraqitur aty, pashë një djalë të shtrirë mbi një tavolinë, me gjoksin zbuluar, sytë të mbyllur, i rrethuar nga tri gra të veshura në të zeza që po e përgatisnin për ta çuar në arkivol. Drita e asaj fotografie ishte e jashtëzakonshme. Një dritë si ajo e piktorëve flamandë, e gjitha e mbajtur në dritë-hije, e tëra në nuanca, në një muzg të thellë. Ajo fotografi, më pat mrekulluar për nga kompozimi e drita, për nga përputhja e subjektit me realizimin e saj. Dhe ja, para ca ditësh pata rastin e mrekullueshëm, të ndjek vetë ekspozitën e Desirée Dolron në Paris … “

Në kuadrin e Muajit të Fotografisë 2006, në Institutin Holandez në Paris gjer më 20 dhjetor po qëndron e hapur, ekspozita e plotë e Desirée Dolron e titulluar  “Exaltation - Gaze - Xteriors”, në të cilën janë paraqitur tri seri fotografish të cilat pasqyrojnë karakterin tepër origjinal të punës së kësaj artisteje të shquar. E reja më befasuese në këtë ekspozitë, është paraqitja në të e serisë më të fundit të krijimeve të saj dhe pikërisht, ajo që mban titullin “Xteriors” ku janë paraqitur disa prej portreteve, të cilët e kanë bërë atë të njohur në shkallë ndërkombëtare.

Lindur më 1963 në Haarlem (Holandë), Desirée Dolron jeton dhe punon në Amserdam. Krijimtaria e saj përbehet prej reportazhesh dhe fotografish të realizuara jashtë ( në eksterier ) si edhe në studio. Për krijimin e një pjese të mirë të veprës së saj, Desirée Dolron ka jetuar e punuar për nëntë vjet (1991-1999) mes ceremonish të ndryshme fetare, në vende të tilla si Indi, Malajzi, Pakistan, Tailandë e Marok, ku edhe ka mbledhur mbresa e impresione të cilat më pas i ka hedhur në albumin e emërtuar “Egzaltim, imazhe religjioni e vdekje”.

Në mënyrë të ngjashme me një dokumentar, ajo ka fotografuar atmosferën dhe skajshmërinë ekstreme të disa riteve fetare si edhe ekzaltimin, i cili shkon gjer në deformimin a ndëshkimin e vetvetes. Imazhet e saj, portrete a peizazhe që shprehin tronditshëm atmosferë sakrifice e vuajtje, të bëjnë të përjetosh momente të forta në tërësinë dhe detajet e tyre. Duke përzier makthin, frikën e magjepsjen, fotografitë tregojnë ekstazën e popullit shaman, përqendrimin e tyre në rite, besimin, dhembjen, fuqinë e zjarrit ku hedhin valle që i kthen siluetat e njerëzve në skulptura të gjalla të cilat veprojnë në një realitet krejt mistik.

Désirée Dolron ka studiuar e punuar shumë në gjininë e portretit. Mjafton të sjellësh për një çast në mend pikturën tradicionale flamande, për të kuptuar se fotot e saj përmbajnë brenda tyre të njëjtën enigmë. Tejet impresionuese, subjektet që ajo trajton duken sikur janë punuar në të njëjtat atelie me autorët e epokës. Në shumë prej fotove të serisë së quajtur “Xteriors”, ajo ka tendencën e paraqitjes së një lloj realizmi i cili shkon gjer në ekstrem. Një realizëm përzier me atmosferë e ndjenjë mistike. Portretet e saj, “priten” në një sfond të zi dhe fytyrat e tyre të bukura, të kthyera drejt objektivit në tre të katërtën e tyre, duken sikur dalin prej një bote misterioze. Me një mjeshtëri magjepsëse hijesh e dritash, hapësirat në to u japin imazheve thellësinë e duhur, për ta bërë edhe më mizore vetminë e tyre.

