15 décembre 2007
6
15
/12
/décembre
/2007
23:40
Gjatë kësaj vere, teksa po udhëtonim nga Vlora për në Sarandë e pastaj drejt Korfuzit, u ndalëm në Qeparo dhe kaluam një natë te mëmë Maria. O Perëndi, çfarë njerëz bujarë, jetojnë në atë fshat të bekuar ! Sa mikpritës dhe të dashur ! Mëme Maria, pothuajse jeton vetëm, në një shtëpi të re e cila ka zëvendësuar atë të vjetrën. Është shtëpia e saj, por edhe e djemve që kryesisht janë ne emigracion e do të vijnë aty, për të kaluar pushimet verore. Edhe pse është e moshuar, mëmë Maria, mbahet shume mirë e punon sa për dy vetë. Gatuan, bën e pjek bukë në furrë, mban bagëtitë, i mjel ato darkave, bën djathë e gjalpë. Një grua shumë nikoqire ! Memë Maria, është e veja e të ndjerit Ksenofon, kushëririt tim të parë, vdekur vite të shkuara nga një sëmundje e pashërueshme. Ai, ishte një burrë tepër i qetë, buzagaz dhe i dashur. Njeri fjalështruar. Murator dhe mjeshtër i gdhendjes së gurit. Shumë ledhe të brezareve me ullinj në Qeparo, mbajnë gjurmët e duarve të tij.Te gjithë e respektonin ! Te mëmë Maria ne Qeparo, kaluam një darkë të bukur e të paharruar. Erdhi edhe miku im i vjetër Petraq Pali me gruan, kunati i tij Naqia me Letën, djali i mëmë Marisë, Koçua me të shoqen etj. Të nesërmen në mëngjes, mbas gjumit shlodhës, u zgjuam mes një ajri të freskët e të shëndetshëm. Dolëm jashtë në oborr, na doli para mëmë Maria, me një krahë drush në duar. Mirëmëngjesi ! - na uroi ajo buzagaz – Ja! Tani do ndez zjarrin dhe do iu bej petulla ! I doni petullat me mjaltë ?... Oh, mëmë Marie, nuk do ta harrojmë kurrë, dashurinë dhe bujarinë tende të rrallë !