Nga kjo shpjegohet fakti që një pjesë e mirë e portreteve fotografike të Désirée Dolron, të paraqitura ne këtë seri shkaktojnë tek shikuesi, të njëjtën magjepsje si ato që provohen para një pikture. Është merita, fantazia dhe talenti i saj që mes procesesh krijuese të menduara e të realizuara mirë, arrihet që nëpërmjet imazhesh të marrë prej realitetit të jepen vizione e emocione që lidhen me misteret e shpirtit e që provokojnë efekte të cilat ushqejnë imagjinatën dhe irealen.

 

Fichier hébergé par Archive-Host.com

 

Seria e parë: XTERIORS 


Nisur më 2002 dhe përfunduar me 2006, seria e portreteve “Xteriors”, nuk ka qenë veç fillimi i një projekti me të cilin artistja do të ndërtonte një univers imagjinar me elementë realë. Puna pat nisur me përzgjedhjen reale të modeleve, të cilët duhej të përputheshin me vizionin e saj. Ashtu si edhe në pikturë, bëhej fjalë për të paraqitur subjektin i cili do të behej objekt i një etydi, një vizatimi, një skice. Por, vështirësia qëndronte në faktin se sado delikat dhe goditës të ishte modeli në shkrepjen e aparatit me drite natyrale, puna e nisur s’përbënte veç fillimin e një etape. Sepse ajo e kalonte pastaj fotografinë e modelit, piksel pas pikseli, në një proces të imtë ripunimi të përgjithshëm dixhital. Volumet dhe "materia" e tyre, ngjyrat dhe hapësirat, duhej të korrespondonin me ekuilibrin ekzakt të imagjinuar nga artistja.

Me një mënyrë dhe teknikë të tillë, janë punuar një varg portretesh të trajtuar në mënyrë dixhitale, në të cilët duket qartë influenca e pikturës tradicionale flamande, në mënyrë të veçantë ajo e tablosë së njohur të Rembrandit “Mësimi i anatomisë” si dhe ato të piktorit danez Vilhelm Hammershoi (1864 -1916). Përveç tyre, mund të shtojmë dhe një tjetër burim frymëzimi më bashkëkohor, pikërisht atë të marrë prej filmit “Cris dhe Chuchotements” të I.Bergman, ku artistja Désirée Dolron luan pikërisht me profilet, errësirën e dritë-hijet. Kjo seri shquhet për një precizon të mahnitshëm, i cili krijon një botë befasuese e pothuaj magjike. Një botë inegzistente, të largët, të shenjtë, mbuluar me vello e tension ekstrem. Këta portrete me pamje qiellore, duken se vijnë nga një botë tjetër, nga një univers pothuajse mitologjik, ku kufiri mes jetës e vdekjes është i paqartë, flu …

Fichier hébergé par Archive-Host.com

Seria e dytë: EXALTATION 

Ndryshe nga kjo seri fotosh, seria tjetër e titulluar "Exaltation" (1991/99) realizuar në formë dokumentari, sjell përvojën artistike të Désirée Dolron marrë gjatë udhëtimeve të saj kryesisht në Azinë Juglindore ( Indi, Malajzi, Pakistan, Filipine, Tailande etj ), pikërisht në kremtimet fetare. Në të gjejmë mjaft fotografi impresionuese, shpesh herë dhe tepër rrenqethese, të cilat paraqesin turma në gjeste ekstaze e veprime pothuajse gjakatare si edhe individë te përhumbur në veprime të pakontrolluara, të shtyrë nga një forcë e jashtme a një ndjenjë e brendshme shpirtërore jashtëzakonisht e fuqishme.

Të konceptuara në formën e reportazhit bardh’ e zi, imazhet e Désirée Dolron të sjellin ndër mend jehonën e atyre që pat realizuar mjeshtri francez i fotografisë Henri Cartier-Bresson, i cili i pat bërë ato në Bali (1948) e që pastaj u mblodhën në albumin "Valle në Bali" (Danses à Bali). Por e veçanta, ajo çka të mahnit në klishetë fotografike të artistes holandeze, është paqja që mbretëron në portretet, qoftë edhe kur kryen rite ku paraqiten keqtrajtimet e trupave të tyre. Është pikërisht përqendrimi, harrimi i gjithçkaje, paqja dhe qetësia e dëshiruar, të cilat bëjnë të mundur që shpërfytyrimi i dhunshëm i trupave të mos provokojë as dhembje e as ndjeshmëri fizike.

Fichier hébergé par Archive-Host.com


Seria e tretë: GAZE
 



Ndërsa në serinë e fotografive që përbejnë atë me emër “Gaze” (1996/98), Desirée Delron i rikthehet përsëri po këtij fenomeni, por tashmë në një kontekst krejt tjetër. Ajo realizon kështu diçka fantastike, pikërisht dëshirën e saj mistike për të ndjekur e pasqyruar nga afër mundimet e qenieve njerëzore në botën e ujit Pra, pikërisht, portretet e tyre të filmuara nenë ujë. Nga një anë, përhumbjen, përpëlitjet, dhimbjen e tyre e, nga ana tjetër paqen e njerëzve të shkëputur nga perceptimet e ndjeshmërisë, nga realiteti ynë i oksigjenuar. Seancat e fotografimit në situata të tilla: të gjata, të vështira e rraskapitëse, ndikojnë mundueshem te pozuesit e bëjnë që pak nga pak, ata të japin te përhumbur pikërisht pamjen e të mbyturit. Kjo seri, nga ana teknike është ndikuar mjaft nga humbja e dimensionit fotografik, me tendencën e përftimit të imazheve me natyrë pikture. Kjo gjë është arritur me ane te një trajtimi të veçantë dixhital, i cili shpesh na kujton të famshmen”sfumato” të Leonardo da Vinçit.

Në këto rrethana, shumë kritikë e specialiste të këtij arti, kanë shprehur pyetjet në se në seritë e fotografive "Exaltation", "Gaze" dhe "Xteriors", kemi të bëjmë me vizione dhe praktika fotografike apo me imitime pikture? Përngjasja, në fakt është vërtet e afërt dhe mahnitëse por, ndryshe nga fotografë të tillë si Steichen apo Stieglitz që kanë kërkuar të imitojnë pikturën, Désirée Dolron përpiqet, shtron pyetjen, eksperimenton që nëpërmjet fotografisë e proceseve të saj dixhitale,  të kapë limitet më të mundshëm të fotografisë moderne, duke mos hezituar të provojë praktika të ndryshme artistike në shumicën e të cilave, ajo ka një sukses befasues e impresonues në shkallë botërore ... 
1 dhjetor 2006


Fichier hébergé par Archive-Host.com

 
Published by Simbad - dans Art - Kulturë
commenter cet article
6 octobre 2007 6 06 /10 /octobre /2007 14:32
Fichier hébergé par Archive-Host.com

 PIKTOR I VETMISE, 
TRISHTIMIT DHE MELANKOLISE

Nga Vasil QESARI

Edward Hopper (1882-1967), më amerikani ndër piktorët amerikanë, është përkujtuar këto ditë në ekspozitën më të madhe të tij, në një retrospektive të organizuar në Galerinë Kombëtare të Arteve në Uashington, ku do të qëndrojnë të ekspozuara prej 16 shtatorit gjer më 21 janar 2008. Në të bëjnë pjesë 96 vizatime, akuarele dhe punime në vaj, ndër të cilat edhe tabloja e tij e famshme 'Zogjtë e Natës' (Nighthawks - 1942). Piktor realist e njëherësh enigmatik, Hopper nuk bëri pjesë në ndonjë lëvizje apo shkollë të caktuar arti. Ai u drejtua më së tepërmi drejt piktures realiste, e cila ishte mjaft larg pikturës kubiste - mjaft në modë në atë kohë. Hopper debutoi shumë vonë, por njohu sukses të madh qysh kur qe gjallë. Pikturat e tij janë ndër më të njohurat e më riprodhuarat jo vetëm në Shtetet e Bashkuara, por edhe në shumë vende të botës. Në vitin 2005, një tablo e tij 'Autobusi i mishit' ( Chair Car - 1965 ) u shit në ankandin e njohur Christie's me shumën prej 14 milionë dollarësh, një rekord i paparë për këtë artist. Një pjesë e mirë e veprës së Hopper shpreh nostalgjinë e Amerikës së mëparëshme, si edhe konfliktin mes natyrës e botës moderne. Artisti preferoi të pikturojë më së shumti vende publike ( restaurante, teatro, zyra ... ) në të cilët njerëzit dhe sendet duken gjithmonë të braktisur. Temat kryesore të pikturës së tij janë peizazhet urbane e fshatare, shtëpitë e vetmuara, shtyllat e dritave të rrëzuara prej erës, skena qytetare pa njerëz etj. Personazhet e paktë të punimeve të tij janë enigmatike, të vetmuar, melankolikë e fataliste. I njohur për heshtjen e tij monumentale, sa herë që binte rasti të intervistohej për përmbajtjen e pikturave, Edward Hopper e kish bërë zakon t’u thoshte gazetarëve se: “ne se ju do të mundeshit t’i shpjegonit ato me fjalë, unë nuk do të kisha asnjë arsye pse t’i pikturoja ” ...

Fillimet

Edward Hopper ka lindur në Nyack, në shtetin e New York –ut, në një familje tregtarësh. Pas mbarimit të shkollës fillore e të mesme, ai shkoi në “New York School of Illustrating” ku studioi për të mësuar profesionin e ilustruesit. Ndër mësuesit e tij, Robert Henri (1865-1929) të cilin ai e pat tepër për zemër, i mësoi atij artin e pasqyrimit të skenave realiste e atyre urbane. Me qëllim që të çonte dhe më tej studimet dhe formimin e tij, nga 1906 gjer më 1910, Edward Hopper bëri tri udhëtime në Paris e në vende të tjera të Europës, por nuk ra nenë ndikimin e kubizmit. Veprat e mjeshtreve të Kontinentit të Vjetër i hynë në zemër dhe nënë frymën e tyre, realizoi mbi tridhjetë vepra, kryesisht në Paris. Ishte po ashtu, po në këtë qytet, që ai u njoh edhe me artistë të tjerë të rinj amerikane e shfaqi interes për fotografinë. Ai ra shpejt rob i bukurisë së kulturës franceze dhe mbeti frankofil i flaktë gjatë gjithë jetës. Autoret që adhuronte më së tepërmi ishin: Vélasquez, Rembrandt, Vermeer si edhe mjeshtrat e shekullit të XIX –të : Goya, Daumier, Manet, Degas etj. Pas kthimit në Shtetet e Bashkuara, Hopper vazhdoi të lexojë autorë francezë si edhe të shkruajë në këtë gjuhë. Një nga autoret e tij të preferuar ishte poeti simbolist Paul Verlaine, të cilin e recitonte vazhdimisht ...


Fichier hébergé par Archive-Host.com


Ekspozitat e para

Washington Square North. Ishte pikërisht në atë rrugë të New York që më 1908 Edward Hopper hapi atelienë e tij të parë. Ai u vendos përfundimisht në atë qytet dhe punoi fillimisht si realizues reklamash, një zanat që nuk e çmonte aspak. Në atë kohë, ai pikturonte rrallë, ndonjëherë gjatë pushimeve të stinës se verës. Megjithatë, ai morri pjesë në shumë ekspozita kolektive në New York : më 1908 në 'Harmonie Club' dhe më 1912 në 'Mac Dowell Club'. Pas një viti, ai shiti veprën e tij të parë dhe u vendos në një studio të re, në Washington Square, lagje e Greenwich Village. Më 1915, realizoi të parat punë në “acqua forte” duke u bërë kështu i njohur prej kritikes së artit. Por, ishte në periudhën mes dy luftërave boterore, asaj së parë e së dytë, qe ai u bë vërtet i njohur në shkallë kombëtare. Më 1924, u martua me Josephine Verstille Nivison edhe ajo piktore. Me 1933 çifti bleu një prone në Cap Cod, ku ndërtoi edhe një shtëpi e një studio.

Përkushtimi

Më 1925, Edward Hopper mbaroi pikturen e tij te shquar “Shtëpia buze hekurudhës” (The House by the Railroad), e cila është konsideruar si një prej tablove më të mira të tij. Vepra hyri në koleksionin e 'Muzeumit të Artit Modern' më 1930, falë blerjes prej një milioneri të quajtur Stephen Clark. Po atë vit, 'Whitney Museum of American Art', bleu prej tij me një shumë të madhe dollarësh tablonë “Një të diel herët në mëngjes” (Early Sunday Morning). Viti 1933 ishte ai, kur për herë të parë bëhet një ekspozitë retrospektive e krijimtarisë së E. Hopper, në 'Muzeun e Artit Modern' në New York. Më 1939, zgjidhet anëtar i jurisë së 'Carnegie Institute' e ca vite më pas, anëtar i 'National Institute of Arts and Letters' (1945). Më 1952, ekspozon në Bienalen e Venecias dhe një vit më pas, merr titullin 'Doctor of Fine Arts' në Institutin e Arteve në Chicago. Edward Hopper vdiq më 15 maj 1967 në New York, në apartamentin e tij në Washigton Square. E shoqja, piktorja Josephine Nivison e cila vdiq dhjetë muaj më pas, ja dorëzoi veprën e tij 'Whitney Museum of American Art'. Vepra e Edward Hopper shënoi një periudhë të rëndësishme në realizmin amerikan në pikturë. Stili i tij i thjeshtë dhe i pastër, ndikoi më pas në artin e pop - art.

Veprat

Tablotë e para të Edward Hopper paraqesin pamje të Parisit, ( Ura e Arteve, 1907, Mbasdite qershori, 1907, Luvri ne stuhi, 1909, Pavijoni i Florës, 1909 etj.). Kjo periudhe 'pariziene' e cila korrespondon me kohen që artisti punoi në kryeqytetin francez (1906-1910), vazhdoi edhe kur ai u kthye përfundimisht në Shtetet e Bashkuara. Ai ishte aq i impresionuar nga peizazhet dhe piktura e Kontinentit te Vjetër sa që më pas thoshte: Kur u ktheva në Amerikë, gjithçka m’u duk mizorisht pa shije dhe qesharake. Mu deshën vite që të ndahem nga Europa. Pas kthimit në atdhe, nënë shtysën edhe të së shoqes, Edward Hopper realizoi shumë 'acqua forte' (1915-1928), afishe, gravura e akuarele. Pak nga pak, ai i braktisi imazhet pariziene dhe piktoret evropianë, për t’i u kushtuar teresisht peizazheve amerikane. Në vitet 1920, ai arrin të afirmojë stilin e tij personal duke pikturuar pamje me ngjyra të errëta, të prera. Ai largohet kështu nga impresionizmi, prej të cilit ish magjepsur në Paris, për t’i u përkushtuar tablove të mëdha plot kontraste e ngjyra ku, prezenca njerëzore pothuajse mungon krejtësisht. Në vitet 1950-1965, piktori nis të pasqyrojë personazhe, të cilëve u jep me përparësi një përmbajtje të caktuar psikologjike. Është koha kur në punët e tij, nis të duket qartë vënia në dukje e kufirit mes hapësirave të brendshme e atyre të jashtme, të cilat ndahen nga linja tepër të forta. Vijojnë pastaj tablo ku paraqiten mjedise “enterier” gjithmonë e më të boshatisura nga çdo lloj mobilimi, si bie fjala në punën 'Dhoma në breg të detit' (1951), ku mobilet e saj janë të fshehura pas një muri, apo tek 'Diell mëngjesi' (1952), ku objekti i vetëm i një dhome është një krevat. Kësisoj, punët e tij, duken më së tepërmi të bëra enkas, më tepër si 'rikonstruksione', se sa paraqitje besnike të realitetit. 

Fichier hébergé par Archive-Host.com


Piktori i vetmisë dhe melankolisë

Në tërësinë e tyre, veprat e Edward Hopper janë pasqyrim i jetës së përditshme amerikane, të mënyrës së saj të jetesës ( american way of life ), të cilat shfaqen nëpërmjet detajesh realiste: panele reklamash, ndërtesa urbane, stacione karburantesh, motele, hekurudha, rrugë të shkreta që japin edhe mjedise tipike të këtij vendi. Tablotë e tij flasin për një shoqëri në transformim të plotë. Në thelb, ato japin kuadrin e jetës dhe ekzistencës së klasave të mesme në rritje të shpejtë, në gjysmën e parë të shekullit të XX –të. Kështu, bie fjala, tablotë 'Stacioni i Karburantit' (1940) dhe 'Moteli në Perëndim' (1957) tregojnë lindjen e një shoqërie të mbështetur tepër tek automobili. Rrugët, hekurudhat dhe urat janë shenja të tjera modernizmi e arritjesh në territore të reja amerikane. Por, ndërkohë, në këta qytete të mëdhenj Hopper, na tregon edhe njerëz që shprehin keqardhje për Amerikën e Vjetër e cila është duke u zhdukur. Por, Edward Hopper, më së tepermi është piktori i vetmisë, tjetërsimit e melankolisë, i personazheve anonime, pamja e të cilëve nuk gjeneron asnjë emocion. Punet e tij, në pergjithesi mishërojne veçanti të gjendjes shpirterore të amerikanit të shekullit të XX-të, shoqëruar me situata izolimi, melankolie, vetmie dhe një erotizmi latent. Ajo çka ato transmetojnë, më së tepërmi, janë: heshtja, tensioni, refuzimi, melankolia. Shpesh, këta personazhe duken sikur janë në pritje të diçkaje. Në tablonë 'Verë' (1943), një vajze e re qëndron në këmbë, para një porte. Ajo duket sikur pret dikë që ta kërkojë. Skena është si e ngrirë. E vetmja lëvizje ndihet prej ajrit që lëviz perdet e dhomës. Në disa vepra të Hopper evokohet edhe tema e lirisë së femrës. E emancipimit të saj. Një ecje drejt lirisë, por me figura shume delikate dhe të pavendosura. Ai trajton po ashtu dhe subjekte erotike e nudo “Dritare natën” (1928), “Mesditë” (1945) 'Grua në diell' (1961), 'Dielli i mëngjesit' (1952). Edhe raportet burrë/grua bëjnë pjesë në disa prej punimeve të tij. Në 'Hoteli pranë hekurudhës' (1952), një burrë shikon nga dritarja duke thithur cigaren, ndërkohë që e shoqja lexon pa i kushtuar atij, as vëmendjen më të vogël. Ndërsa, në tablonë 'Mbremje në Cap Cod' (1939), paraqitet një çift që diskuton në një korridor. Në 'Diell në një kafeteri', një burrë shikon një vajzë të re e bëhet gati t’i flasë. E, në fund, në 'Rruga me katër kalime' (1956), një grua duket se grindet me burrin e saj, ndërkohë që ai qëndron i qetë e pa shfaqur reagimin më të vogël ...

***

Fichier hébergé par Archive-Host.com


Zogjtë e Natës
  ( Nighthawks - 1942 )

Tabloja e shquar 'Zogjtë e Natës' ( Nighthawks - 1942 ) nuk është vetëm një nga veprat më të përkryera të Edward Hopper, por edhe nga më të shënuarat e artit modern amerikan. E ekspozuar në Institutin e Arteve të Çikagos, ajo i ka dhenë fame botërore autorit të saj dhe është kthyer në një ikonë të artit bashkëkohor amerikan. Ajo paraqet katër persona në një bar, natën vonë, diku në qendrën e një qyteti. Skena, me sa duket është frymëzuar nga një 'diner' ( restaurant nate ) në Greenwich Village, lagje në Manhattan, ku Hopper banonte. Rruga jashtë është bosh, e zhytur në errësirë të frikeshme e, brendësia e barit, i rrethon ata si një enë hermetikisht e mbyllur. Asnjë personazh i tablosë, nuk të jep përshtypjen se kuvendon me dikë apo sheh nga tjetri. Dy prej tyre, përbëjnë një çift, ndërkohë që i treti është ulur vetëm, duke i treguar shikuesit të tablosë vetëm kurrizin. I vetmi kamerier i atij bari, vështron tej dritares, pa ua hedhur sytë klientëve. Duke e parë me kujdes këtë tablo, bie në sy fakti se në të, nuk shihet asnjë portë nga ku klientët mund të hyjnë a dalin, gjë e cila jep idenë e kufizimit të lëvizjes apo të rënies në kurth. Ne fakt, lidhur me këtë tablo, Hopper ka mohuar që të ketë shprehur ndonjë ide të tillë, por ka pohuar se, ndofta “në mënyrë të pavetëdijshme, unë kam pikturuar vetminë e një qyteti të madh” ...

Published by Simbad - dans Art - Kulturë
commenter cet article
27 septembre 2007 4 27 /09 /septembre /2007 19:28

Fichier hébergé par Archive-Host.com



... Jam duke lexuar permbledhjen poetike "Vargje për Lu" të poetit të shquar francez, Guillaume Apollinaire(1880-1918). Më 1914, në Nisë, Gijom Apolineri njihet me një grua të re, personaliteti i së ciles e terhoqi dhe e magjepsi si rralle herë. Ajo ishte, Louise de Coligny-Chatillon, të cilën André Rouveyre e ka përshkruar si: "plot ndjenja, e lehtë, e çpenguar, e ashpër, feminore, e ndjejshme, e ftohtë e nevrike pra, si të thuash, disi e çuditeshme dhe orgjinale". Ata njihen nga afër e shpejt, mes tyre shpërthen një pasion i papërmbajtur në një aventurë të pashembëllt. Për shtatë ditë ai njohu tek ajo një voluptet të rrallë, një erotizem delikat e njëkohësisht violent. Ajo quhej Louise, por Apollineri gjithmonë e quajti "e vockla ime Lu". ( Lu -shkurtim i emrit Luiza). Një dashuri që zgjati gjatë gjithë jetës së tij e, ai i dedikoi një libër të mrekullueshem me poezi, të njohur në gjithë botën.

 

Më 1914, në Nicë, Gijom Apolineri ( Guillaume Apollinaire 1880-1918 ) njihet me një grua të re, personaliteti i së cilës e tërhoqi dhe e magjepsi si rrallë herë. Ajo që, Louise de Coligny-Chatillon të cilën André Rouveyre, e ka përshkruar plot ndjenja, e lehtë, e çpenguar, e ashpër, feminore, e ndjejshme, e ftohtë e nevrike pra, si të thuash, disi e çuditëshme dhe orgjinale. Ata njihen nga afër e shpejt mes tyre shpërthen një pasion i papërmbajtur që i shpie në një aventurë të pashembëllt. Ai njohu te ajo voluptet të rralle, erotizëm delikat e njekohësisht violent. Ajo quhej Louise, por Apolliner gjithmone e quajti "e vockla ime Lu". ( Lu -shkurtim i emrit Luiza). Një dashuri që zgjati gjatë gjithe jetës së tij e që, ai i dedikoi një liber të mrekullueshem me poezi, të njohur në gjithë botën. Guillaume Apollinaire ishte ndofta poeti dhe"shpikesi"me avangardist i epokes që jetoi: i artit naiv, artit neger, fovizmit, kubizmit (me Pablo Picasso). Ai qe zedhenesi i modernizmit në poezi dhe lajmetar i hershem i surealizmit.


POEME  PER LU...

E vogla, e ëmbla ime Lu, të dua,
Ylli im i shtrenjtë e dritherues, të dua,
Trup delikat e tepër elastik, të dua,
Seks që shtrengohet si thyeres arrash të dua,
Gjoks i majtë i rrallë e provokues, të dua,
Gjoks i djathtë i butë si trendafil, të dua,
Thithkat e tyre ngjyre shampanjë, të dua,
Kërthizë si henë e ngrenë, të dua,
Ije të bardha me drite mermeri, të dua,
Kofshë si kolona tempujsh antike, të dua,
Seks i erret si pylli në dimer, të dua,
Qafëz me kurbat e një mjelme, të dua,
Veshë të brishte si bizhu meksikane, të dua,
Flokë të ngopur në gjak dashurie, të dua,
Shpinë harmonike me kurbë për mua, të dua
Gojë e embël e plot nektar, të dua,
Shikim i zjarrtë, plot dritë si yll, të dua,
Duar që ngjallin veç adhurim, të dua,
Hundë e vockel, e imtë, aristokrate, të dua,
Hap i hedhur plot nur si në valle, të dua,
O, Lu-ja ime e vockel, të dua, të dua, të dua !...

Shqipëroi : Simbad Detari

Published by Simbad - dans Art - Kulturë
commenter cet article